Buxheti/ Si ndryshoi struktura e të ardhurave buxhetore më 2013

para - lekeMe tatimin mbi vlerën e shtuar që shënoi një rendiment tepër negativ në 2013-ën, pesha e këtij zëri, që është kryesori në sigurimin e të ardhurave në buxhetin shqiptar, ka shënuar rënie të lehtë në raport me një vit më parë. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, pesha që TVSH-ja siguron në totalin e të ardhurave nga tatimet e doganat zbriti me një pikë përqindjeje në 49% në fund të vitit 2013.

Në totalin e të ardhurave tatimore, rreth 72% i zënë të ardhurat nga tatimet e doganat; 19% të ardhurat nga fondet speciale (kryesisht sigurimet shoqërore e shëndetësore), zë ky që është rritur me 1 pikë përqindjeje në 2013, në raport me një vit më parë; 3% të ardhurat nga pushteti vendor dhe 7% të ardhurat jo tatimore.

 

Rënia e të ardhurave nga TVSH-ja, nga tkurrja e importit

Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, për 11 mujorin, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një nga zërat më problematikë për periudhën, me ulje të të ardhurave të mbledhura për periudhën -7.3 për qind mbi baza vjetore, duke qenë në nivelin 99.3 miliardë lekë, pothuajse në nivelin e vitit 2009. Të ardhurat e mbledhura nga importet ishin në nivelin 77.9 miliardë lekë TVSH nga 78.9 miliardë të parashikuar. Për këtë periudhë, të ardhurat nga TVSH-ja në doganë përbëjnë rreth 78.5 për qind të të ardhurave gjithsej nga TVSH-ja. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato rezultojnë të jenë 6.4 miliardë lekë më pak, ose -7.5 për qind. Të ardhurat nga TVSH-ja në doganë janë ndikuar nga ecuria e importeve për periudhën. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave rezulton se janë importuar për 11-mujorin rreth 6.4 për qind më pak në vlerë se e njëjta periudhë e një viti më parë; nga totali i importeve, importet e taksuara kanë qenë 7,6 për qind më pak se një vit më parë (si vlerë në lekë). Të ardhurat e mbledhura mbi furnizimet e brendshme janë 21.5 miliardë lekë TVSH për periudhën janar – nëntor, me rënie vjetore në nivelin -6.3 për qind. Rimbursimi i TVSH-së për periudhën 11-mujore nga tatimet ka arritur 7.2 miliardë lekë me një rritje vjetore prej 11.1 për qind. Në strukturën e të ardhurave tatimore që mbledhin tatimet, vihet re ndryshim i peshës specifike të TVSH-së ndaj totalit, nga 23.9% në 27.1 për qind në 11-mujorin e vitit 2013.

Për vitin 2014, të ardhurat në total nga TVSH-ja parashikohen në nivelin 118.4 miliardë lekë, me rritje 8.5 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar për vitin 2013, ose rreth 8.3 për qind të shprehura si raport ndaj PBB-së. Parashikimi për TVSH-në bazohet në pritshmërinë e aktivitetit ekonomik për sektorë të veçantë të ekonomisë, në parashikimet e nivelit nominal të importeve, në prirjen historike të koeficientit të elasticitetit të këtyre të ardhurave ndaj nivelit nominal të importeve të mallrave, si dhe në pritshmëritë lidhur me përmirësimin administrativ në mbledhjen e kësaj takse.

 

Tatimfitimi

Të ardhurat nga tatimfitimi përbënin 7% të totalit nga të ardhurat nga tatimet e doganat në 2013, peshë pothuajse e pandryshuar në raport me një vit më parë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat në total për tatimfitimin janë parashikuar në 23 miliardë për vitin 2014, nga 15 mld lekë të pritshme për vitin 2013. Në raport me PBB-në, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arrijnë në rreth 1.6 për qind. Parashikimi për këtë zë është bazuar në parashikimin për rritjen e bazës së tatueshme e lidhur kryesisht me ecurinë e aktivitetit ekonomik, si dhe të përmirësimeve të pritshme në aspektin administrativ. Efekti i ndryshimit të normës tatimore është rreth 7 miliardë lekë për vitin 2014

 

Akciza

Akciza solli 17% të totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat në 2013, me një rritje me një pikë përqindje, në raport me një vit më parë.

Të ardhurat që parashikohet të mblidhen nga akciza për vitin 2014, janë rreth 48.4 miliardë lekë, me rritje vjetore 29.5 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar për vitin 2013, ose në nivelin 3.4 për qind të PBB-së. Efektin dominues në rritjen e të ardhurave e ka rritja e nivelit të taksimit për disa nga mallrat kryesore me akcizë në Republikën e Shqipërisë, si: cigaret, duhani me të dredhur, pijet alkoolike dhe birra. Tatimi mbi të ardhurat personale Nga tatimi mbi të ardhurat personale, parashikohet një nivel të ardhurash prej 28.5 miliardë lekësh ose 0.3 për qind më shumë se vlera e buxhetit të rishikuar për vitin 2013. Në raport me PBB-në, të ardhurat arrijnë në rreth 2.0 për qind. Të ardhurat do të ndikohen kryesisht nga reformimi i taksimit mbi pagat, nga tatim i sheshtë në tatim progresiv, siç shpjegohet më lart. Efekti në të ardhura i reformës tatimore për TAP-in vlerësohet në 1.5 miliardë më pak në terma vjetorë.

 

Të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera

Të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera përbënin 12% të totalit të të hyrave nga tatimet e doganat, peshë e pandryshuar në raport me një vit më parë.

Të ardhurat nga taksat nacionale për vitin 2014 parashikohet të jenë rreth 36.4 miliardë lekë, me rritje 26.9 për qind ndaj buxhetit të rishikuar për vitin 2013 (ose 2.6 për qind e PBB-së). Parashikimet për të ardhurat nga kjo taksë janë bazuar në parashikimet e rritjes së aktivitetit ekonomik, parashikimet për ecurinë e eksporteve, të cilat ndikojnë në mënyrë direkte të ardhurat nga renta minerare, trendi historik i rritjes së tyre dhe pritshmëria për përmirësimin administrativ në mbledhjen e saj. Efekt do të ushtrojë rritja e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, e vlerësuar në rreth 5.5 miliardë lekë shtesë për vitin e ardhshëm.

 

Të ardhurat nga fondet speciale

Të ardhurat nga fondet speciale për vitin 2014 parashikohen në rreth 63.8 miliardë lekë, me një rritje prej 6.5 për qind krahasuar me shifrën e buxhetit të rishikuar për vitin 2013. Prej këtyre, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të parashikuara për vitin 2014 janë në nivelin 62.5 miliardë lekë ose rreth 7 për qind më shumë se buxheti i rishikuar për vitin 2013, ndërsa rreth 1.6 miliardë lekë pritet të arkëtohen prej pagesave të legalizimit të pronave në fondin e të ardhurave për kompensimin në vlerë të pronarëve. Parashikimi i të ardhurave nga kontributet për vitin 2014 bazohet në parashikimet për rritjen e aktivitetit ekonomik, të punësimit, të nivelit të pagave, në uljen e vazhdueshme të informalitetit në tregun e punës dhe në efektin e pritshëm të heqjes së nivelit tavan për llogaritjen e kontributeve shëndetësore.

 

Të ardhurat nga pushteti vendor

Të ardhurat nga pushteti vendor për vitin 2014 pritet të arrijnë nivelin 10.7 miliardë lekë me një rritje prej 8.6 për qind ndaj buxhetit të rishikuar për vitin 2013, duke arritur nivelin 0.8 për qind të PBB-së. Parashikimi për këtë grup taksash është bazuar në parashikimin për rritjen ekonomike nominale, si dhe në përmirësimin e pritshëm administrativ në mbledhjen e të ardhurave, kryesisht lidhur me tatimet mbi pasurinë. Politikat tatimore që prekin këtë grup taksash pritet të kenë një efekt buxhetor neto prej 300 milionë lekësh. Të ardhurat jotatimore Parashikimi i të ardhurave jotatimore për vitin 2014 është 21.1 miliardë lekë ose 12.3 për qind më pak se në buxhetin e rishikuar për vitin 2013. Këtu bie në sy një rënie e nivelit të fitimit që transferohet nga Banka e Shqipërisë në buxhetin e shtetit, e cila historikisht ka qenë në nivelin rreth 5 miliardë lekë dhe për vitin 2014 parashikohet në nivelin 1.5 miliardë lekë. Të ardhurat nga ndihmat Parashikimi i të ardhurave nga ndihmat për vitin 2014 është 8.5 miliardë lekë, bazuar në informacionet për projektet, të cilat pritet të financohen nga donatorët gjatë vitit 2014.

 

Taksa mbi banesat

Edhe pse duhet të mblidhet nga administrata e pushtetit vendor, taksa e ndërtesës, akoma nuk është përvetësuar nga “kultura fiskale” e pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë.

Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, treguesit e të ardhurave të taksës mbi pasurinë, për vitin 2013 rezultojnë të jenë në vlerën e 2.4 miliardë lekëve, një shumë modeste kjo duke pasur parasysh numrin e ndërtesave në vendin tonë. Edhe pse ndërtimi mori një hov të madh zhvillimi pas viteve ’90, shumica e tyre janë ndërtuar pa leje, çka do të thotë se nuk janë të regjistruara dhe si pasojë nuk mund të paguajnë një taksë të tillë.

Janë ndërmarrë një sërë politikash dhe ngritur institucione, të cilat nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në gjithë këto vite, duke sjellë dhe “mungesën” e fondeve nga taksa të tilla në buxhetin e shtetit. Ndërkohë për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit, nga taksa e ndërtesës, është hedhur ideja që në faturën e energjisë apo ujit të konsumatorëve, mund t’u bashkëngjiten si detyrim për t’u paguar edhe taksa për banesat. Pavarësisht debateve dhe qëndrimeve të ndryshme, në këtë pikë kampet politike janë bashkuar, rreth nevojës së mbledhjes së kësaj takse, si një burim i pashfrytëzuar në 23 vitet e fundit.

Ndërsa referuar paketës së re fiskale, taksa për banesat unifikohet duke u rritur nga 15 lekë për metër katrorë që është aktualisht, në 30 lekë, çka pritet të rrisë gjatë këtij viti dhe të ardhurat nga kjo taksë. Edhe pse kjo taksë ekziston ligjërisht prej vitesh, mbledhja e saj mbetet në nivele të ulëta. Shkak për këtë nivel të ulët arkëtimi është edhe fakti se një pjesë e mirë e banesave nuk janë të legalizuara. Ndaj në këtë pikë, po shqyrtohet gjetja e një skeme të përshtatshme që përfshin të gjithë pronarët e ndërtesave, pavarësisht statusin ligjor të saj.

(marrë nga revista “Monitor”)

Share it :