Guardiola “çmend” takticienët Në dy miqësoret që ka zhvilluar deri më tani Pep Guardiola ka nisur që të habisë të gjithë. Ish-tekniku i Barçës, ai që shpiku 9-shin fals, ka servirur dy skema të reja

Përgatiti Altin Vorpsi

guardiola“Në vitin tim të parë si trajner (i Barçës) m’u desh që të rindërtoja një skuadër. Ndërkohë, këtu është ndryshe, unë kam gati një ekip të bërë. Në vitet e fundit Bajerni ka zhvilluar një futboll fantastik. Vitin e fundit kjo skuadër fitoi gjithçka… Nga ajo që ka lënë Hejnkesi kam ndërmend të ndryshoj shumë pak gjëra. Për mua vazhdimësia është shumë e rëndësishme…” Kanë kaluar shumë pak ditë që nga momenti kur Pep Guardiola u prezantua tek Bajerni. Shumë pak ditë për të harruar disa fragmente nga fjala e tij e mbajtur në gjermanisht. Tekniku spanjoll pati thënë se nuk do të ndryshonte gjë, por premisat janë të tjera…

 

E kundërta

Kur të gjithë mendonin se kampionët e trefishtë do të vazhdonin të luanin me skemat e Hejnkesit (4-2-3-1) ose 4-3-3-shin e Barcelonës, Pep ka treguar të kundërtën. Vetëm dy miqësore i janë dashur “supertrurit” për të provuar dy skema të reja. 42-vjeçari kurrë më parë nuk është parë që të provojë të tilla skema në 4 viteve me katalanasit. Në testin e parë në Vaiden përballë amatorëve të Fanklub Vildenaut (15:1) dhe TSV Regenit (9:1), spanjolli i habiti të gjithë me rreshtimin e skuadrës në fushë.

 

Skema e parë

Pep Guardiola përdori për 90 minuta në Vaiden dhe 45 minuta në Regen skemën 4-1-4-1. Një modul me vetëm një “pykë” të deklaruar. Revolucioni në këtë skemë është spostimi i Riberisë nga krahu i majtë në qendër të sulmit. Një rol të sulmuesit “9” të fshehur Guardiola e ka përdorur me Mesin tek Barça. Francezi kishte liri veprimi, por një pjesë të mirë të ndeshjes gjithë kjo hapësirë u duk sikur e dehu. Një skemë e tillë nuk sakrifikon as Robenin dhe as Mylerin. Pozicionin e Riberisë e mbush pikërisht holandezi fluturues, ndërsa Myleri mbetet në krah të djathtë. Shvajnshtajgeri spostohet në linjë të drejtë me Krosin në qendër, ndërsa koperturën përpara mbrojtjes e ka i vetëm Havi Martinez. Katërshja e mbrojtjes mbetet e pandryshuar nga ajo e Hejnkesit.

 

Skema e dytë

Në pjesën e parë në Regen, Bajerni luajti me një 3-3-3-1 e paeksperimentuar deri më sot në klubet më të mëdha të Evropës, por e përdorur gjerësisht në La Masian e Barcelonës. Guardiola kishte një arsye kur i kërkoi Hënesit të shpenzonte 40 milionë euro për një lojtar si Martinez, sepse asi i Bilbaos veç shkatërruesit, mund të bënte dhe qendërmbrojtësin, i mbështetur nga krahët prej Kontentos dhe Boatengut. Lam spostohet përpara bashkë me Alabën, duke i plotësuar dhe dëshirën austriakut për të luajtur si mesfushor, ndërsa qendrën e mesfushës e plotëson Shvajni. Katërshja e sulmit mbetet ajo e Hejnkesit me “Robbery” në krahët e tyre të preferuar, Myleri në qendër dhe Manxukiçin pykë.

 

 

 

Merkato

Borusia po përgatitet të shesë Levën, në Dortmund vjen Aubamejang

Borusia po përgatitet që të zëvendësojë Gëtcen dhe Levandovskin. I pari kaloi tek Bajerni për 38 milionë euro, ndërkohë që edhe i dyti ka marrë të njëjtin drejtim. Kështu skuadrës nga Vesfalia do t’i duhet që të marrë masat për t’i zëvendësuar në mënyrën më të mirë. Dje Borusia e Dortmundit ka bërë një tjetër goditje në merkato dhe ajo është transferimi i sulmuesit të St.Etienit Pierr-Emerik Aubamejang. Mungojnë vetëm detajet e fundit për të zyrtarizuar operacionin që do t’i kushtojë gjermanëve 13 milionë euro. Lajmet nga Gjermania dhe Franca konfirmojnë se nënkampionët e Gjermanisë janë në faza shumë të avancuara të negociatave për 24-vjeçarin nga Gaboni. Lajmi vjen si një goditje e rëndë për Njukasëllin, sepse anglezët e kanë monitoruar talentin prej muajsh dhe e kishin në top listën e transferimeve të tyre. Për këmbët e një prej talenteve më premtues në Evropë interesoheshin edhe Milani, Lila dhe milionerët e Monakos. Por menaxheri i përgjithshëm, Hoakim Vacke iu afrua kërkesës së klubit francez për kartonin e Aubamejang. St.Etien kërkonte 15 milionë euro, por pas negociatave pranuan ta shesin për 2 milionë më pak. Në 87 ndeshje, sulmuesi me pasaportë franceze ka shënuar 37 gola. Ai kishte një kontratë deri në vitin 2016-të me St.Etienin, por brenda javës duhet të bëjë gati valixhet për t’u nisur drejt Dortmundit ku do firmosë deri në vitin 2018. Klop ka në dispozicion 50 milionë euro për të shpenzuar këtë merkato. Objektivi i ardhshëm i nënkampionëve të Evropës është Mikhtarjan. Për mesfushorin armen të Shahtjorit, Dortmundi është i vetmi klub që ka ofruar zyrtarisht 23 milionë euro.

 

Merkato

Barça pretendon Sezarin dhe Silvën

Paraqitjet e mira në ndeshjet e Kupës së Konfederatave, ku edhe u shpall kampion me Brazilin e tij duke mundur në finale 3-0 Spanjën, kanë bindur drejtuesit e Barcelonës për të këmbëngulur në afrimin në “Camp Nou” të Xhulio Sesar. Ky i fundit aktualisht është nën kontratën 4-vjeçare të nënshkruar me skuadrën angleze të QPR-së, që pas largimit prej Interit. Por ajo që mund të thjeshtojë operacionin për transferimin e tij në Barcelonë është një klauzolë e futur në kontratë nga menaxheri i portierit brazilian e cila thotë që nëse skuadra bie në një kategori më poshtë (gjë që ndodhi), atëherë kontrata mund të prishet për 3 milion euro. Por veç portierit, Barcelona është duke kërkuar një tjetër përforcim në sektorin e mbrojtjes, e cila me dëmtimet e shumta të Pyjol, por edhe moshës së tij të madhe, duhet rinuar. Katalanasit synojnë një ndër mbrojtësit më të mirë, pikërisht Tiago Silvën, qendërmbrojtësi brazilian i gozhduar nga PSG. Vetë ai e pranon diçka të tillë, megjithëse nuk e fsheh simpatinë për teknikut dhe skuadrën e Barcelonës. “Tito është një trajner i shkëlqyer. Gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes PSG dhe Barcelonës folëm pak dhe ai më kërkoi të luaj për të. Në futboll asnjëherë s’i dihet, por për momentin ndjehem mirë në Paris dhe është e vështirë që të largohem. PSG nuk ka ndërmend të më shesë dhe situata është shumë ndryshe nga një vit më parë kur isha tek Milani”, – deklaroi Tiago Silva.

 

Zyrtare

Paulinjo është i Totenhemit

Tani erdhi edhe zyrtarizimi. Paulinjo i ka dhënë në lot lamtumirën Korinthiansit, duke konfirmuar transferimin për 20 milionë euro tek Totenhemi. “Është e vështirë të thuash diçka në këto momente, por unë kam kaluar 3 vite të mrekullueshme këtu. Tani do të nis një aventurë të re në një kampionat të ri”, – tha 24-vjeçari brazilian, i cili pritet të fluturojë drejt Londrës.

 

Prezantimi

Fernando Jorente, sulmuesi i ri i Juventusit, “zbarkoi” dje në Torino, ku u prit në aeroport nga disa qindra tifozë të entuziazmuar. Për 28-vjeçarin, i cili u prezantua zyrtarisht nga kampionët e Italisë, kjo ditë kishte emocione të veçanta. “Sot nis për mua një etapë e re dhe jam tejet i lumtur”, – fjalët e para të Jorentes në mbërritje. “Është një ndjenjë shumë e bukur të jesh futbollist i Juventusit dhe jam shumë i emocionuar që do të luaj përkrah Tevezit e kampionëve të tjerë të këtij ekipi”, – deklaroi sulmuesi i përfaqësues spanjolle.

 

Junaitidi

Ish-asistenti i Fergusonit: Runi është i vendosur të largohet

Ish-asistenti i Fergusonit, ka këshilluar Mojesin që të heqë dorë nga Uejn Runi, sepse sulmuesi i Junajtid ka vendosur të largohet nga “Old Trafford”. “Uejn është në një prej klubeve më të mirë në botë, dhe është i ndërgjegjshëm për këtë. Por mesa duket ai është i vendosur të kërkojë një eksperiencë të re”, – tha Majk Felan.

 

Liverpuli

Kolo Ture kalon në “Anfield”

Ditën e djeshme Liverpuli ka zyrtarizuar dhe prezantuar blerjen më të fundit, Kolo Ture. Ish-mbrojtësi i Sitit u bë transferimi i katërt i Roxhersit në “Anfield”, pas Luis Albertos, Iago Aspasit dhe portierit Mignolet. Mbrojtësi 32-vjeçar firmosi një kontratë 2-vjeçare. “Do të thotë shumë për mua, sepse po i bashkohem një prej klubeve më të mirë në Europë”, – tha mbrojtësi afrikan.

 

Share it :