Sonja Caka
Dy vëllezërit Albert e Roland Daullxhiu dhe djali i njërit prej tyre, Emiljano, vranë Elson Fierzën në Institut
Një fjalë goje ka mjaftuar që mes dy të rinjve të niste një zënkë, e cila ka përfunduar me një viktimë. Emiljano Daullxhiu, vetëm një muaj pas lirimit nga burgu ka kryer një tjetër vepër penale, edhe më të rëndë se ajo për të cilën kishte kryer dënimin e parë, kësaj radhe i akuzuar për vrasjen e një fqinji. Gjykata e ka dënuar me 9 vite burg të riun e pandehur, për shkak të faktit se ka qenë minoren në momentin që ka kryer krimin, vrasjen me thikë të Elson Fierzës, ndërkohë që me nga 15 vite burg janë dënuar nga gjykata babai dhe xhaxhai i tij, konkretisht Roland dhe Albert Daullxhiu, të cilët kanë bashkëpunuar me të në krim. Gjykata më herët ka pranuar edhe kërkesën e avokatëve të tyre mbrojtës për të aplikuar gjykimin e shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrën uljen e 1 të tretës së dënimit. Përfundimisht ata janë dënuar me 26 vite burg në total.
Zënka
Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më datë 26.02.2013.I pandehuri Emiljano Daullxhiu, banor i katit të parë tek godina Nr.1 në Institutin Bujqësor Kamëz-Tiranë, ka dalë nga shtëpia dhe tek cepi i murit të godinës ka filluar të flasë në telefon me një shokun e tij. Në biseda me të, ai ka folur me zë të lartë dhe ka përdorur fjalë banale. Aty pranë ka kaluar shtetasi Elson Fierza, i cili i ka shprehur fjalët: “Mos fol me fjalë banale se kemi motra në këtë pallat”. I pandehuri Emiljano i është drejtuar me fjalët: “Kë ke motër ti këtu, ik se unë tani kam dalë nga burgu”. Në fakt, i pandehuri Emiljano kish qenë më parë i dënuar me burg për veprën penale të “Vjedhjes” të kryer në bashkëpunim dhe kishte rreth një muaj që kish dalë nga burgu. Midis tyre ka filluar konflikti dhe aty ka ndërhyrë i ati i Emiljanos, i pandehuri Roland dhe kështu konflikti nuk ka vazhduar më tej. I pandehuri Emiljano është takuar me djalin e xhaxhait të tij, deklaruesin Ermir Daullxhiu dhe shokun e djalit të xhaxhait dhe së bashku kanë shkuar për të pirë kafe. Në biseda, i pandehuri Emiljano i ka treguar kushëririt rreth konfliktit të ndodhur pak më parë dhe kur ai është pyetur se kush ishte personi me të cilin ishte grindur, i pandehuri duke mos e ditur, duke mos e njohur kohë më parë, nuk ka mundur t’i identifikojë personin. Më pas kanë shkuar dhe kanë luajtur bilardo.
Vrasja
I pandehuri Emiljano së bashku me kushëririn Ermir, pasi kanë përcjellë shokun e këtij të fundit, të dy së bashku po ecnin duke ju afruar banesës së të pandehurit. Në këtë moment përpara ju ka dalë Elson Fierza(viktima) i cili mbante në dorë një shkop gome në formë suste dhe pasi ju është afruar e ka goditur Emiljanon në krah. Në sherr ka ndërhyrë kushëriri për ta shuar atë, pasi njihte Elsonin. I pandehuri është nisur në drejtim të banesës së tij dhe ka marrë një shkop bejsbolli dhe kur ka dalë jashtë ka parë se babai i tij, i pandehuri Roland dhe xhaxhai i tij, i pandehuri Albert i ishin afruar Elson Fierzes dhe e godisnin me grushta në pjesë të ndryshme të trupit. I pandehuri Emiljano, i ndihmuar nga dy të pandehurit e tjerë ka goditur në fillim me shkopin e bejsbollit dhe më pas e ka goditur me thikë vetëm një herë. Pas goditjes, viktima Elson është larguar për disa metra, por është ndjekur nga të tre të pandehurit dhe është goditur me shkelm dhe më pas të pandehurit kanë shkuar në banesë. Shtetasi Elson është shtrirë përtokë dhe ka patur shumë hemorragji. Është nisur drejt Spitalit Ushtarak por rrugës ka ndërruar jetë.
Vendimi
Gruaja e kap duke folur me femër tjetër në telefon, burri e dhunon
E kap gruaja duke folur me një tjetër femër në telefon dhe në vend që të jepte një shpjegim lidhur me këtë situatë, burri rrëmben patericën e të atit dhe nis ta godasë pa pushim atë. U desh ndërhyrja e nënës së të dëmtuarës që t’ia hiqte nga duart dhëndërrit vajzën e saj dhe kjo e fundit të lajmërojë policinë për dhunën e ushtruar. Dosja mbërriti për hetim dhe gjykim dhe në përfundim, burri-dhunues u dënua nga gjykata me gjashtë muaj burg. Vendimi për të pandehurin Ylli Abdyli është dhënë nga Gjykata e Tiranës, pasi më parë ka pranuar edhe kërkesën e këtij të fundit për t’u gjykuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Para hetuesve, e dëmtuara Saimira Kalthi ka shpjeguar se ka rreth 3 vjet e gjysëm që bashkëjeton me të pandehurin Ylli Abdyli dhe nga kjo bashkejetesë kanë një fëmije të quajtur B. Kalthi. Sipas saj, në datën 23 korrik të vitit të kaluar, në orët e pasdites, në një lokal ku ishin ulur për të konsumuar një kafe, ka filluar një zënkë mes tyre për shkak se e dëmtuara ka parë të pandehurin që po fliste në telefon me një femër. E dëmtuara është nervozuar dhe i ka kërkuar llogari se cila ishte ajo që po fliste me të në telefon dhe i ka bërë të qartë se që nga ai moment ai nuk kishte më punë me të. Në këto rrethana, i pandehuri ka marrë patericën e babait të tij dhe e ka qëlluar të dëmtuarën në pjesë të ndryshme të trupit. E dëmtuara ka arritur të largohet dhe ai e ka ndjekur deri tek banesa e saj, e ka arritur, e ka shtyrë të dëmtuarën dhe pasi ajo ka rënë përtokë, e ka goditur me paterica në kokë, duke i shkaktuar dëmtime fizike që futen në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë humbjen e aftësisë për punë. Për të ndihmuar të dëmtuarën ka ndërhyrë nëna e saj, shtetesja Marije Kalthi dhe më pas është njoftuar për të ndërhyrë policia.




