Vrasja e simpatizantit të LSI-së hetimi u kalon Krimeve të Rënda

 Elton Qyno

krimete erendaProkuroria: Viktima qëlloi i pari me armë, më pas mbeti i vdekur. Situata në Laç, e tensionuar

 

Vrasja e simpatizantit të LSI-së, Gjon Gjonit, në mëngjesin e 23 qershorit në Laç do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi situata e rendit në qytetin e Laçit nuk garanton hetimin e drejtë të kësaj çështjeje. Dosja ka marrë nuanca të forta politike dhe asnjë nga dëshmitarët nuk pranon të flasë rreth asaj që ka ndodhur mes Gjon Gjonit, Mhill Fufi dhe kushëririt të tij Kastriot Fufi. Për më shumë se një javë, prokuroria e Laçit, e drejtuar nga Elvin Gogaj, ka marrë masa për sigurimin e provave materiale, duke arritur të sigurohen edhe filmime, por në fakt shumë pak persona kanë pranuar të flasin dhe ata nuk kanë dhënë të dhëna të dobishme për hetimin. Nga ana tjetër, strukturat policore për këtë çështje kanë qenë inegzistente, pasi nuk kanë vepruar në kohë si dhe s’kanë kryer plotësisht detyrat e dhëna nga prokuroria, për shkak të frikës së ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga persona të ndryshëm, që kanë lidhje farefisnore apo dhe shoqërore me personat e plagosur dhe dy shtetasit e shpallur në kërkim, Enver Curri dhe Kastriot Fufi. Nisur nga situata e tensionuar, Prokuroria e Laçit ka preferuar t’ia kalojë çështjen për hetime të mëtejshme dhe më të specializuara Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Viktima qëlloi i pari

Nga studimi i materialit hetimor dhe verifikimi i pak dëshmive të mbledhura në vendin e krimit, Prokuroria e Laçit ka mundur të ndërtojë dinamikën e këtij krimi të rëndë, që tronditi ditën e zgjedhjeve elektorale. Simpatizanti i LSI-së, Gjon Gjoni, ka mbetur i vdekur në vend, ndërkohë që kandidati për deputet i PD-së, Mhill Fufi, së bashku me kushëririn e tij janë plagosur. Sipas versionit të ngritur edhe nga prokuroria, i pari që ka hapur zjarr ka qenë viktima Gjon Gjoni, i cili pas një sherri me grushte me dy të plagosurit, ka vendosur të qëllojë në drejtim të tyre, me një armë pistoletë që e kishte me vete. Në ikje e sipër, dy të plagosurit, por edhe dy personat e shpallur në kërkim mendohet se kanë hapur zjarr në drejtim të Gjonit, duke e lënë të vdekur në vend. Mirëpo vështirësia në këtë hetim është se ende nuk është përcaktuar se cili nga personat ka qëlluar me armë zjarri. Kur ka kaluar një javë, prokuroria dhe policia e Laçit nuk kanë mundur të gjejnë më prova konkrete se cili nga personat ka qëlluar me armë zjarri. Asnjë nga të plagosurit nuk pranon të flasë, ndërkohë që edhe kalimtarët e rastit dhe personat që qëndronin afër qendrës së votimit, kanë zgjedhur të heshtin për ngjarjen në fjalë. Nisur nga kjo situatë, hetimi është vështirësuar, duke marrë parasysh edhe ngarkesën e madhe politike që ka marrë dosja e vrasjes së Gjon Gjonit. Ky i fundit u ekzekutua me disa plumba të njëpasnjëshëm në trup si pasojë e shkëmbimit të zjarrit. Aktualisht, i mbetet Prokurorisë së Krimeve të Rënda të hedhë dritë mbi ngjarjen në fjalë.

Ardhja nga Greqia

Një ditë para se të vritej, mësohet se viktima kishte mbërritur nga Greqia. Pikërisht sapo ka shkelur në Laç, ai është afruar para zyrave elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku edhe është aktivizuar me detyra të ndryshme. Mirëpo nga ana e kampit demokrat, Gjon Gjoni ishte evidentuar se ishte person që ndante para tek votuesit për llogari të LSI-së. Për pasojë, mes tij dhe përfaqësuesve të PD-së në Laç ka pasur konflikte dhe nisur nga kjo situatë, konflikti ka ardhur deri aty sa mëngjesin e 23 qershorit, Gjon Gjoni është parë përballë qendrës së votimit. Simpatizantë të PD-së si dhe vetë kandidati për deputet i kësaj force politike kanë shkuar dhe i kanë kërkuar simpatizantit të LSI-së që të largohej nga qendra e votimit dhe të mos shpërndante para. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke sjellë më pas përplasjen fizike mes tyre, duke shkaktuar viktima. Vrasja ndodhi për shkaqe zgjedhore, në një kohë që ekspertët e Policisë së Shtetit, të dërguar në vendngjarje, thanë se u sekuestruan 15 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, në një kohë që gjatë asaj dite e në vijim u shpall në kërkim policor për efekt hetimi Kastriot Fufi dhe kunati i viktimës, Enver Curri. Deri tani nuk është arrestuar asnjë prej autorëve.

 

 

Krimi në mesnatë në zonën e “Ali Demit”

Tritol poshtë makinës ish-drejtorit

të bashkisë, policia heton ngjarjen

 

Një shpërthim i fuqishëm ka shkatërruar thuajse plotësisht automjetin e një ish-punonjësi të Bashkisë së Tiranës. Shpërthimi ka ndodhur në orët e para të ditës së martë. Sipas policisë së kryeqytetit, shpërthimi është regjistruar rreth orës 02:00 në rrugën “Ali Demi”. Sasia e eksplozivit ishte vendosur në automjetin tip “Volkswagen” me targa TR 4077 L në pronësi të shtetasit A. Z., ish-punonjës i Bashkisë së Tiranës. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të plagosur, por vetëm dëme materiale. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve të saj. Në pyetje janë marrë disa persona të cilët mendohet se kanë pasur konflikte me ish-punonjësin e Bashkisë së Tiranës, por ata kanë mohuar gjatë dëshmisë së tyre se kanë pasur konflikte. Aktualisht, ngjarja është duke u hetuar për pistën e detyrës, ndërkohë që asnjë person nuk është arrestuar nga ana e policisë së Tiranës. Për këtë çështje në pyetje është marrë dhe vetë personi i dëmtuar në këtë rast, por ai nuk ka pranuar të flasë se mbi cilin person dyshonte se mund të ishte autor i këtij sulmi me tritol. Shpërthimi i lëndës plasëse ka alarmuar të gjithë banorët e pallatit, ndërkohë që automjeti më pas është përfshirë nga flakët.

 

 

Aksidenti

Treni godet makinën, pranga shoferit

 

Një person mbeti i plagosur paraditen e së martës, pasi makina me të cilën udhëtonte u përplas nga treni i linjës Tiranë – Durrës. Ngjarja ndodhi pranë mbikalimit që ndodhet pas Spitalit Ushtarak në Laprakë, ndërsa, sipas policisë, automjeti u tërhoq zvarrë për rreth 50 metra. Sipas policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, mjeti tip “Mercedes-Benz”, me targa të kryeqytetit, është fikur në momentin kur po kalonte mbi shina, ndërsa më pas është përplasur nga treni. I plagosuri i identifikuar si Kujtim Skënderi, 50 vjeç, është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia mori në pyetje makinistin për sqarimin e rrethanave.

 

Ngjarja në Tiranë

Maskat grabisin me armë kazinonë

 

Dy persona të maskuar kanë grabitur një kazino në kryeqytet nën kërcënimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur në një prej lojërave të fatit në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë në orët e vona të së hënës. Të dhënat e para bëjnë të ditur se dy personat ende të paidentifikuar janë larguar me shpejtësi me motor. Nuk dihet sasia e lekëve të grabitura, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve. Policia ka mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes ku dhe ka sekuestruar pamjet filmike dhe marrë deklarimet e personave të dëmtuar. Ata kanë treguar se nuk kishin mundur të njihnin agresorët dhe se janë ndodhur nën trysninë e armës dhe për pasojë janë detyruar ti dorëzojnë lekët e grumbulluara në kazino. Për këtë grabitje është duke u angazhuar dhe një prokuror i Tiranës.

 

Abuzimet

KLSH, ndjekje penale dy doganierëve

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si rezultat i kontrollit të sigurimit të cilësisë të kryer në lidhje me dosjen e auditimit të ushtruar në Degën e Doganës Durrës në vitin 2013, ka dërguar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal për dy prej audituesve të këtij institucioni, dhe përkatësisht z. Xh. D. dhe znj. E. T., të cilët në shkelje të plotë të ligjit organik të KLSH-së, rregullores së brendshme të institucionit dhe standardeve të auditimit, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenin 248 i Kodit Penal. Nga kontrolli i kryer nga KLSH rezultoi që këta auditues, në tejkalim të kompetencave të tyre audituese, kanë vendosur që të mos kryejnë dhe mos pasqyrojnë në raportin e auditimit, auditimin e dy prej pikave më të rëndësishme dhe të konsideruara si pika me risk tepër të lartë auditimi, konkretisht auditimin e regjimeve të përpunimit pasiv dhe regjimeve të magazinimit doganor, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet financiare, shkeljet dhe përgjegjësitë që do të rezultonin në rast të kryerjes së këtij auditimi.
 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :