Basha: Do të ndërtojmë sistemin e vlerësimit të meritës dhe karrierës për çdo anëtar të PD-së

Ina Jano

Kandidati demokrat: Trashëgimia e selisë blu bën krenar çdo anëtar dhe është një gur themeli për fillimin e ri

 

1044364_577097799008072_1989995833_n

Edhe 8 ditë mbetën që nga dita kur mbi 100 mijë anëtarë të Partisë Demokratike do të votojnë për të zgjedhur liderin e ri të partisë së tyre, pas humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit. Kandidati Lulzim Basha është duke zhvilluar fushatën e tij elektorale dhe duke u takuar me bazën për të bërë të ditur pikat e programit që ai do të ketë dhe zbatojë nëse do të arrijë të marrë besimin e demokratëve në të gjithë territorin e vendit. Ditën e djeshme ai u ndal në qytetin e Lushnjës, Peqinit dhe Gramshit ku takoi demoratët e këtyre qyteteve, në disa takime të veçanta. Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se të gjithë demokratët do të kenë mundësi që të kenë një sistem transparent të kreditimit të karrierës së tyre brenda në parti, duke bërë të mundur kështu vlerësimin e çdo merite të çdo individi të veçantë. Në platformën e zotit Basha për fillimin e ri të PD-së anëtarët dhe simpatizantët do të jenë pjesë e vendimmarrjes organizative dhe politike të partisë. Zoti Basha garantoi se nën drejtimin e tij PD do të ketë një sistem të vlerësimit të meritës dhe karrierës së çdo anëtari të PD nga më i vjetri deri tek më i riu. Nuk do të ndodh më sipas Bashës, që kontributi i anëtareve dhe militantëve të harrohet sa herë PD fiton zgjedhjet. “Partia Demokratike do të ndërtojë një sistem transparent dhe të drejtë të kreditimi të meritës dhe karrierës. Ne e dimë fare mirë se më të përkushtuarit mes nesh, më gjigandët në kontribute janë gjithmonë, të fundit në pretendime, të fundit në kërkesa, të fundit në përfitime”, – u shpreh zoti Basha. Duke u ndalur në të tashmen por edhe të kaluarën, kreu i bashkisë së kryeqytetit tha se çdo anëtar i Partisë Demokratike duhet të jetë krenar për trashëgiminë e çmuar të kësaj partie, trashëgimi e cila do të jetë sipas Bashës gur themeli i fillimit të ri të saj. “Ne jemi partia që shembi komunizmin, ne jemi partia që pas gjeneratash harrese, riktheu para shqiptarëve idealet e shoqërisë së lirë. Pas 20 vitesh që u antarësuam në Këshillin e Evropës ishim prapë ne që nënshkruam MSA, ishim ne që morëm ftesën për në NATO, ishim ne që e anëtarësuam vendin në NATO, ishim ne që i hoqëm vizat dhe i kthyem dinjitetin shqiptarëve, jemi ne që iu dhamë shqiptarëve infrastrukturën më moderne rrugore dhe energjitike që vendi ka njohur ndonjëherë dhe për këtë çdo demokrat dhe demokrate sot duhet të jetë shumë krenarë. Ky është një gurë i rëndë themeli që nuk e lëviz dot askush e aq më pak mazhoranca e votës së deformuar, të blerë dhe të korruptuar të 23 qershorit”, – theksoi anëtari i kryesisë Basha.

Për PS-në

Duke akuzuar Edi Ramën se po kërkon të drejtojë qeverinë nga Partia Socialiste demokrati Basha pohoi se opozita dhe çdo qytetar shqiptar i cili që sot ndjehet i mashtruar nga premtimet e kësaj mazhorance duhet të përgatitet për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet. “I keni parë se si po kërkon të menaxhojë pushtetin nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, këtë përvojë e njohim, kësaj i thonë parti-shtet. E filluan me kundërshtimin që i bënë rritjes së rrogave dhe pensioneve minimale para një jave, e vazhduan me kërcënimet banditeske ndaj përfaqësuesve tanë në KQZ, por në çdo rast ne do të jemi gati për t’iu përgjigjur kësaj kulture antishtet me instrumentat e nevojshëm institucional, politikë dhe ligjorë për të mbrojtur shtetin, institucionet dhe administratën publike”, – deklaroi Basha gjatë prezantimit të paltformës së tij për reformimin e selisë blu, ndërsa në fund të fjalës së tij ai mori pyetje nga anëtarët e PD-së së këtij rrethi.

 

Marrëveshja PS-LSI

Olldashi: Rikthim në pushtet i Partisë së Punës

Marrëveshja e 1 prillit PS-LSI, për Sokol Olldashin më shumë se një aleancë, është rithemelimi i Partisë së Punës. I ndodhur në këtë situatë, kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, paralajmëroi nga Lezha një aksion opozitar për të rrëzuar këtë koalicion që në zgjedhjet lokale të vitit 2015. “Marrëveshja e 1 prillit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim riktheu Partinë e vjetër të Punës. 1 prilli ishte rithemelimi i Partisë së Punës. Nga ky moment, ne duhet të fokusojmë si kundërshtarin tonë politik, ish Partinë e vjetër të Punës, pra do të thotë , Partinë Socialiste dhe LSI-në bashkë, pra do të thotë banditët e PS-së dhe hajdutët e LSI-së, të gjithë bashkë. Duhet t’i fokusojmë dhe t’i godasim me të gjithë fuqinë tonë politike. Skena politike në Shqipëri nuk ka tre pole, por dy: Ka ish Partinë e vjetër të Punës dhe opozitën e Partisë Demokratike. Ky është një kufi i qartë të cilin, ne duhet ta vendosim menjëherë. Kjo parti ka rrëzuar Partinë e Punës në 1992, ka rrëzuar mazhorancën e korrupsionit në 2005. Partia Demokratike këtë aliazh e rrëzon në përpjekjen e parë elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2015”, – deklaroi Olldashi. Ndërsa duke komentuar premtimet për shëndetësinë dhe politikën fiskale, Olldashi tha se mazhoranca filloi të çmontojë propagandën e saj ende pa u mandatuar. Nga qyteti i Mirditës, Olldashi tha se Partia Demokratike duhet të funksionojë si një shtëpi e madhe e opozitës dhe se duhet të forcojë menjëherë raportet me shtresat tradicionale të saj: Të përndjekurit, ish pronarët, biznesin dhe klasën e mesme.

 

 

Situata në PD

Situata në selinë blu mbetet kaotike. Edhe pse gjatë mbledhjeve të kryesisë shefi i demokratëve, zoti Berisha, u ka bërë thirrje të gjithë simpatizantëve, por edhe personazheve që janë në detyrë që të mos mbajnë krahun për asnjë kandidat, kohën e fundit duket se Partia Demokratike nuk është “e qetë” në këtë drejtim. Vetëm përpara dy ditësh këshilltari i ministrit Bode, Elvi Fundo, ka paraqitur dorëheqjen e tij nga funksioni i tij në dikasterin e financave, për të mbështetur zyrtarisht kandidatin Olldashi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe avokati i Bashkisë së Tiranës, i cili ka dalë hapur në mbështetje të kreut të këtij institucioni. Por duket se qarku i Korçës është një prej të cilëve lëvizjet kanë qenë më të shumta. Kështu edhe kryetarët e grupeksioneve të Forumit Rinor Demokrat i kanë paraqitur dorëheqjen Shpendi Dragollit, kreut të këtij forumi, pasi kanë dalë hapur në mbështetje të Olldashit. Vetë Kryeministri në detyrë, zoti Berisha, nuk ka mbajtur asnjë pozicion në lëtë drejtim, duke mos anuar as për kandidatin Lulzim Basha dhe as për Sokol Olldashin. Të njëjtën gjë është detyruar të bëjë edhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli. Vetëm para pak ditësh ajo është detyruar që të bëjë një status në Facebook, për të gjithë mediet e majta të cilët kanë hedhur dyshime mbi përfshirjen e saj në fushatë. Zonja Topalli ka sqaruar se ajo nuk mbështet asnjë prej zyrtarëve të lartë të selisë blu, por ajo që mbetet e sigurt shprehet ajo është që demokratë duhet të bëjnë një zgjedhje të mirëmenduar për personin që do ti çojë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme. Në mbledhjen e fundit të kryesisë lideri i demokratëve ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e partisë që të bëjnë një fushatë të civilizuar dhe të mos dalin në mbështetje të njërit apo yjetrit kandidat, ndërsa në këtë drejtim ka shtuar se nëse ata duan ta bëjnë diçka të tillë duhet që më parë të japin dorëheqjen nga të gjitha funksionet që mund të mbajnë në parti apo edhe në administratë.

 

             Përgënjshtrimi

Shkëlzen Berisha, padi për shpifje gazetës “Dita”

Djali i Kryeministrit në detyrë zotit Sali Berisha ka reaguar dje ndaj shkrimi të botuar në të përditshmen “Dita” ditën e shtunë. “Sot (dje) gazeta “Dita”, një e përditshme e njohur ndryshe edhe si tualeti mediatik i Edi Ramës, botoi shpifjen e radhës, ku akuzohem se paskam dërguar dje nga Rinasi në destinacion të paditur, një ngarkesë me 3 arka metalike, përmes një charteri me shkronja arabe. Në respekt të opinonit dhe jo të atyre që servirin përrallat e 1001 netëve, dëshiroj të bëj me dije se ky lajm është fund e krye një shpifje dhe trillim, pasi jo vetëm që nuk kam lëvizur asnjë ngarkesë jashtë apo brenda Shqipërisë, por ka disa muaj që as nuk kam shkelur në aeroportin e Rinasit, gjë që provohet lehtësisht nga të gjitha sistemet e tij. Ky përgënjeshtrim publik do të shoqërohet me një padi për shpifje”, – sqaron djali i numrit një të qeverisë.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :