FLORENC DRIZARI
PD: Nuk kemi marrë njoftim zyrtar. Presim zbardhjen e vendimit të Gjykatës
Gjykata Kushtetuese rrëzon aktin normativ të qeverisë për shtyrjen e afateve me 6 muaj kohë të ligjit për nëpunësin civil. Edhe pse ende nuk konfirmohet zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese, burime nga kjo Gjykatë, por edhe brenda partive politike, konfirmojnë vendimin e marrë kundër aktit normativ.
Vendimi i Gjykatës Kushtetues duket se është mbështetur në argumentin se akti i qeverisë për ligjin e nëpunësit civil bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe për këtë shpalli shfuqizimin e tij, edhe pse zbardhja e vendimit pritet të bëhet në ditët në vijim. Mësohet se gjyqtarët kanë vendosur ta konsiderojnë aktin si të papajtueshëm me Kushtetutën, duke pranuar argumentimin e Partisë Demokratike. Ishte kjo e fundit që ankimoi rreth dy muaj më parë vendimin e qeverisë.
Rrëzimi i këtij akti nga Kushtetuesja lë në fuqi ligjin ekzistues që është miratuar me konsensus të gjerë parlamentare në pranverën e këtij viti, pak kohe para zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin qendror. Sipas konsensusit të palëve në atë periudhë, ligji pritej të hynte në fuqi në datën 1 tetor të këtij viti. Por para se ky draft të hynte në fuqi, qeveria ndërmori nismën për miratimin e një akti normativ me fuqinë e ligjit për të shtyrë me gjashtë muaj kohë afatet e veprimit, duke argumentuar se gjatë kohës së qeverisjes së djathtë, në tranzicionin e pushtetit pas 23 qershorit, nuk ishin miratuar aktet e nevojshme administrative që do të bënin të mundur mirëfunksionimin e këtij ligji.
Aktualisht, vendimi i Kushtetueses pritet të hapë një debat jo vetëm politik, por edhe juridik, ndërkohë që do të shihet edhe se cili do të jetë reagimi i mazhorancës për këtë çështje. Më herët, opozita e ka kundërshtuar fort qëndrimin e mazhorancës socialiste, duke thënë se ky akt po merret për filluar procesin e shkarkimeve nga puna në administratën publike. Për disa ditë me radhë kryetari i Partisë Demokratike si dhe përfaqësues të tjerë të së djathtës, por edhe të opozitës në tërësi, kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë duke e quajtur atë një akt antikushtetues. Marrja e një vendimi të tillë sipas demokratëve minoi konsensusin e muajit maj mes të gjithave forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë, duke hapur një precedent të ri që nuk ishte parë gjatë këtyre dy dekadave të pluralizmit politik në vendin tonë. Por nga ana e tyre përfaqësuesit e qeverisë kanë argumentuar se ishin përfaqësuesit e sektorit të administratës publike ata të cilët vunë në lëvizje ekzekutivin, duke paralajmëruar mungesën e akteve nënligjore. Për këtë Kryeministri Rama si dhe përfaqësues të tjetër të qeverisë akuzuan krerët e së djathtës që qeverisnin para 23 qershorit, se e lanë qëllimisht ligjin pa akte nënligjore, të domosdoshme sipas tyre për të qenë funksional pas datës 1 tetor. Disa herë në Kuvendin e Shqipërisë palët kanë debatuar ashpër për orë të tëra, ku opozita nga ana e saj ka ngritur akuza se akti është antikushtetues dhe do përdorej për shkarkime masive në administratë, ndërsa krerët aktual të qeverisë, kanë thënë se ligji nuk është funksional pa aktet nënligjore. Çështja shkoi deri në zyrat e Bashkimit Evropian, ku në parim përfaqësues të Brukselit i dhanë të drejtë qeverisë për të marrë vendimi në të mirë të vendit dhe shoqërisë. Akti normativ i qeverisë kaloi në filtrat e Kuvendit të Shqipërisë dhe u miratua po me shumicë të thjeshtë votash, ndërkohë që opozita braktisi votimin. Lidhur me kundërshtimet e saj për aktin normativ të qeverisë, Partia Demokratike depozitoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese duke kundërshtuar themelin e aktit dhe për pasojë shpalljen e tij të pavlefshëm. Gjithashtu akti normativ i Këshillit të Ministrave për shtyrjen e efekteve ligjore me 6 muaj kohë të ligjit për nëpunësin civil, u refuzua edhe nga kreu i shtetit. Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk pranoi ta dekretonte këtë ligj, duke e quajtur atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Presidenti Nishani kthen aktin normativ
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ktheu disa javë më parë për rishqyrtim në Parlament aktin normativ të qeverisë, që shtyu me gjashtë muaj zbatimin e ligjit “Për nëpunësin civil”.
“Arsyeja kryesore për të cilën vendosa të mos e shpall këtë ligj dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim, bazohet në respektimin e parimit shumë të rëndësishëm të hierarkisë së normës juridike. Si akt me fuqi juridike të posaçme, ligji zë vendin më të lartë (pas Kushtetutës) në hierarkinë e akteve ligjore, ndaj si i tillë ai duhet ndryshuar apo shfuqizuar vetëm nëpërmjet një ligji tjetër, dhe aspak, në gjykimin tim, nëpërmjet një akti normativ. Krijimi i precedentëve të tillë, do të vinte në pikëpyetje rendin juridik dhe shtetin e së drejtës”, – deklaroi pak javë më parë Presidenti Nishani, në letrën drejtuar deputetëve.
Braçe: Ata që më kërkuan votën të binden që Kushtetuesja s’i shërben publikut
“Kisha të gjithë të drejtën e mundshme kundër Gjykatës Kushtetuese!” Kështu e nis komentin e tij deputeti i PS-së, Erion Braçe, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Z. Braçe thotë se një pjesë e mirë e trupës së Gjykatës Kushtetuese nuk i shërben publikut, ligjit, por Partisë Demokratike. Gjithashtu deputeti Braçe kërkon shpjegime nga ata që e detyruan, sipas tij, të votonte për rizgjedhjen e kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja pak javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë votimit të tij në Kuvend, Braçe ishte kundër dhe për këtë grupi Parlamentar i PS-së ka marrë disa minuta kohe pushim para votimit. Nga zbardhjet e bisedave që dolën më pas, z. Braçe ka qenë kundër rizgjedhjes së Dedes në krye të Gjykatës Kushtetuese. Në një koment të tijin të publikuar në rrjetin social “Facebook”, deputeti Braçe është nga të parët ligjvënës që komentoi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar mazhorancës ta bëjë të zbatueshëm ligjin dhe ta miratoi atë sërish me 84 vota.
“Nuk kam arsye të mos e besoj lajmin e përhapur nga PD së Gjykata Kushtetuese ka rrezuar Aktin Normativ. Jo se i besoj argumentit politik (juridik nuk kishte) të saj, por sepse PD e zotëron gjithnjë Gjykatën Kushtetuese! Këtë paralajmërova një muaj më parë në Kuvend kur kryetari i Gjykatës u soll për t’u rivotuar në Kuvend.
Sot, ata që më kërkuan të votoja, në mazhorancë duhet të binden njëherë e mirë që ajo shumicë gjyqtaresh atje nuk i shërben Kushtetutës, ligjit, publikut, por një pjese Partisë Demokratike e një pjesë “ia dedikojnë karrierën Zenit”.
Pa panik! Mazhoranca duhet t’i kthehet ligjit, ta ndryshoje atë, ta bëj të zbatueshëm dhe natyrisht ta votojë me 84 vota në Kuvend!!”, – ka deklaruar Erion Braçe.
Kastriot Islami
Gjykata Kushtetuese shpall antikushtetues aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil… Në ditët në vijim do të shikojmë vendim e zbardhur…
Fatbardh Kadilli
Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ të qeverisë për ndryshimin e ligjit për shërbimin civil. Një fitore shumë e rëndësishme politike për PD-në, por një fitore shumë më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, pasi fitoi ligjshmëria.
Reagimi
Halimi: Nuk kemi marrë njoftim zyrtar
Pas publikimit të lajmit në disa media mbrëmjen e djeshme, PD nuk e konfirmon vërtetësinë e lajmit. I kontaktuar nga gazeta “Standard”, ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halmi, tha se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, tha ai edhe grupi parlamentar i PD-së nuk është njoftuar zyrtarisht nga kjo Gjykatë. “Kur ta shpallë Gjykata vendimin do të kemi komentet tona. Tani nuk e dimë. As unë dhe as grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk kemi një njoftim zyrtar nga Gjykata”, – u shpreh Halimi. Më herët ka qenë deputeti demokrat Eduard Halimi, i cili ka dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetues aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil. Gjithashtu, z. Halimi ka qenë edhe përfaqësues ligjor i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese, së bashku me juristin Ivi Kaso.
Ja si e argumenton qeveria shtyrjen e nëpunësit civil
Qeveria: Ligji krijonte kosto financiare që nuk ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2013
Një ditë para hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil më datën 1 tetor, qeveria ndërmori një vendim për miratimin e një akti normativ me fuqinë e ligjit, për të shtyrë efektet vepruese të ligjit me gjashtë muaj kohe. Vendimi i qeverisë argumentonte se ligji ekzistues nuk është i plotësuar me aktet nënligjore që bëjnë të mundur mirëfunksionimin e ligjit ekzistues, për të cilët palët kishin rënë dakord ta votonin më 30 maj të këtij viti në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Në relacionin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave thuhet se ligji kishte një kosto financiare të papërballueshme për qeverinë. Në aktin e hartuar nga ekzekutivi nuk flitet se sa është kostoja financiare në buxhet dhe as për lirime nga vendet e punës, por vlerësohet domosdoshmëria e shtyrjes së hyrjes në fuqi të efekteve të ligjit për t’u plotësuar me akte nënligjore, duke parashikuar kostot për buxhetin e vitit 2014.
Sipas relacionit të qeverisë, ligji nr. 152.2013 krijon pasoja financiare për buxhetin e shtetit, pasoja të cilat nuk janë parashikuar në ligjin nr. 119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”.
Referuar neneve 2, 3 dhe 4, të ligjit nr. 152/2013, thuhet në draftin e qeverisë, rezulton se statusi i nëpunësit civil do të shtrihet edhe për nëpunës të tjerë të administratës që më parë nuk e gëzonin. “Numri i nëpunësve civilë, bazuar në skemën aktuale të strukturave/organeve të institucioneve të administratës publike, të cilat sipas ligjit nr. 152/2013 përfshihen që më 1 tetor 2013 në shërbimin civil, rritet nga 6 000 në rreth 20.000. Pra, numri i nëpunësve civilë rritet me më shumë se trefish dhe kjo mund të shoqërohet me efekte financiare, të cilat do të bëhen barrë për buxhetin e shtetit. Gjithashtu, programi qeveritar parashikon reformimin strukturor në vend me qëllim që të kemi një frytshmëri më të madhe të adresimit të çështjeve në vend. Jo vetëm ndryshime institucionale strukturore, por edhe ndryshime që lidhen me formën administrativo-territoriale që është duke u hartuar, do të sjellin ndikime financiare, të cilave do t’u shtohen edhe ndikimet financiare për shkak të përfshirjes së institucioneve në shërbimin civil. Përfshirja në shërbimin civil do të thotë kosto më të madhe administrative për realizimin e çdo aspekti që lidhet me marrëdhënien e punës, si për shembull trajnimi, vlerësimi i punës, lëvizjet paralele apo ngritjet në detyrë, ashtu si edhe qëndrueshmëria në lidhje me rastet e ristrukturimeve të institucioneve, pjesë e shërbimit civil, etj. Hyrja në fuqi e ligjit nr. 152/2013 që në datën 1 tetor 2013 nënkupton marrje e të gjitha masave për realizimin e rekrutimeve, lëvizjeve paralele, ngritjeve në detyrë etj. Të cilat pra në vetvete kërkojnë mbështetje financiare të paparashikuara në buxhetin e vitit 2013”, – thuhet në relacionin shpjegues të aktit normativ.
Po në këtë draft argumentohet se “departamenti i administratës publike arsyeton se nuk ka kapacitetin e nevojshëm infrastrukturor dhe njerëzor për përballimin, organizimin dhe zhvillimin e institucioneve të shërbimit civil. Për këtë është e nevojshme që të parashikohen zëra të tjerë në buxhetin e shtetit me qëllim krijimin e kësaj infrastrukture si dhe shtimin e personelit përkatës. Këto fonde nuk janë parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2013 dhe çdo ndryshim në të rrit barrën fiskale të qeverisë”.
Një pikë tjetër ku qeveria argumenton për shtyrjen e ligjit për nëpunësit civil, është se hyrja në fuqi i ligjit 152/2013, më 1 tetor të këtij viti, pengonte Këshillin e Ministrave si edhe institucionet e tjera, pjesë e fushës së zbatimit të ligjit, për të vënë në zbatim këtë ligj… “aktet nënligjore aktualisht mungojnë krejtësisht. Madje, puna për hartimin e tyre nuk ka nisur aspak deri më tani. Pra, problematika që paraqitet është e pranishme edhe para se të bëhet ndryshimi me akt normativ me fuqinë e ligjit dhe nuk është nga ato problematika që mund të adresohet në periudhën deri në hyrjen në fuqi të ligjit: miratimi i akteve nënligjore kërkon kohën e duhur. Vetë neni 69, i ligjit nr. 152/2013, parashikon një afat 3 deri në 6 muaj për përgatitjen e këtyre akteve nënligjore dhe hyrjen e tyre në fuqi”, – thuhet në relacionin shpjegues të aktit.
Drafti i qeverisë
Kuvendi i Shqipërisë miratoi më datën 30.5.2013 ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, ku sipas nenit 72 të këtij ligji, rezulton se drafti duhet të hynte në fuqi më datim 1 tetor 2013.
Ministri i Brendshëm dhe ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike thonë në relacion se hyrja e këtij ligji në fuqi me këtë datë krijon një sërë problemesh juridike në lidhje me zbatimin e tij në praktikë. Këto probleme do të analizohen më poshtë duke argumentuar njëkohësisht edhe nevojën për ndryshime.
Sipas qeverisë, nëpërmjet këtij akti normativ synohet që të shtyhet data e fillimit të efekteve të ligjit, me qëllim që të realizohet përgjegjësia e menaxhimit të administratës civile për ministritë dhe institucionet në varësi të tyre, e jo vetëm, si edhe të zbuten efektet financiare të paparashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2013. Përdorimi i mekanizmit të aktit normativ me fuqinë e ligjit është i nevojshëm sipas ekzekutivit, me qëllim realizimin e këtyre objektivave.
Në relacion shpjegohet se ndryshimi i datës së fillimit të efekteve të ligjit është një praktikë e njohur në legjislacionin shqiptar. Për këtë drafti i referohet ligjit nr. 10119, dt 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, i cili parashikonte data të ndryshme të fillimit të efekteve për dispozita të ndryshme. Po në këtë ligj janë bërë edhe ndryshime në lidhje me efektet në kohë dhe madje është ndërhyrë me akt normativ me fuqinë e ligjit (Akti normativ nr. 4, datë 25.8.2010), thuhet në argumentimin e qeverisë.
Ndryshimet që propozohen thuhet në relacion se janë në përputhje me programin e qeverisë për zhvillimin e një administrata profesionale të pavarur dhe të efektshme si dhe për politikat e reja fiskale që kanë si qëllim zbutjen e borxhit publik dhe uljen e deficitit buxhetor.
Më tej drafti thekson se këto ndryshime bëhen vetëm për të shtyrë efektet juridike të zbatimit të ligjit nr. 152/2013 dhe nuk prekin anën substanciale të tij.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi më datën 30.5.2013 ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”
Mënyra e ndërhyrjes – Akt normativ me fuqinë e ligjit
“Në bazë të nenit 101, Këshilli i Ministrave ka të drejtën e nxjerrjes së këtyre akteve rregullatore me fuqinë e ligjit. Sigurisht që nxjerrja e tyre nuk është e pakufizuar: ajo testohet përmes disa filtrave si formalë ashtu edhe thelbësorë. Praktika shqiptare ka njohur përdorimin e këtij mjeti edhe për ndërhyrje në ligjet me shumicë të cilësuar ku si shembull mund të përmendin aktin normativ nr. 101, datë 5.3.1999, me anë të të cilit është ndërhyrë në Kodin Doganor.
Në këtë këndvështrim vlerësimi i cilësisë kushtetuese të aktit normativ është lidhur me kuptimin e elementëve të mëposhtme:
- Nevoja dhe urgjenca si kushte për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit;
- Përkohshmëria e masave që përmban akti normativ me fuqinë e ligjit;
- Fuqia ligjore e këtyre akteve dhe kufizimet për nxjerrjen e tyre;
- Miratimi i aktit normativ me fuqinë e ligjit nga Kuvend”, – shkruhet në aktin normativ.
BOX
1. Nevoja dhe urgjenca
“Nevoja dhe urgjenca duhen kuptuar si parakushte të domosdoshme, mosqenia e të cilave do të kishte si pasojë pavlefshmërinë e aktit normativ me fuqinë e ligjit. Mungesa e tyre shndërrohet në ves të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e akti normativ dhe, në vijim, në ves të ligjit që e ka miratuar atë. Duke qenë kushte paraprake, nevoja dhe urgjenca duhet të jenë vërtetuar se ekzistojnë përpara momentit të marrjes së nismës nga qeveria për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit. Këto dy kushte duhet të jenë gjithashtu të pranishme, të lidhura e të ndërvarura dhe në momentin kur nxirret akti normativ me fuqinë e ligjit. Nëse ekziston nevoja për nxjerrje e një ligji, por pa ndonjë urgjencë të dukshme, qeveria nuk mund të ndërmarrë nismën për nxjerrjen e akti normativ me fuqinë e ligjit, pasi kjo do të përbënte një detyrë të pushtetit ligjvënës.
Termi nevojë dhe urgjencë e manifestojnë kuptimin e tyre të vërtetë në kuadrin e situatës së rastit konkret, duke i vlerësuar në kohën kur është vërtetuar prania e tyre. Nga kuptimi i përmbajtjes së nenit 101 të Kushtetutës rezulton se i përket qeverisë të bëjë vlerësimin e parë fakti dhe substancial të këtyre elementëve. Ajo nuk mund të ndërmarrë një nismë për nxjerrjen e një akti normativ me fuqinë e ligjit, pa vlerësuar më parë rrethanat e krijuara që kanë shkaktuar nevojë dhe urgjencë. Natyra e vlerësimit që bën ky organ është faktit dhe juridik”, – shkruhet në relacionin e qeverisë.
Përkohshmëria
Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave për aktin normativ, thuhet se ky akt vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe maksimalit 45-ditore. Përkohshmëria e kësaj norme lidhet me kushtin e domosdoshëm të shqyrtimit të tij nga Kuvendi, i cili, nëse e miraton, e kthen atë në ligj. Nëse akti nuk miratohet nga Kuvendi apo nuk merret në shqyrtim prej tij, me kalimin e periudhës 45-ditore, ai jo vetëm që nuk prodhon më efekte për të ardhmen, por njëkohësisht humbet fuqinë që nga fillimi.
Për këtë arsye, menjëherë mbas miratimit të aktit normativ me fuqinë e ligjit nga Këshilli i Ministrave, ky akt do të dërgohet menjëherë për miratim në Kuvend me qëllim fillimin e procedurave parlamentare përkatëse.
Përbërja e aktit
Për sa i përket përmbajtjes së aktit, ai është i organizuar në 3 nene, ku neni 1 nëpërmjet ndryshimit të nenit 70, sqaron se ligji nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatimin të tij janë në zbatim deri në momentin kur ligji i ri të bëhet efektin. Deri në fillim të efekteve të ligjit nr. 152/2013 institucionet, pjesë e shërbimi civil, do të vijojnë të përdorin si bazë ligjore ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civili”.
Akti normativ referuar programit të qeverisë
Në relacionin e Këshillit të Ministrave për aktin normativ thuhet se në programin e saj të miratuar në Kuvend qeveria ka përcaktuar si përparësi faktin se do të garantojë respektimin e deficitit buxhetor për të siguruar kontrollin e borxhit dhe sjelljen e tij në nivelin e pranueshëm për një vend në zhvillim, që nuk rrezikon zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë (faqja 32 e programit). Pra, në kushtet kur qeveria aktuale si qëllim kryesor të saj ka stabilizimin dhe uljen e borxhit publik dhe të deficitit buxhetor, si edhe një politikë fiskale dhe buxhetore të ndryshme nga qeveria paraardhëse, çdo ndryshim i buxhetit të shtetit dhe i zërave shpenzimeve në këtë fazë të fitit financiar nuk është i këshillueshëm dhe i dëmshëm.




