Nga kjo amnisti, kanë përfituar 2532 qytetarë që nuk kishin paguar taksat që në vitin 2011
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka mbledhur rreth 589 milionë lekë të ardhura nga mbi 42 mijë debitorë të taksës vjetore të automjeteve nga periudha 20 maj-30 qershor 2013. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për taksat, që përgjysmoi taksën vjetore për automjetet, iu dha mundësi të gjithë qytetarëve që nuk kishin paguar detyrimet, jo vetëm të vitit 2013 por edhe të viteve të mëparshme, që t’i paguanin ato brenda 30 qershorit, me taksën e përgjysmuar dhe pa penalitete. Nga kjo amnisti, kanë përfituar 2532 qytetarë që nuk kishin paguar taksat që në vitin 2011. Për këtë vit në arkën e shtetit janë mbledhur rreth 31 milionë lekë të ardhura. Ndërsa, debitorët që nuk kishin shlyer detyrimet për vitin 2012 dhe që përfituan nga ligji i ri ishin 9467 persona, nga të cilët u mblodhën 141 milionë lekë. Ndërkaq, numri i qytetarëve që kanë neglizhuar pagesën e taksës në afatin e caktuar kohor për këtë vit ka qenë tejet i lartë. Drejtuesit e automjeteve që kanë paguar taksën me ligjin e ri në peridhën maj-qershor për vitin 2013 kanë qenë 28 mijë e 197, nga të cilët janë mbledhur 417 milionë lekë. Tashmë, personat debitorë dhe që nuk kanë përfituar nga amnistia, nga data 1 korrik do t’i paguajnë detyrimet me taksën që i korrespondon çdo viti dhe me penalitetet me gjobë sipas ligjit në fuqi.
Periudha 20 maj- 30 qershor
Viti Debitorë Vlera në milionë lekë
2011 2.532 mjete 31
2012 9.467 mjete 141
2013 28.197 mjete 417
Totali 42.196 mjete 589
Energjia elektrike, e siguruar për sezonin e verës
Megjithë thatësirën e kësaj fillimvere, specialistët e hidrocentraleve pohojnë se situata energjetike vlerësohet e kënaqshme, edhe pse niveli dhe prurja e ujrave të liqenit të Fierzës ka pësuar rënie. Pavarësisht kësaj, niveli i ujrave të liqenit të Fierzës, që shërben si rregullator edhe për liqenet e Vaut të Dejës dhe të Komanit, është i kënaqshëm dhe mundëson punën e hidrocentralit gjatë muajve të sezonit veror.
Burime nga salla e komandës së hidrocentralit pohojnë se “në orët e paradites së djeshme prurjet e ujit arrijnë në 120 metër kub ujë në sekondë dhe treguesi ka tendencë rënieje, si pasojë e thatësirës që po mbizotëron në zonën verilindore, ndërsa niveli i ujrave të liqenit ka arritur në 293,50 metra, mbi nivelin e detit”.
Liqeni i Fierzës, që nga fillimi i muajit prill, deri në mesin e muajit qershor, ishte në kuotat e nivelit të tij maksimal dhe rënia e nivelit nisi pas mesit të muajit qershor, kur nisi edhe rënia e prurjeve. Por pavarësisht kësaj, rezervat ujore të liqenit të Fierzës mundësojnë vazhdimin normal të punës në të 3 hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
Liqeni i Fierzës ka një kapacitet ujëmbajtës prej mbi 2,7 miliardë metër kub ujë, në nivelin maksimal të tij 296 metra mbi nivelin e detit. Ndërsa në nivelin 242 metra mbi nivelin e detit, e ashtuquajtura pikë e vdekjes, ka një kapacitet ujëmbajtës prej 1,2 miliard metër kub ujë, sasi kjo e pashfrytëzueshme për prodhim energjie.
Leku fiton pikë ndjeshëm ndaj euros
Ashtu siç pritej, me hyrjen e korrikut, monedha shqiptare ka fituar ndjeshëm pikë ndaj euros, duke reflektuar fillimin e efekteve sezonale. Dje, një euro u këmbye me 140.08 lekë, nga 140.96, që ishte në fund të javës së kaluar. Euro ka zbritur në nivelin më të ulët që nga 4 prilli, kohë kur filloi vlerësimi i pandalshëm i monedhës së përbashkët si rrjedhojë e rritjes së kërkesës për valutë, kryesisht nga kompanitë e huaja që transferonin fitimet. Për periudhën janar-6 korrik 2013, kursi mesatar i këmbimit të lekut ndaj euros ka qenë 140 lekë, nga 139 lekë që ishte mesatarja për gjithë vitin 2012.
Ndërkohë që dollari e mbylli javën në nivelin e 108.67 lekëve, duke u forcuar ndaj lekut, teksa të hënën këmbehej me 104.97 lekë.
Efektet sezonale, si dalja e produkteve vendase, që ul kërkesën për import, fillimi i ardhjes së turistëve që sjellin euro dhe prurjet e emigrantëve pritet sipas aktorëve të tregut, të mbajnë lekun të fortë.
Monedha vendase është ndihmuar dhe nga dobësimi i euros në bursat ndërkombëtare, ku një euro këmbehet me 1.28 dollarë.





