Do të udhëtonim, të nisur një mëngjes fundprilli nga Tirana, drejt Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Hungarisë, Sllovakisë, Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë e Malit të Zi, për të shijuar në pesë ditë dhe katër net, nga një shoqëri turistike shqiptare pa ndonjë emër të madh (emri krijohet me një punë me lodhje të jashtëzakonshme!), katër kryeqytete dhe natën e fundit në Split, për t’u magjepsur me bregdetin magjik të Dalmacisë e për t’u kthyer pastaj sërish në Tiranën e bukur në prag të Një Majit…
Drejt Beogradit
U nisëm për udhëtimin tonë «të famshëm» turistik: Tiranë-Beograd-Budapest-Bratislavë-Vjenë-Split, 5 ditë e 4 net. Mjeti për të udhëtuar: mikrobus 18 vendesh, i ri dhe me ajër të kondicionuar, ndonëse pak i ngushtë… Me mua është dhe Bedri Kola, miku im, Gazi, Beni, Mario (drejtuesi i grupit), Prokop Bueci… U nisëm nga Tirana herët, duke i tundur fjalët sikur të kishin shtëllunga tymi. Një udhëtim drejt Kukësit me autostradën e kombit, po pa shijuar bukuritë befasuese të natyrës si në një ëndërr të thyer. Pastaj drejt Kosovës në autostradën e re. Madje nga Prishtina drejt Merdarës, ku dhe u sfiduam ashpër nga serbët, të cilët nuk pranuan që ne të kalonim për në Serbi, duke shkurtuar kështu hipotetikisht gjysmën e rrugës për në Beograd, sepse dilnim drejt e në Nish. Por jo! Kthim mbrapsht, drejt Prishtinës dhe Hanit të Elezit për të hyrë në Maqedoni e mandej në Serbi. Rreth e qark. Lëmshenj puplash dhe cicërimash. Diçka e çuditshme. Ka qenë një prapaktheu që mbahet mend për shumë kohë kjo e Merdarës. Si duket policët kosovarë të Vërmicës na gënjyen dhe na çuan në Merdarë, duke e ditur që do të na kthenin serbët. D.m.th. që ta provonim njëherë në kurrizin tonë këtë strategji kufitare!
Harxhuam orët, duruam vapën e lodhjen, duke i rënë kryq e tërthorë Kosovës. Dolëm në Han të Elezit, (lodhja e doganës, – o tmerr!) dhe pastaj nisemi drejt Kumanovës. Autostrada e mirë. Por e mbushur plot me pika për të paguar. Më parë kthimi për në Velezh, pastaj për në Bullgari dhe më në fund pas Kumanovës dogana maqedonase e serbe. Vonesa dhe kontrollet e imta nuk bëhen hallall kur është fjala për udhëtimet turistike! U harruan vendet e bukura ku kalonim, mrekullia e luginës së Preshevës me fshatrat befasues dhe vetë lugina peneplenore të mahnitshme, u harruan edhe fjalët e thurura bukur, do të mbetej po se po e të dukej sikur do të mbahej jashtë kujtese edhe Vranja e rrallë, Kurshumlia e lënë pasdore edhe nga kujtesa e pavdekur e popullit tonë dhe më në fund Nishi, Nishi i Kostandinit të Madh, Nishi i vjetër ilir, me grykat e errëta, me fshatrat e zymtë, me tragjeditë e mbetura gjallë nga shekujt. Ç’u ka ngelur historive të vjetra? Asgjë. Madje do të thosha se edhe vetë kujtesa e popullit tonë, sikur është bjerrur, sikur po davaritet nëpër dritë kjo qiqërimë e mallkuar. Kjo ishte ferra e brengës që po na ngulej në shpirt në formën e një gjembi të tharë…
Në Röszke duke medituar për Beogradin dhe shqiptarët
Dogana hungareze. Duke pritur kalimin e mikrobusit tonë në kufirin midis Hungarisë (BE) dhe Serbisë.
E shtuna si ditë pushimi në BE, por edhe nga vijmë ne, ndoshta është një lodhje e mallkim më vete. Kemi ardhur këtu në orën 15.00 dhe kjo pritje e tërbuar po na sfilit. Pse duhet të jetë kjo ndjenjë çnjerëzore te njerëzit e ligjit edhe në BE? Ose edhe në Lindjen e BE? E tmerrshme!
Megjithatë kjo pritje sikur po m’i mallkon fjalët, edhe pse duke e ditur që më jep dorë të shkruaj, të hedh mbresat e mia.
Mbrëmë natën, rreth orës 23.30 mbërritëm në hotelin tonë në një fshat të Beogradit. Një tmerr rruga dhe ecja e pafund, kilometrat e gjata e gati pa mbarim. Harruam lodhjen dhe u përfshimë nga tërbimi. Por edhe kjo kaloi pa pasoja. Pritja e pakufishme mbaroi “ligjërimin” e vet. Një çlodhje e egër gjatë natës dhe liria për të fjetur pas dushit bëri gjumë me ne. Të nesërmen, pas mëngjesit u morëm me Beogradin.
E dinim sigurisht se Beogradi është një qytet i madh: 1,7 milionë banorë, i vendosur mbi Savë dhe Danub, por edhe mbi 32 kodrat e tij të buta. Por mua se si më duket Danubi njëlloj si Sava apo më pak i gjerë edhe se Moldova e Pragës (që është degë e Vlltavës dhe kjo e Elbës)? S’e di. Ndoshta lumi ujëshumë është mjaft i thellë dhe të krijon ndjesi tjetër…
Morëm disa mbresa nga Beogradi, i ndarë më dysh në qytetin e vjetër dhe në qytetin e ri, modern, me monumente të shumtë, i pastër, i bukur, i vyer. Unë ruaja ato ndjesi ashtu si dhe ndonjë tjetër si unë që vijnë nga Beligradi shqiptar Arnaud Beligradi) – Berati, për të parë Beligradin tjetër, sllav, të pushtuar po ashtu nga osmanët. Beogradi do të mbetet në kujtesën time si një nga kryeqytetet më të bukur dhe të ruajtur të Evropës. Flamuri shqiptar në ambasadën tonë të bukur; pallati i shqiptarëve, hotele shqiptare, studentë shqiptarë dhe kalaja e mrekullueshme e Beogradit. Ndërkaq ëndërroj dhe shpreh bindjen time se Berati ynë i vogël është magjik dhe ku e ku i pakrahasueshëm me Beligradin sllav.
Në Budapest, i magjepsur
E sjell dhe e risjell ndër mend Budapestin, kryeqytetin e mrekullueshëm të Hungarisë, ndonëse atje hymë natën vonë (për shkak vonesash të kota dhe absurde, tërë ankth dhe mërzi, aq më tepër që kishim udhëtuar mes një fushe të pafund e gati-gati të përgjumur nga mërzia dhe lodhja e frikshme. Sidoqoftë ai, Budapesti, u shfaq para nesh me drita të panumërta, me Danubin e gjerë e madhështor mes tij (madje ne do të flinim mbi Danub, në një hotel të improvizuar si traget, por që do të na duhej ta harronim shpejt për shkak të erës së rëndë që mbanin jastëkët.
Budapesti për mua ka qenë i afërt ndoshta për shkak të Flatunit, shokut tim të dikurshëm, në MPB (ndërlidhje). Flatuni pasi «u vesh» kaloi si radist në ambasadën tonë në Budapest. I kam ruajtur letrat e Flatunit, i kam edhe ato që më kanë shkruar të tjerë e me siguri që, edhe ata i kanë të miat, madje me to, siç më thoshte një ditë Q.Mara, mund të plotësoje faqet e normuara të një romani. Budapesti edhe pse na priti natën vonë, ashtu si dhe rrethina e Beogradit, duke “u magjepsur” me pritjen 6 orëshe të Rozhkës (kufi) na krijoi një magji më vete: urat madhështore, rrugët e gjera, ndriçimi i fortë dhe i plotë, ecja dhe ecja e pa lodhshme, kureshtja që zgjaste hundët gjer larg dhe pritja e këndshme për të nesërmen.
Do të dëshiroja të përmblidhja përshtypjen mbi Budapestin: urat e pafundme – njëra më e bukur se tjetra (e Margaritës, e Luanëve, gotike etj.), ishulli i mbretëreshës, që i ngjante ishullit të zogjve në Beograd midis dredhave të Danubit (aty zogjtë shtegtarë çlodhen për t’u nisur sërish drejt Jugut dhe kur kthehen pastaj në Veri), kështjella e Huniadit ku edhe bëra një foto në përmendoren e shkrimtarit të panjohur! Fotoja besoj do të jetë një kujtim i bukur. Kështjella e famshme ishte rikonstruktuar pranë një xhepi të krijuar enkas prej Danubit të madh. Aty kishte dhe mjaft libra të vjetër, por kam përshtypjen se më shumë librari portative pranë monumenteve ishin në Beograd. Ndoshta ky qytet lexon më tepër.
Budapesti i urës së Luanëve, i monumenteve pa fund, Budapesti i Budës (ana tjetër e mahnitshme e qytetit) është e pamundur të shijohet pa kishat, pa kalldrëmet, pa violinat dhe oshtimën melodioze të vetë lumit, që sikur ecën mbi trokun e rëndë të hunëve nëpër histori.
E lamë Budapestin me kokën e mbetur pas dhe morëm autostradën për në Bratislavën e Slovakisë. Pika e kufirit Rajka vetëm emrin kishte dhe atë krejt formal, sepse tundej nga era, që në trekëndëshin Hungari-Sllovaki-Austri prodhon mjaft energji eolike, ku shtrihet një pjesë e fushës së madhe të Danubit të Mesëm, e cila zgjatet deri në hijen e Karpateve Lindore e Veriore, drejt rrafshit të Transilvanisë maxhare, ashtu siç është maxhare edhe rrafshulëta e madhërishme e Vojvodinës, për të cilën vargu i Çajupit “fushë e pasosur dhe fushë prapë” do të qe e saktë, por që më pas në vargun tjetër nuk duhej fjala “vapë”…
Vjena, hijerënda
Nga Bratislava drejt Vjenës, aty ku ishte nata e tretë e udhëtimit. Vjena! Elegante, hijerëndë, pak përqeshëse, si me një qëndrim ironik, por mbi të gjitha është Vjena ku studion Uendi, vajza, mbesa jonë e bukur, e dashur, disi e lodhur dhe pak anksioze (nga mësimet, nga dëshirat që s’marrin fund kurrë për t’u realizuar) por mbi të gjitha impresionuese, plot gjallëri e finesë, me një feminitet të jashtëzakonshëm, tërheqëse dhe e ëmbël në të folur. E prita gjatë para teatrit kombëtar (ose përkarshi bashkisë, siç quhet ndryshe edhe «shtëpia e qytetarëve»). Uendi me dy shoqet e veta erdhi krahëhapur si gjithnjë dhe na u hodh në qafë me një dashuri mbresëlënëse! Nuk shqiteshim dot. Përlotim, pyetje pa fund,, nur i pa përshkruar. Ndërkaq, ne ulur afër njëri-tjetrit me Uendin, duke pasur përballë një gjyshe të përlotur dhe të përmallur në kulm, pëshpëritnim analizën tonë të hollë psikologjike: një gjendje vetmie, ankthi, padurimi, gjendje e pritshme e tërë angështi, vesuar me ca dëshira që i mbjell vetiu rinia e sidomos për një 20-vjeçare.
Por sigurisht Vjena nuk fillonte dhe nuk mbaronte këtu. Do ta shihnim skaj më skaj, do të ecnim përkrah Danubit, do të qëndronim gjatë para monumenteve plot hir e të madhërishëm, para veprave që historia i ka shkruar mu në kërthizë të ish Perandorisë Austro-Hungareze. Brenda kësaj madhështie mbjell edhe një pikë vese, po të duash, ku brenda përthyhet si në një kaleidoskop magjik e të tërë bota vjeneze. Sepse këtu nuk është periferia e akullt e shpresës, edhe ajo e vendit tim, sepse kur sheh kaq e kaq djem e vajza shqiptare që studiojnë në Vjenë mbushesh me shpresë të jashtëzakonshme. Sado keq të studiojnë të tjerët (në Shqipëri e në vende të ndryshme) dikur këta të Vjenës, ata të Berlinit, të Romës, të Parisit, të Oksfordit, apo të Amerikës do ta marrin pa tjetër në duar Shqipërinë tonë të bukur… Këtu nuk ka pjalm të zi brengash, këtu ka vetëm pjalm, ashtu siç e ka gjithnjë pranvera.
Spliti dhe magjia e bregdetit të famshëm dalmat
Rruga nga Vjena në Split, përmes Austrisë në autostradën e Gracit, e pastaj duke e lënë mënjanë atë, ishte një mozaik i mrekullueshëm, një e gjelbër e ndërthurur me vetveten në mijëra të fshehta, harmonizuar me të kuqen e ndezur të tjegullave që mbulonin vilat e fshatrave mes pyjeve pa fund. Arat e sistemuara, fushat dhe luginat, panorama e largët e Alpeve, më në fund kodrat e sistemuara dhe të pyllëzuara si një magji më vete, e bëjnë Austrinë një parajsë tokësore, me një ndryshim të hatashëm me çka e rrethon. Qetësi sublime. Ajër i pastër. Çlodhje e vërtetë. Më në fund mbërrijmë pa u ndier në Maribor dhe hyjmë në kufirin slloven. Po ajo perandori e dikurshme Austro-Hungareze, dikur e plakur tani e re. Të duket sikur janë bashkuar të gjitha perandoritë evropiane duke lënë mënjanë atë ruse dhe otomane. Por le të kujtojmë se kjo është thjesht nja çartje shpirtërore. E kujt nuk i vjen keq?
Në Split, duke ndjekur autostradën Adriatike, pasi lamë mënjanë ndarjen me «Zagreb Jug», mbërritëm si gjithnjë në qytetet evropiane, vonë. Por hotelin «San Antonio» e gjetëm pa ndonjë vështirësi të madhe. Nata e fundit dhe fjetëm mirë, ashtu siç fjetëm edhe në Vjenë në «Exe Vienna», me komoditet të përshtatshëm dhe plot finesë. Të nesërmen një guidë nëpër qytet: qytet i madh dhe i bukur, i bardhë, i shtrirë nëpër kodra dhe ti, kushdoqofsh (turist, udhëtar i rastit, detar apo edhe alpinist, e ndjen se ai pulson në mënyrë krejt specifike. Një foto, një kafe, shëtitje buzë detit dhe në shpirt dikush i binte një kitare, lehtë, me elegancë, e tingujt depërtonin thellë me një ngrohtësi të rrallë. Sigurisht Spliti nuk është as Vjena e as Budapesti, por ama është Spliti. Ka emrin e tij në katër kontraste: e bardha, e kuqja, jeshilja dhe bluja e detit. Po të vëzhgonim më thellë do të gjenim të shtatë ngjyrat e ylberit të gërshetuar, shoqëruar edhe me hijen e butë të grisë dhe madhështi elegante të ngjyrave që zbresin nga malet e kodrat dhe bien mbi det. Ashtu siç ishte një punë gjigande ndërtimi i autostradës së Adriatikut që ngjitet pastaj drejt Rijekës e Triestes dhe në drejtimin e kundërt zbret drejt Dubrovnikut për t’u mbyllur përkohësisht në Plloçë, edhe vetë Spliti është një notë pushimi, një ritëm paksa i zbutur, një frymëmarrje magjike për t’u qetësuar dhe për të qenë i dobishëm më tej.
Vetëkuptohet që u kthyem vonë nga Spliti në Tiranë. Ne ndoqëm rrugën bregdetare Split – Dubrovnik, një rrugë që herë i afrohej malit të mbytur nga gjelbërimi dhe herë zbriste mbi detin ar të kulluar e të smeraldtë, duke ndjekur një trajektore panoramike të rrallë dhe magjepsëse. Ishuj, ishuj pa fund, gadishuj të vegjël shkëmborë, një det i qetë vaj që sikur të rrëmbente brenda vetes e pastaj të lëshonte drejt një imagjinate pa fre. Bregu dalmat, kjo ashpërsi e mrekullueshme dhe finesë arkitektonike, është gati i tërë shkëmbor, me një dalje të vogël fushore e harmonizuar me ujërat e një lagune të plotë të dikurshme, por që tani ujërat i ka të kanalizuara e të ujdisura si me dorë. Për më tepër kur i sheh nga lart dhe më tej teksa shijon edhe mandarinat e veçanta me shije të rrallë e disi të çuditshme të Mostarit. E vetmja grykë lufte, të cilës kushdo kërkon t’i harrohet emri sa më shpejt, duket sikur lëshon një tis mjegulle të lehtë shpërthimesh dhe plagësh. Por ne na intereson Bregu Dalmat, bregu që të krijon një mbresë të pashlyeshme e një ide gjeniale kreative, të ndez në shpirt elegancë të tjetërfartë shpirtërore. Bregu Dalmat është nga më të kërkuarit në botë, për turizmin elegant dhe të papërsëritshëm, për bukuritë mahnitëse dhe për mikpritjen e veçantë. Kudo, mes shtëpive nën harmoninë e bardha me të kuqen, rrethuar nga bluja dhe jeshilja e tërbuar, ku patjetër zinte vend një kishë katolike, që dukej sikur sogjetonte mbi shpirtrat njerëzorë të vendasve dhe bujtësve, kalimtarëve dhe vëzhguesve të hollë të mrekullive turistike. Na duket sikur Bregu Dalmat, i vjetër dhe madhështor sa Iliria, ikën tej dhe tkurret nëpër shpellat që mund të shihen vetëm nga deti, ndërsa valët me rrokje mërmërimash lëpijnë madhështinë e skajshme dhe të pashoqe të tij. Humnerat tona të mosdijes mbulohen nga një dritë e bardhë…





