Një spanjolle me të zeza, pa fjalë në Butrint

fstiva;iIntervistoi: Violeta Murati

Nuk është hera e parë që Festivali i Teatrit në Butrint hap debate për shkollën teatrore që ofrohet prej trupave pjesëmarrëse. Në 12 edicionet e tij mundësia e rishikimit të koncepteve mbi teatrin shpesh kanë çuar në dilema edhe vetë regjisorët. Ku po shkon teatrit sot!? Mbledhja në Butrint si duket nuk i referohet vetëm performancës si kënaqësi estetike në një teatër antik, po kaq e thjeshtë nuk është as për aktorët të flasin në gjuhën e paraardhësve të tyre, kolegëve antikë aq sa t’u zërë frymën prej panikut që shkakton vetvetiu skena e amfiteatrit të Butrintit.

Mbi mozaikun e alternativës së sotme teatrore na flet drejtori artistik i festivalit, Alfred Bualoti, njëkohësisht nismëtari i tij, që nuk ka hequr dorë prej organizimit edhe pas dy viteve “dështim”, për shkak se Ministria e Kulturës nuk ndau buxhet për të, në kohën që drejtohej nga Aldo Bumçi. Me mbështetjen e Qendrës së Artit dhe Kulturës, prej 4 milionë lekësh, organizatorët mendojnë se atipike për një festival, e jo më pak teatër, janë tri shfaqje, duke veçuar trupën nga Madridi, Kievi dhe Bergamoja.

Prej datës 18-23 korrik, pesë trupa nga vende të ndryshme të botës do të jenë konfigurimi përfundimtar në këtë edicion, duke u përjashtuar Shqipëria, pa arsye paraqitje e refuzimit të ftesës nga organizatorët. “Edipi Mbret” ishte parashikuar të përfaqësonte Teatrin Kombëtar, me regji të Ilir Bokshit, duke na zbuluar një problematikë të madhe mbi kalendarin e saj; na duhen projekte apo repertor?! Bualoti jep mendim edhe për këtë, por mbi të gjitha i dedikohet festivalit që tashmë sipas tij ka ardhur koha të institucionalizohet, ta marrë shteti, ministria, të ketë një status e përfshirë në strategjinë kulturore dhe turistike të vendit. Por, harrojmë këtu vendi është shumë i politizuar dhe mungon ky vullnet!

 

Kur pak ditë ndajnë nga Festivali i Teatrove në Butrint, cili është konfigurimi përfundimtar i trupave që do të marrin pjesë?

 

Festivali 12 Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” do të zhvillohet në datat 18 – 23 korrik 2013, me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Bullgaria, Spanja, SHBA, Ukraina dhe Italia.

Festivali nis me trupën bullgare, shfaqjen “Spiunë në epokën e gurit”, një lojë interesante ku dy fise, në një epokë X kanë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, pasi njëri ushqehet e jeton mirë, ndërsa tjetri është në gjendje të mjerueshme… është një gjë shumë e veçantë me ritmin, muzikën etj. Shfaqja e dytë është “Shtëpia e Bernarda Albës” që vjen nga Madridi. Ky teatër është risi edhe në Spanjë, jo vetëm sjellja e saj në Shqipëri; është një lëvizje shumë interesante. E treta është “Shtrëngata” e Shekspirit që vjen nga Amerika, e regjisori John Blondell, që vuri një vepër në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Me një histori dashurie vjen trupa nga Ukraina, Kievi, duke prurë thellësinë e muzikës së tyre, nën Vivaldin ku gjithçka luhet mbi këtë. Shfaqja e fundit vjen nga Bergamoja, një trupë italiane që sjell eksperimentin e rrugës, do të bëjnë teatrin e rrugës në qytetin e Sarandës. Mendoj se kjo do të jetë një e veçantë për turizmin, por edhe për vetë festivalin ku do përfshihet qyteti brenda tij. Kjo është harta që prezantojmë si program këtë vit.

 

Çfarë ka ndodhur me Shqipërinë, kur gjithmonë pjesëmarrja jonë është shoqëruar me problematika në festival, pse këtë herë mungesa?

 

Nuk ka ndodhur asgjë, vetëm se përgjigja e tyre ishte negative. Edhe pse ishte me shumë vonesë, jashtëzakonisht me shumë vonesë, pasi nuk e prisnim që nuk do vinte në Butrint.

Sigurisht para shumë kohësh i dërguam një ftesë për Teatrin Kombëtar për të marrë pjesë me shfaqjen “Edipi Mbret” një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar te Kosovës dhe Teatrit Kombëtar Shqiptar, por fatkeqësisht përgjigja ishte negative. Regjisori dhe stafi thoshin se e kishin bërë shfaqjen për Festivalin e Butrintit. Dhe vërtetë ishte një shfaqje që i shkonte shumë mirë këtij festivali, dhe se do të ishte një gjë me interes. Arsyet nuk i dimë, pasi ne nuk i kërkojmë ato në kuptimin e vërtetë. U mbyll me kaq. Kishim një shfaqje të teatrit të “Metropolit”, dhe kjo me interes, bëhej fjalë për “14 vjeç dhëndër”, por dhe ata e kishin të pamundur të mblidheshin. Të gjithë të ikur, me projekte gjatë verës. Kishim dhe një projekt tjetër, të regjisorit Enton Kaca, të cilit ja propozuam në mungesë të përfaqësimeve tjera. Por dhe këta ishin të shpërndarë, një pjesë e aktorëve kishin ikur jashtë vendit. Pra, u pa e pamundur, me gjithë përpjekjen tonë, pjesëmarrja e një trupe në Butrint.

 

Nxitur nga përpjekjet tuaja për një trupë shqiptare, po devijojmë pak nga festivali, duke ju marrë një mendim, pasi zbulohet një problematikë e tillë, ku hidhen para për projekte dhe jo shfaqje repertori…?! Më qartë, ky rast tregon se nuk ka mbetur asgjë nga një vit në TK.

 

Në radhë të parë duhen shfaqje repertori me trupa permanente, ky është interesi i parë. Të kesh një trupë permanente dhe të mos kesh një repertor të teatrit – kjo është një gjë e padëgjuar. Duhet të ishin gati disa shfaqje të repertorit, që së paku nëse nuk përfaqësoheshin me “Edipi Mbret”, mund të na ofronin një propozim tjetër nga repertori i tyre. Pikërisht ky rast zbulon qartë këtë kontradiktë. Kjo ishte arsyeja pse Teatri Kombëtar nuk ishte në gjendje të na ofronte asnjë shfaqje tjetër, pasi nuk bëhet fjalë për repertor me trupë permanente.

 

Hedhim pak vështrimin nga tradita e Festivalit të Butrintit, steka e saj e lartë për shfaqjet me cilësi artistike. Por në të kundërt, dy vite mungesë, dhe shfaqje të mbledhura në këtë mënyrë a nuk ia zbehin imazhin?

 

Dua t’ju garantoj se shfaqjet që do të shihni në Butrint janë të një niveli të mirë, për të mos thënë të një cilësie artistike shumë të lartë. Edhe pse me shumë vonesë ne, vendosëm ta organizojmë festivalin, sepse atëherë ishte mbështetja. Ishte fundi i muajit prill, dhe imagjinoni të bësh festival në muajin korrik. Kjo ndodhi falë marrëdhënieve tona, falë kontakteve tona të vazhdueshme me trupat. Prandaj dhe këtë vit ne kishim shumë prurje në Butrint. Ne, si për nga fuqia financiare ashtu dhe për kushtet që ka amfiteatrit i Butrintit arritëm të përzgjidhnim pesë shfaqje. Duke dalë tek pyetja juaj mund të them me siguri që imazhi i Butrintit nuk është zbehur, por do të ketë një ristartim shumë të mirë të Butrintit.

 

 

A është bërë gati skena, duke u ditur vështirësia e saj?

 

Skena është dy vjet bosh, pa bërë asnjë gjë. Kjo na mundon shumë. Por i kemi marrë gjitha masat. Ekipi do të niset menjëherë në Butrint me inxhinierin në krye për ndërtimin e skenës, për ta pasur një nga skenat më të mira që mund të kemi ndërtuar.

 

 

Pesë shfaqje të ndryshme, çfarë mozaiku të alternativës teatrore ofron këtë vit. Cilat janë spikatjet artistike që do kemi në Butrint?

 

Mendojmë se kemi dy risi, dy shfaqje jo vetëm që kanë bërë emër për nivelin shumë të lartë. Por, tek ne, në Butrint do të jenë krejt të veçanta, dhe për nga pikëpamja e shkollës teatrore, e lëvrimit si trupa profesioniste, pra janë të panjohura si cilësi artistike, deri diku të paarritshme, konceptueshme si për shembull të luhet Bernarda Alba pa tekst. Kjo dhe për vetë spanjollët nuk ka qenë e lehtë, sepse është një nga autorët klasik të tyre, që përbën bazën dhe dramën e vërtetë të përplasjeve. Pra, ata kanë gjetur elementë të tillë, kanë zbuluar në thellësi të veprës me një zhanër që këtu është pothuaj i palëvruar.

Flasim në nivele profesionistësh të vërtetë siç janë pantonima, gjesti, lëvizja, muzika etj elementë komplekse që do sjellin gjëra me mjaft interes për ata që e njohin mirë Bernarda Albën. Shfaqja që vjen nga Kievi ka një shfaqje me interes, e pantonimës. Është një lojë komedia del’arte, por ka më shumë dance teatër të luajtur nga aktorët. Tek ne, deri diku ka nisur të ngacmohet kjo alternativë, por kjo shfaqje e Ukrainës është një zhanër i dashur për to, që luhet me muzikë të Vivaldit. Për herë të parë po eksperimentojmë në festival teatrin e rrugës, që do të jepet në qytet, në Sarandë. Është një trupë me një nam shumë të mirë, vjen nga Bergamoja, Itali. Engjëjt do zbresin nga qielli në rrugët e qytetit.

 

Shfaqjet i keni parë të gjitha?

Duhet t’ju them se trupat e huaja janë përzgjedhur ndërmjet 20 – 25 shfaqjeve teatrore nga mbare bota nëpërmjet selektorëve dhe bashkëpunëtorëve nga vende të ndryshme si edhe nëpërmjet vizionimit të DVD, dhe dosjes së plotë të çdo trupe që kërkonte të ishte pjesëmarrëse në këtë Festival. Siç e thashë kemi parë DVD-të, por çfarë është më e rëndësishme kemi parë dosjen e shtypit, kritikës. Kjo na shtyn më tepër, se sa shikimi i ndonjë montazhi të ofruar. Ne, u referohemi gjithnjë rigorozitet të kritikës për pranimin e shfaqjeve që kemi në repertor për edicionin e 12-të të festivalit. Kështu referuar kësaj vendosëm që të jetë ky program. Po të kishim buxhet tjetër, sigurisht që do kishim shfaqje më të mëdha. Tradita dhe e historia e këtij festivali ka pasur trupa të mëdha.

 

Është një fenomen në Sarandë, ndonëse është festivali më potent në Shqipëri, ky organizim nuk i bashkëngjitet qytet, duket pjesë e veçuar e tij pa krijuar atmosferë siç ndodh në çdo vend të botës, duke e përfshirë si festë. Keni një përgjigje për këtë?

 

Kjo është e vërtetë. Keni plotësisht të drejtë, sepse ju vetë e keni prekur këtë festival, e keni parë çfarë ndodh atje dhe me shkëputjen që ka me qytetin. Kjo ka ardhur si rezultat i një indiferencë totale të Bashkisë së Sarandës në raport me Festivalin e Butrintit. Ne kemi vajtur atje, kemi trokitur, u kemi ofruar mundësinë reale të përfshirjes së qytetit. Kemi bërë shfaqje në kalanë e Lëkurësit, aq sa kemi mundur për të tërhequr njerëzit dhe qytetin. Por, shfaqje në Sarandë, brenda qytetit, nuk kemi pasur rastin të organizojmë. Sido që të jetë bashkia atje ka qenë më pak e interesuar për këtë festival, nuk po flasim për në thellësi të viteve, por për vitet e fundit. Duke folur dhe për këtë vit. Pra, ka një koncept, mentalitet që të duket absurd kur dëgjon të tilla gjëra si për shembull i takon Ksamilit të festojë! Kjo s’ka lidhje fare Ksamili me këtë punë, akoma s’janë hequr betonet atje nga shembja e ndërtimeve pa leje. Por çështja është se vetë Saranda nuk kuptohet dot pa Butrintit, dhe ky i fundit pa Sarandën. Këtë kishim sivjet në mendjen tonë, dhe pse ishim shumë ngushtë me buxhetin do të realizonim një shfaqje në qytet. Edhe pse ndihmën nga Bashkia e Sarandës, nuk po e them shumën se do qeshni, shumë mirë mund të na e jepte dhe një tregtar i vogël.

 

Do ketë rregull, disiplinë në skenën e Butrintit që fëmijët, apo të rritur të pandërgjegjshëm të mos kërcejnë nga muret, dhe shfaqjet të mos pengohen? Edhe pse s’është përgjegjësia juaj, shpesh është kritikuar për këtë festivali, ka masa?

 

Para se t’ju shpjegoj për masat dua të flas për spektatorin. Në Sarandë kemi bërë disa takime në vite me intelektualët e qytetit, dhe ata që kontribuojnë për teatrin atje. Ata kanë qenë të prirë për sensibilizuar dhe bërë të njohur më shumë festivalin për vlerat që sjell në Butrint duke qenë ndjekës të drejtpërdrejt në çdo vit, pavarësisht se nuk është qytet i madh.

Kjo është pjesa permanente që ne e kemi prezent në Butrint. Sa i takon spektatorit është një e vërtetë e madhe. Dashur pa dashur jemi të rrethuar në atë peizazh nga një pjesë rurale, banorë ruralë. Sado që ata janë mësuar me festivalin, fëmijë apo njerëz të pandërgjegjshëm sigurisht që kërcejnë nga muret e Butrintit apo të krijojnë situata të zhurmshme. Ne po shkojmë për ta pasur së bashku me rojet, apo njerëzit e sigurisë së Parkut të Butrintit, apo dhe policia e qytetit një bashkëpunim të mirë. Por ata, janë më shumë njerëz të rendit që nuk përgjigjen për zhurmën që shkaktohet gjatë shfaqjeve. Ne do ta organizojmë ndoshta pak më mirë brenda teatrit, në mënyrë që të mos kemi elementë do të na prishin mbarëvajtjen e shfaqjes.

 

Si do të funksionojë hyrja në teatër, me biletë elektronike?

Këtë vit në bashkëpunim me Parkun kemi rënë dakord që të kemi shfaqje vetëm me ftesa, jo më me bileta. Bashkë me drejtorin e Parkut të Butrintit, Rajmond Kola, kemi bërë marrëveshje që njerëzit të hyjnë me ftesa duke mos penguar më rregullin për të marrë biletën. Do jemi shumë korrekt me hyrjen e njerëzve dhe zhurmën që mund të krijohet, apo me prurjen e madhe më shumë seç duhet në shkallaret e Butrintit. Vepruam kështu pasi mendojmë që njerëzit duhet ta ndjekin Butrintin, pasi edhe fshatarët nuk janë më si dikur; nuk të godasin më, nuk vënë gurë në makina. Kështu që ka ndryshim të madh. Ka një gjë për edukimin e njerëzve në Butrint.

 

 

Sivjet festivali “shpëtoi” nga dështimi nga mbështetja financiare e Qendrës së Artit dhe Kulturës. Diskutohet dhe është hedhur në debat për t’i dhënë një status festivalit. Si do t’i qëndroni kësaj ideje, a keni mbështetës?

 

Ne e kemi thënë prej vitesh që do të ishte shumë mirë që Festivali i Butrintit të mos rropatej vit pas vit, kërkesë pas kërkesash, apo luftë për buxhetin e nevojshëm sado që është modest. Mund të kemi një herë e përgjithmonë një institucionalizim të festivalit, në një tavolinë e biseda që mund të merren me mendje të shëndoshë e eksperienca të përbotshme dhe kjo do të jetë shumë mirë po të arrihet, qoftë për festivalin, por për të gjithë, për të mos bërë më pyetjen. Nëse do të bëhet Festivali i Butrintit?!

 

 

Katalog prej 100 faqesh

“Festivali 12 Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” do të zhvillohet në datat 18 – 23 korrik 2013 me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Bullgaria, Spanja, SHBA, Ukraina dhe Italia.

Trupat e huaja janë përzgjedhur ndërmjet 20 – 25 shfaqjeve teatrore nga mbare bota nëpërmjet selektorëve dhe bashkëpunëtorëve nga vende të ndryshme si edhe nëpërmjet vizionimit të DVD dhe dosjes së plotë të çdo trupe që kërkonte të ishte pjesëmarrëse në këtë Festival. Skena do të ndërtohet nga fillimi, jemi në përfundim të katalogut të festivalit prej 100 faqesh”.

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :