Ervin Kaduku
Dy shtetet fqinje nuk po arrijnë të gjejnë një rrugë tregtare të përbashkët, pavarësisht nga shkurtimit i distancave fizike
Eksportet drejt shtetit të pavarur të Kosovës shënuan rënie, për herë të parë që prej vitit 2007, kohë kur u shpall pavarësia e tij. Ky element, së bashku me ndërtimin e rrugës Durrës Kukës pritet t’i jepte një hov marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Por, sot, pas gjashtë vitesh, kur shteti i Kosovës po feston gjashtë vjetorin e pavarësisë, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve paraqiten zhgënjyese.
Sipas INSTAT-it, në vitin 2013, eksportet shqiptare drejt Republikës së Kosovës kanë rënë me 7% me bazë vjetore, rezultati më negativ ky që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat. Kjo tendencë negative ka ndodhur në një kohë që totali i eksporteve shqiptare është rritur me 16% në 2013-n, me bazë vjetore.
Eksportet drejt Kosovës përbënin vetëm 7% të totalit të shitjeve tona jashtë vendit, duke e renditur atë në partnerin e katërt tregtar, nga i treti që kishte qenë një vit më parë.
Barrierat jo tarifore (çmimet e referencës, pengesat në doganë) rezultojnë të kenë qenë faktori kryesor që ka ndikuar në këtë performancë negative.
Sipas INSTAT, tkurrje përgjatë 2013-s, kanë shënuar eksportet e makinerive pajisjeve e pjesëve të këmbimit (që kanë dhënë ndikimin kryesore në rënien totale të eksporteve drejt Republikës së Kosovës) si dhe ato të mineraleve e produkteve qeramike e qelqit.
Konsumi do të vijojë të mbetet i ulët
Konsumi i ulët i individëve apo edhe i bizneseve ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike vitet e fundit, që kulmoi në 2013 me një zgjerim të pritshëm vjetor të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nën 1%. Ministria e Financave, në programin e saj afatmesëm prêt që konsumi të jetë i ulët dhe në 2014, për t’u zgjeruar më pas në mënyrë të moderuar në vitet në vijim. Sipas Financave, konsumi final parashikohet të rritet në terma reale me një normë mesatare vjetore prej 1.5% gjatë periudhës afatmesme në vijim (2014-2016). Në mënyrë të veçantë, rritja reale e konsumit parashikohet në 0.2% në vitin 2014 duke kontribuar me 0.2 pikë përqindje në rritjen ekonomike për këtë vit. Gjatë vitit 2015 rritja e konsumit parashikohet të përshpejtohet në 1.5%, duke kontribuar me rreth 1.3 pp në rritjen reale ekonomike të përgjithshme dhe të rritet me 2.7% në vitin 2016 duke kontribuar me 2.3 pikë përqindje. Investimet (Formimi Bruto i Kapitalit Fiks) gjatë 2014-2016 parashikohet të përjetojnë një rritje vjetore mesatare reale prej 1.5%. Në vitin 2014 investimet parashikohet të tkurren me -0.4 % në terma realë duke kontribuar me -0.1 pp në rritjen e PBB. Tkurrja është rrjedhojë e nivelit më të ulët të investimeve publike krahasuar me vitin 2013 prej rreth 9.9% më pak, ndërsa investimet private parashikohen të rriten me rreth 2.3% në terma realë. Në vitin 2015 investimet totale parashikohet të rritet me 4.3% duke kontribuar me 1.2 pp. Në vitin 2016 investimet janë parashikuar të rriten me 5.8% me një kontribut prej 1.0 pikë përqindjeje në rritjen reale ekonomike. Eksporti neto i mallrave dhe shërbimeve parashikohet të vazhdojë përmirësimin e bilancit të tij neto gjatë periudhës afatmesme, Është parashikuar që për vitin 2014 deficiti i mallrave dhe shërbimeve të përmirësohet me 12.2% në terma realë, duke kontribuar me 2.0 pikë përqindje në rritjen e PBB-së së parashikuar prej 2.1% për vitin 2014. Përmirësimi i balancës parashikohet të vijojë edhe në vitin 2015 me rreth 5.8% dhe me 2.0 % në vitin 2016, duke kontribuar përkatësisht me 0.8 pikë përqindje dhe 0.3 p.p. në rritjen ekonomike për këto dy vite. Përmirësimi i eksporteve neto parashikohet të vijë nga një rritje të qëndrueshme të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, por edhe nga ulja e importeve të mallrave dhe zëvendësimi i tyre me ato të prodhuara në vend. Ndryshimet në inventar janë supozuar me një kontribut neutral (zero pp) në kërkesën agregate dhe rritjen reale të PBB-së, sipas Ministrisë së Financave.
Drejt një tregu të liberalizuar të energjisë pas 10 muajsh
Miratimi i ligjit të ri i ri për sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri dhe modeli i ri i tregut të energjisë këtë vit pritet t’i hapin rrugën liberalizimit të mëtejshëm të tregut të energjisë, i planifikuar të funksionojë nga 1 janari 2015. Aktualisht në prodhim janë gjithsej 74 hidrocentrale. Me këto masa ligjore, Shqipëria hap plotësisht tregun e energjisë duke plotësuar objektivat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Në vitin 2013 si detyrim për liberalizimin e tregut të prodhimit të energjisë elektrike me operatorët privatë u lidhën 47 kontrata të reja për ndërtimin e 112 HEC-ve me vlerë totale rreth 454,1 milion euro. Ndërsa sivjet parashikohet të hyjnë në prodhimin e energjisë rreth 17 HEC-e vendore. Në total janë firmosur 168 kontrata koncesioni për ndërtimin e 441 HEC-eve vendore. Vënia në përdorim e këtyre hidrocentraleve garanton sigurinë e furnizimit me energji elektrike në tregun vendas si dhe një pjesë e energjisë të shitet në tregun rajonal. Në kuadër të hapjes së tregut të energjisë, janë bërë investime për rritjen e kapaciteteve të rrjetit të transmetimit dhe interkonieksionit, ku spikat marrëveshja për ndërtimin e linjës së interkonieksionit Shqipëri-Kosovë dhe marrëveshja e financimit me KfW. Sfidat kryesore për periudhën 2014 -2016 synojnë përmirësimin e strukturës së furnizimit me burime primare energjetike, rritjen e kapacitetit gjenerues në vend, zvogëlim të humbjeve në rrjet, rritje të mëtejshme të kapaciteteve të shkëmbimit të energjisë me vendet e rajonit, lidhjen me rrjetin ndërkombëtar të gazit, liberalizimin e plotë të tregut të energjisë etj.
Linja me Maqedoninë
Shqipëria synon rritjen e numrit të linjave të interkonieksionit me vendet fqinjë, ndaj sivjet parashikohet të nënshkruhet një marrëveshje për këtë qëllim me Maqedoninë. Burime nga ministria e Energjetikës bëjnë të ditur se sivjet do të punohet për identifikimin e burimit të financimit për këtë linjë të re energjetike, që Shqipërisë i krijon mundësitë për hapje të mëtejshme të tregut rajonal të energjisë.
Paralelisht me fuqizimin e kapaciteteve të interkonieksionit, gjatë vitit do të vijojnë projektet që mbështesin fuqizimin e sistemit kombëtar të transmetimit përmes investimeve në fuqizimin e linjave ekzistuese dhe ndërtimin e linjave të reja për të rritur kapacitetet transmetuese dhe stabilitetin e furnizimit në vend.
Ndër linjat kryesore janë projekti i Unazës së Jugut, linja 220 kV Tirana 2-Rrashbull dhe Elbasan-Fier.
Biznesi, pakënaqësi ndaj administratës fiskale
Pavarësisht nga angazhimet e bëra herë pas here nga përfaqësues të qeverisë, marrëdhëniet e administratës fiskale me biznesin nuk po arrijnë të normalizohen. Tashmë janë përgatitur e miratuar paketa fiskale, janë amenduar ligje e VKM, por pak gjë ka ndryshuar. Përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët aderojnë pranë “Biznes Albanias” kërkuan dje që kontrollet e administratës tatimore të mos jenë selektive, duke lënë të kuptohet se një fenomen i tillë vijon të jetë prezent. Kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, u shpreh gjatë një takimi me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Brisejda Shehaj se administrata tatimore duhet të tërhiqet nga proceset gjyqësore të fituara nga bizneset në apelim, kryesisht referuar gjobave. Por, nga ana e saj, Shehaj theksoi se tashmë marrëdhëniet mes biznesit dhe tatimeve janë futur në një fazë të re reformimi, por edhe bashkëpunimi, duke përmendur se kohët e fundit janë zbuluar raste të mashtrimit nga ana e subjekteve të caktuara tregtare me TVSH-në. Marrëdhëniet mes administratës së tatimeve dhe biznesit prej vitesh mund të etiketohen si të acaruara, dhe jo partneriteti siç duhet të jenë. Në shumë raste përfaqësues të organizatave të biznesit vendas dhe të huaj kanë apeluar për një përmirësim të sjelljes së administratës tatimore, pasi sipas tyre janë kontrolluar dhe gjobitur në mënyrë arbitrare. Një qëndrim të ngjashëm e kanë shprehur dje edhe përfaqësues të tjerë të biznesit në Kuvend. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese dhe Tregtinë zhvilloi dje një seancë dëgjimore me Shoqatën e Prodhuesve Mobilierë Shqiptarë. Anëtari i Shoqatës së Prodhuesve Mobilierë, Përparim Agimi, duke folur në Komision, ngriti shqetësimet për një sërë problematikash me të cilat përballen prodhuesit mobilierë si ndarja e tenderave, mosrimbursimi i TVSH-së etj. “Ne përballemi me shumë probleme e shqetësime. Kemi probleme me burokracitë gjatë eksportit dhe importit. Mosrimbursimi i TVSH-së ka rënduar gjendjen tonë. Ka probleme edhe me ndarjen e tenderave, pasi për tenderat e mëdhenj zgjidhet vetëm një prodhues. Tenderat nuk ndahen në bazë të specializimit të kompanisë. Referencat doganore nuk janë në favor të zhvillimit, por element nxitës i korrupsionit” tha ai. Sipas kreut të prodhuesve mobilarë, iformaliteti në tregun shqiptar duhet të marrë menjëherë zgjidhje, ndërsa shtoi se mungesa ka edhe në fuqinë punëtore si rezultat i mungesës së shkollave profesionale.




