Barcelona përballë së vërtetës me emrin Siti/ Katalanasit do të ndeshen në mbrëmjen e sotme me Mançester Sitin në një takim që do të përmbajë shumë emocione

Anglezët do të vuajnë pak, pasi ata do të luajnë pa praninë e Agueros, i cili nuk do të jetë, për shkak dëmtimi

 

Barcelona+V+Manchester+City+Joan+vDd4NgJoK_elNë mbrëmjen e sotme fillonon edhe magjikja Liga e Kampioneve. Turneu prestigjioz evropian kishte disa kohë që mungonte, por tashmë kthehet më i bukur se kurrë. Kujtojmë se tashmë liga evropiane është futur në një fazë tepër delikate. Kjo, pasi tashmë luhen përballjet me eliminim. Në këtë fazë krijohet edhe më mirë një ide se cilët mund të jenë pretendentët që do të tentojnë të rrëmbejnë trofeun. Sot janë dy sfida shumë interesante. Katalanasit do të ndeshen kundra “Citizens” të Pelegrinit, ndërsa gjermanët e Bajer Leverkusenit do të përballen me parisienët. Dy sfida që do të rezervojnë shumë surpriza dhe premtojnë spektakël. Një ndër sfidat më të rëndësishme të gjithë kësaj faze është edhe përballja midis Barcelonës dhe Mançester Sitit. Një ndeshje që pritet me shumë interes, pasi të dyja skuadrat luajnë një futboll mjaft të bukur. Siti këtë vit është një skuadër më e fortë dhe shumë e konsoliduar. Duket se Pelegrini ka qenë edhe ilaçi që i duhej. Përvoja e tij e ka kthyer ekipin e kaltër në një skuadër mjaft të bashkuar. Një përmirësim ky që e ka treguar veten edhe në rezultatet që ka arritur skuadra në kampionat. Skuadra e sheikëve shquhet mjaft për numrin madh të golave që shënon dhe është mjaft e frikshme edhe në fazën mbrojtëse, ndërsa për Barcelonën nuk ka nevojë për shumë fjalë. Katalanasit pas disa vitesh në mbizotërimin e arenës nuk janë më e njëjta skuadër, mirëpo kjo nuk do të thotë që ata janë akoma shumë të fortë. Të rrezikshëm në sulm, por problemi i vetë qëndron në fazën mbrojtëse. Skuadra me Mesin, Nejmarin dhe Iniestën të kthyer do të mundohet që të bëjë surprizën. Një fitore që do t’u dërgonte mesazh kundërshtarëve për forcën që ruajnë katalanasit.

 

Fabregas: Jo frikë nga Siti

Mesfushori i Barcelonës, Çesk Fabregas, është shprehur se ai ka respekt për Mançester Sitin, por nuk ia ka aspak frikën aftësisë së tyre golashënuese. Klubi anglez kaloi shifrën prej 100 golash në muajin e kaluar vetëm në ndeshjen e 34 sezonale. “Një futbollist asnjëherë nuk shqetësohet për një ndeshje. Duhet të luash me pasion, me përkushtim, me vendosmëri dhe të duash ta fitosh ndeshjen. Mendoj se Siti është një skuadër e shkëlqyer. Ata po luajnë mirë në Ligë, po luajnë mirë edhe në Evropë këtë vit dhe do të jetë një ndeshje mjaft konkurruese. Ndeshje e bukur për t’u shikuar nga tifozët, prandaj jam i entuziazmuar. Ne duhet të jemi shumë të fortë, sidomos në mbrojtje. Kemi vuajtur paksa kohët e fundit, sepse ekipet na sulmojnë vetëm dy ose tri herë gjatë ndeshjes dhe marrin shumë më tepër nga sa meritojnë”, – është shprehur Çesk.

 

 

Pelegrini: Aguero, jashtë fushës kundër Barçës

Manuel Pelegrini ka konfirmuar se Serxho Aguero nuk do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë ndaj Barcelonës të martën mbrëma. Ndërsa strategu kilian nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin kryesor, ai ndërkohë ka menduar edhe për zgjidhjen e këtij problemi. Argjentinasi u lëndua në ndeshjen ndaj Totenhemit në muajin janar, ndërsa në javën e kaluar, Pelegrini deklaroi se pret kthimin e tij për ndeshjen e madhe, por duket se tashmë 25-vjeçari nuk do të luajë. Tekniku në konferencë u shpreh: “Aguero nuk bën pjesë në listën e skuadrës. Do të shohim nëse do të mund të luajë të shtunën ndaj Stoke, por është vështirë”. Sulmuesi i Sitit ka shënuar 26 gola në 25 paraqitje këtë sezon, duke përfshirë edhe gjashtë gola në Ligën e Kampioneve. Nga ana tjetër, trajneri shpreson ta ketë në dispozicion mesfushorin Fernandinjo, i cili ka munguar në tri ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi muskulor. Gjithashtu ai u shpreh se Mançester Siti tashmë është klub më i madh se rivali Mançester Junajtid. Skuadra e kilianit është në garë për katër trofe këtë sezon, ndërsa ekipi i David Mojesit po kalon një nga periudhat më të këqija në histori të klubit. “Skuadra më e madhe tashmë është Siti, por nuk duhet t’i harrojmë vitet e fundit. Nëse e kemi parasysh vetëm këtë sezon, ka vetëm një klub në Mançester dhe ai është yni, por nuk duhet harruar çfarë ka bërë Junajtid në vitet e kaluara. Qëllimi ynë është që të zhvillohemi duke fituar shumë trofe, jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Ne po luftojmë për katër tituj këtë vit”, – ka thënë Pelegrini në konferencën për shtyp.

 

Kaka: Gati për Atletikon

 “Skuadra e Milanit është e gatshme dhe me vetëbesim të plotë para ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Atletiko Madridit”, – ka deklaruar Rikardo Kaka. Kuqezinjtë po kalojnë një sezon të keq në Serinë A, mirëpo ata mbrojnë nderin italian në garën më të madhe evropiane dhe të mërkurën mbrëma janë mikpritës të Atletiko Madridit për të zhvilluar ndeshjen e parë të 1/8 së finales. “Pas fitores së të premtes në kampionat ndaj Bolonjës, kemi vetëbesim dhe jemi të gatshëm për të mërkurën”, – ka shkruar braziliani në “Twitter”. Ai ka pranuar se kjo përballje ka rëndësi të madhe edhe në aspektin personal, pasi akoma nuk ka hequr dorë për të qenë në Kampionatin Botëror 2014. “Po bëj gjithçka që të mos mungoj. Do të shohim nëse do të jem pjesë e skuadrës”, – ka shtuar 31-vjeçari. Gjithashtu, ai ka folur edhe për lojtarët më të mirë, me të cilët është përballur. Mesfushori i Milanit, Kaka, ka zbuluar se Lionel Mesi dhe Zinedin Zidan janë futbollistët më të mirë me të cilët ai është përballur. Kaka po ashtu ka thënë se bashkëlojtari më i mirë me të cilin ka luajtur ka qenë Kristiano Ronaldo. Braziliani u përball disa herë me Mesin gjatë kohës së tij te Reali i Madridit, ku luajti krahas fituesit të “Topit të Artë”. Ndërkohë, Kaka kishte luajtur ndaj Zidanit më herët në karrierën e tij, kur Brazili ishte përballur me Francën. “Lojtarët më të mirë, ndaj të cilëve kam luajtur, kanë qenë Zidan dhe Mesi. Më i miri me të cilin kam luajtur ishte Kristiano Ronaldo. Mbrojtësi më i fuqishëm kundër të cilit ose me të cilin kam luajtur ka qenë Paolo Maldini”, – ka deklaruar Kaka gjatë një seance pyetjesh dhe përgjigjesh përmes faqes zyrtare të Milanit në “Twitter”.

 

 

Rumenige: Guardiola, i veçantë në llojin e tij

Drejtori i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, thotë se ai nuk ka pasur rastin të takojë ndonjë trajner tjetër si Pep Guardiola gjatë karrierës së tij të lidhur me futbollin. Ish-menaxheri i Barcelonës mori nën drejtim bavarezët gjatë verës dhe ata ende nuk kanë shijuar ndonjë disfatë këtë sezon në Bundesligë. Skuadra kryeson me 16 pikë ndaj Bajer Leverkusenit duke treguar edhe një herë tjetër diferencën që kanë si klube. Me punën e tij është i impresionuar edhe kryetari i bordit të klubit gjerman, që foli me superlativa për spanjollin. “Kurrë s’kam parë një trajner si ai dhe jam afër duke mbushur 40 vjet te Bajerni. Ky person e përgatit skuadrën deri në detajet e fundit: taktikisht, fizikisht, mendërisht. Ai ka një plan shumë të qartë se si lojtarët duhet të sillen jashtë fushe. Kjo është ajo çfarë më pëlqente te Barcelona, lojtarët e tyre nuk janë arrogantë”, – është shprehur gjermani.

 

 

Maradona viziton Junajtidin në Dubai, foto me Januzajn

Diego Armando Maradona ka vizituar Mançester Junajtidin gjatë përgatitjeve në Dubai dhe ka bërë fotografi me disa futbollistë të kampionit të Premier Ligës. Në mesin e tyre edhe Adnan Januzaj. Ylli i ri i Mançester Junajtidit është takuar me një prej futbollistëve më të mirë në histori. Mesfushori kosovar ka bërë një fotografi me legjendën e Argjentinës gjatë një vizite të këtij të fundit tek skuadra kampione e Premier Ligës, e cila ka udhëtuar në Dubai për të kaluar disa ditë të përgatitjeve në kushte të ngrohta klimatike. Maradona ka bërë fotografi edhe me disa futbollistë të tjerë të skuadrës, në mesin e tyre edhe përforcimi më i shtrenjtë në histori të klubit, Huan Mata.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :