Vendimi/ Vrau për një gërvishtje makine, dënohet 16 vite burg Besart Lataj

Sonja Caka

 

Gjykata veçoi gjykimin për babanë dhe vëllanë e të pandehurit. Viktima Erion Lila ishte zënë më parë me babanë e të pandehurit

 

vendimiBesart Lataj, një ndër tre personat e akuzuar për vrasjen e të riut Erion Lila për një gërvishtje makine, është dënuar me 16 vite burg nga Gjykata e Tiranës për këtë krim të kryer në bashkëpunim me vëllain dhe babain. Bazuar në dispozitivin e vendimit të Gjykatës, 28-vjeçari është dënuar me 24 vite burg nga trupa gjyqësore, por që për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar iu ul një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 16 vite burg. I pandehuri është vënë në pranga 10 muaj pas krimit të ndodhur në janar të vitit të kaluar, ndërsa qysh në seancën e parë ka kërkuar përmes avokatit që ndaj tij të aplikohet gjykimi i shkurtuar, ndërsa babai dhe vëllai, bashkëtëpandehur kërkuan të procedoheshin me gjykim të zakonshëm. Kjo kërkesë u pranua nga prokurori dhe togat e zeza, çka bëri që 28-vjeçari t’i shpëtojë dënimit prej 24 vitesh burg.

 

Akuza

 Sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri Besart Lataj akuzohet se ka vrarë me thikë 22-vjeçarin Erion Lila. Ngjarja për të cilën akuzohen familjarët Lataj ka ndodhur më 17 janar të vitit të kaluar në rrugën “Siri Kodra”, në Tiranë, pas një konflikti banal për një gërvishtje makine mes babait të të pandehurit dhe viktimës. I pandehuri akuzohet se në bashkëpunim me babain e tij, Sherif Lataj, dhe vëllain Sebastjan Lataj, kanë vrarë me sende të forta dhe thikë, 22-vjeçarin Erjon Lila. Ndaj tij rëndon akuza e “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Mësohet se Erjon Lila ditën e krimit kishte qenë duke drejtuar automjetin e tij dhe për të shmangur një gropë të madhe, që ndodhej në mes të rrugës, i riu preu kthesën më gjerë se duhej, duke dalë në krahun e kundërt. Aty është ofenduar nga Sherif Lata me fjalë banale, pasi viktima i kishte ndërprerë rrugën. I riu i ishte kthyer në të njëjtën mënyrë dhe si pasojë e kësaj Sherifi nuk do ta falte. Sipas burimeve, ai do të kthehej pas një ore në zonën ku banonte Lila, së bashku me dy djemtë e tij, për ta rrahur deri në vdekje. Vëllezërit dhe babai i familjes Lataj e qëlluan me thikë, shqelma, grushte dhe më pas me levë pas kokë, duke i shkaktuar vdekjen pak kohë pas ngjarjes. Për krimin e rëndë, policia arrestoi Sherif dhe Sebastjan Lataj, babë e bir, ndërkohë shpalli në kërkim Besart Latajn, i cili u arrestua 10 muaj më pas.

 

Veçimi

 Gjykata e Tiranës ka veçuar gjykimin për dy të pandehurit e tjerë, Sherif dhe Sebastjan Lataj, të cilët mohojnë akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Erion Lilës dhe kërkuan të gjykohen me procedim të zakonshëm. Kjo dosje është duke u gjykuar nga një tjetër trupë gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, ndërkohë që është zhvilluar vetëm një seancë dhe pritet që sot të zhvillohet seanca e dytë për këtë çështje. Krimi është marrë përsipër nga djali tjetër i familjes, Besart Lataj, i cili u dënua me 16 vite burg për vrasjen e Erion Lilës nga trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Albert Meçe.

 

 

Konferenca

 Naço: Ndihmë ligjore falas për personat me aftësi të kufizuara

 “Aksesi në drejtësi është një faktor kyç për të siguruar mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë konferencës me temë “Aksesi në drejtësi: Një fokus i ri për nenet 12 dhe 13 të Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”. Ministri premtoi ndihmë ligjore falas për personat me aftësi të kufizuar. Ministri Naço bëri me dije se përpjekjet e deritanishme kanë synuar adresimin e gjetjeve të raport-progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2013 dhe se një ndër problematikat shqetësuese dhe të vazhdueshme ndër vite, ka qenë pikërisht pengimi i aksesit në drejtësi për shkak të tarifave të larta në gjyqësor. “Ne bëmë të mundur që në muajin nëntor 2013, të ndryshonte udhëzuesi për përcaktimin e tarifave të të gjitha shërbimeve të administratës gjyqësore, duke i reduktuar tarifat në masën 37% – 50%. Këto ndryshime bënë të mundur që më së fundi të rrëzohet një prej barrierave më të rënda të aksesit të qytetarëve në drejtësi. Gjithashtu përpara disa muajve kemi lancuar portalin online “Stop korrupsionit në drejtësi”, i cili bëri të mundur krijimin e një mënyre të re komunikimi të shqetësimeve dhe halleve të qytetarëve të shkaktuara nga veprimet e papërgjegjshme të zyrtarëve të shtetit. Përfshirja e personave me aftësi të kufizuar në kategorinë e subjekteve përftuese të këtij shërbimi ka qenë objekt i zbatimit të ligjit që garanton ofrimin e ndihmës juridike falas. Aktualisht, përbën prioritet për këtë institucion ngritja dhe funksionimi me eficencë të plotë në nivel lokal i Klinikave Ligjore të specializuara në ofrimin e ndihmës juridike, me qëllim ardhjen në ndihmë të shtresave në nevojë që nuk kanë mundësi ekonomike, por edhe fizike apo sociale të përballojnë distancën e vendbanimit të tyre me zyrat e komisionit në Tiranë”, – sqaroi Ministri Naço.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :