Elton Qyno
Protesta e pazakontë në Nartë, burrat e fshatit: Na bëni analizën e AND-së për gjetjen e autorit
Një protestë e pazakontë ka ndodhur në fshatin Nartë të Vlorës, ku banorët e zonës kanë kërkuar nga policia që të arrestojë një person, i cili grabit dhe përdhunon gratë e moshuara të fshatit. Mbi 200 banorë të Nartës kanë dalë tek sheshi para kishës së fshatit dhe prej aty i janë drejtuar me një kërkesë policisë së Vlorës, që të marrë masa të menjëhershme të arrestimit të personit që abuzon me të moshuarat. Madje, disa prej banorëve kanë shkuar edhe më tej, duke pretenduar se nëse policia nuk është në gjendje ta gjejë autorin për mungesë të provave, atëherë organet e hetimit duhet të zhvillojnë analizat e AND ndaj të gjithë burrave, për të zbuluar se kush prej tyre abuzon me të moshuarat. Protesta ka vijuar disa minuta me radhë dhe se në qendër të fshatit ishin grumbulluar dhe femrat e moshuara. Ata kanë deklaruar në media se ndihen të kërcënuara nga ato raste që kanë dëgjuar në fshat dhe se prandaj dhe kanë dalë për tu solidarizim. “Ne ndihemi sot të gjitha të përdhunuara, policia duhet të veprojë me shpejtësi, pasi nëse do të ndodhë ndonjë rast tjetër atëherë e gjithë përgjegjësia bie mbi policinë”, – shprehet njëra nga të moshuarat e fshatit Nartë. Sipas protestuesve të gjitha rastet ku janë përdhunuar të moshuarat, ato kanë qenë të vetme në banesë, pasi të afërmit ndodheshin jashtë Shqipërisë në emigracion.
“Autorin do ta djegim”
Njëri nga banorët e fshatit Nartë ka deklaruar se nëse kapet autori, të gjithë banorët janë dakord që ai të digjet në qendër të fshatit. Sipas tij kjo është e patolerueshme për këdo qoftë, edhe sikur abuzuesi të jetë nga fshati Nartë ose nga fshatrat për rreth. “Vendosëm të mblidhemi si fshat dhe të kërkojmë një zgjidhje tek strukturat e shtetit”, – shprehet kryeplaku i fshatit, Nasho Zoica. “Po ndodhin çdo ditë vepra të shëmtuara. Të përdhunohen nënat, gratë nuk e lejojmë më. Në qoftë se është nga Narta të varet këtu në mes të sheshit dhe të digjet. Sot i ndodhi nënës sime, nesër mund të më ndodhë mua”, – thotë një prej banoreve të Nartës. Banorët kanë paralajmëruar se nëse ngjarjet nuk zbardhen, do të bllokojnë rrugën dhe do të ndërmarrin akte të tjera ekstreme. Por nga ana tjetër banorët deklarojnë se një pjesë e ngjarjeve nuk janë denoncuar, pasi konsiderohen tabu. Nga ana tjetër ka reaguar policia e Vlorës, që bën të ditur se ka pasur një denoncim tre ditë më parë për një person që ka hyrë në banesën e një shtetaseje dhe më pas është larguar pa kryer as vjedhje apo marrëdhënie seksuale me dhunë, gjithsesi mësohet se vijojnë hetimet. Ndërkohë policia apelon për denoncim të çdo rasti sulmi në Nartë apo në zona të tjera të qarkut.
Reagimi i policisë
Nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është marrë njoftim nga një shtetasja E. N., banuese në fshatin Nartë se një person i paidentifikuar ka hyrë në banesën e saj. Menjëherë në vend kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për kryerjen e hetimeve paraprake. Nga tërësia e hetimeve të kryera, si dhe bazuar në aktin e ekspertimit mjekoligjor të një grupi prej 3 mjekësh, ka rezultuar se ndaj shtetases me iniciale E. N. nuk ka shenja dhune seksuale. Gjithashtu ka rezultuar se personi i cili ka hyrë nëpërmjet dritares është larguar menjëherë sapo ka hasur në prezencën e shtetases E. N. Aktualisht nga grupi hetimor po punohet për të sqaruar nëse bëhet fjalë për “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë” e mbetur në tentativë apo për “Vjedhje”. Gjithashtu gjejmë rastin t’ju bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që në çdo rast që kanë dijeni për vepra penale të ndryshme apo janë pre e tyre të njoftojnë Policinë duke i garantuar ata për mbështetje të plotë ligjore dhe kryerjen me përpikmëri të të gjitha procedurave që parashikon ligji si dhe për kapjen e arrestimin e autorëve të tyre.
Do t’i prishte ndërtimin pa leje, kryebashkiaku goditet nga kushëriri i tij
Kryebashkiaku i Përrenjasit është dhunuar fizikisht, ndërsa policia ka bërë arrestimin e një 65-vjeçari, të dyshuar si autor të ngjarjes. Mësohet se ai është Nevruz Karriqi, i cili ka qenë duke biseduar me kryebashkiakun Bajazit Karriqi, njëherësh kushëri i tij dhe kërkonte nga ky i fundit legalizimin e një shtese pallati. Kryebashkiaku nuk ka pranuar dhe i moshuari në gjaknxehtësi e sipër e ka sulmuar atë duke e qëlluar me grusht në fytyrë. Më pas ndërhynë forcat e policisë, të cilat bënë arrestimin e agresorit, i cili u shoqërua në komisariat, duke u marrë në pyetje. 65-vjeçari ka treguar në polici pendesë, duke pohuar se ka qenë në gjaknxehtësi e sipër. Në pyetje është marrë edhe kryebashkiaku i Bashkisë së Përrenjasit, Bajazit Karriqi, i cili ka treguar se 65-vjeçari i ka kërkuar si nder legalizimin e shtesës së pallatit. Për shkak se objekti i ndërtuar ka qenë pa leje dhe jashtë çdo norme ligjore dhe urbanistike, atëherë ai i ka pohuar të moshuarit se nuk mund t’ia bënte legalizimin dhe ta pajiste me lejen e ndërtimit. Në këto kushte situata mes tyre është tensionuar akoma dhe më tepër, duke arritur që më pas kryebashkiaku i shoqëruar edhe me një inspektor të policisë ndërtimore të shkojë në vendngjarje, me qëllim prishjen e objektit të ndërtuar nga kushëriri i tij. Mirëpo në teren ai ka hasur në qëndresën e Nevruz Karriqit, i cili ka sulmuar kryebashkiakun duke e qëlluar me grusht atë. Si pasojë e kësaj situatë është bërë menjëherë arrestimi në flagrancë i 65-vjeçarit dhe se ndaj tij është ngritur akuza e Goditjes për shkak të detyrës. Pritet që në ditët në vijim Karriqi të dalë para gjykatës, për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë organi i prokurorisë.
Ngjarja në Korçë
Dëmtohen 8 skulptura në parkun “Rinia”
Rreth 8 skulptura të artistëve korçarë janë dëmtuar dhe rrëzuar gjatë orëve të natës nga persona të paidentifikuar, të përqendruara në parkun “Rinia”. Menjëherë ka reaguar edhe bashkia e Korçës, duke e quajtur këtë akt të pahijshëm për qytetarinë korçare. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i bashkisë së qytetit, Niko Peleshi, në Facebook, duke e pasur të vështirë të pohojë një situatë të tillë në një qytet si Korça, ku tradita e veprave të artit gjen mishërimin më të mirë të saj. Ky është një akt tjetër i rëndë pas dëmtimit të Shtëpisë së Flamurit në këtë qytet pak muaj më parë. “Një akt vandalist u krye gjatë natës së djeshme në qytetin tonë. Rreth 10 skulptura të parkut “Rinia” u rrëzuan nga njerëz, që një Zot e di ç’forcë i shtyu. Kam hezituar të shkruaj për të, pasi pa dyshim ky lajm e godet fort etiketën tonë si qytet i kulturës. Por mu kujtua Konica, që thotë se të vërtetat e hidhura duhen thënë. Ato mund të demoralizojnë shumëkënd, por më tepër se kaq na shërbejnë të kuptojmë sesa shumë punë na duhet për të ndërtuar qytetërimin evropian në Korçë, në Shqipëri, në fshat e qytet”.
Operacioni
Policia, kontroll me helikopter për drogë
Stina e verës është edhe periudha e vitit kur policia nis gjuetinë si nëpër filma për ndalimin e kultivimit dhe prodhimit të drogës në jug të vendit, e veçanërisht në Lazarat. Mëngjesin e djeshëm policia e shtetit bëri me dije se ka nisur aksionet nga ajri me helikopterë për të monitoruar nëse ka parcela me të mbjella të lëndës narkotike, hashash. Operacioni ka nisur në jug të vendit me helikopterë që kanë nisur fluturimet mbi Përmet, Frashër, Gjirokastër. Vendet më të dyshuara se kanë se kanë parcela me kanabis. Sakaq vitin e shkuar Gazeta IDEA mësoi nga burime të rezervuara se në stinën e nxehtë, kur policia bllokonte ujin për ujitjen e bimëve, lazaratasit kishin shpikur një tjetër metodë për vaditjen e bimëve. Ata i vinin flakën një zone me shkurre dhe njoftonin repartin e zjarrfikësve. Nga andej niseshin 3-4 makina dhe vetëm njëra shkonte për të fikur zjarrin, të tjerat e shkarkonin ujin për vaditjen e bimëve narkotike.




