Florenc Drizari
“Të enjten, në orën 14.00, në 23 vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, kemi thirrur në Tiranë marshimin e madh të protestës popullore kundër mashtrimeve të Ramës dhe Metës”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftoi të djelën të rinjt e kryeqytetit t’i bashkohen protestës së opozitës më datën 20 shkurt. Gjatë aktivitetit të PD-së të zhvilluar në Tiranë, Basha tha se kjo protestë do të mbahet për ti përcjellë me një bashkimi qeverisë Rama-Meta, mesazhin dhe paralajmërimin se paligjshmëria dhe mashtrimet sipas tij, opozita dhe qytetarët i refuzojnë.
“Të enjten, në orën 14.00, në 23 vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, simbolit të diktaturës, shtypjes, izolimit dhe mashtrimit, kemi thirrur në Tiranë marshimin e madh të protestës popullore kundër mashtrimeve dhe dështimeve të Ramës dhe Metës. 20 shkurti i vitit 1991 është gdhendur në histori në kujtesën tonë kolektive, në ndërgjegjen kolektive të të gjithë shqiptarëve të lirë si dita e madhe e rinisë së Tiranës, dita e madhe e Tiranës Demokratike që hoqi e para nga toka e saj monumentin e diktatorit, që bëri e para ndarjen e madhe dhe drejtësinë e madhe me të djeshmen e robërisë dhe mjerimit, hapjen e madhe dhe bashkimin e madh me të ardhmen pa diktaturë, pa izolim, pa shtypje dhe pa mashtrime”,-deklaroi Basha.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së, tha se kjo protestë vjen edhe si përkujtim i ditës simbolike të rrëizimit të bustit të Hoxhës në Tiranë, por edhe si pasojë e situatës së vështirë ekonomike që po kalon vendi. Situatë për të cilën ai fajësoi krerët e aleancës së majtë, Rama – Meta.
“Nuk është rastësi që sa më shumë godasin në xhepat, tavolinat, buxhetet familjare dhe standardin e jetesës së shqiptarëve, e politikat ekonomike konfuze, klienteliste, të gabuara e të pakokë, të papërgjegjshme dhe të gabuara të qeverisë, sipas bindjes sonë, aq më shumë rinia dhe jo vetëm rinia kërkojnë angazhim, kërkojnë përballje, kërkojnë ballafaqim qytetar, politik dhe demokratik me qeverinë dhe qeveritarët, kërkojnë rrugëdalje nga dara e krizës dhe përkeqësimit që vetëm shtrëngohet si një mallkim nën tamtamat propagandistike të dyshes Rama-Meta”,-deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Gjithashtu kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, u ndal edhe tek procesi i anëtarësimeve të reja në PD. Basha tha se afrimi i rinësë në PD tregon një mesazh që rinia nuk pranon qeverisje aktuale si dhe mbështet vlerat e së djathtës.
“Mirëserdhët në shtëpinë tuaj të lirisë, e cila prej këtij çasti është e do të jetë përgjithnjë shtëpia juaj politike. Kjo është shtëpia e përgjegjësisë gjithashtu dhe unë e di mirë se për këtë keni vendosur të bashkoheni me Partinë Demokratike parasëgjithash: për të marrë përgjegjësi sot në opozitë, nesër në qeverisje dhe kështu në vazhdimësi. Prandaj ju them po ashtu: mirëserdhët në shtëpinë politike të përgjegjësisë dhe njerëzve të përgjegjshëm. Rinia po vjen sot dhe kjo do të thotë se demokracia jo vetëm nuk mund ta ulë kokën, siç ëndërrojnë oligarkët e sotëm në qeveri, por po përgatit që tani një nisje të re të fuqishme nëpërmjet një Partie Demokratike të bashkuar e të ripërtërirë. Po hipotekon qysh tani një të ardhme të re që do të jetë Demokracia e re”,-tha Basha.
Ai e quajti këtë një zgjim të rinisë shqiptare, “një reagim i pazakonshëm i saj ndaj kursit të pandalshëm të përkeqësimit dhe rreziqeve që ka instaluar qeveria Rama-Meta”.




