Gëzim Saliu
Deputeti i PS-së: Ata që e zhbënë KQZ-në të mbajnë përgjegjësi deri në fund, nuk bëhemi pjesë e taktikave elektorale
Partia Socialiste thekson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit do të certifikohet nga Kolegji Zgjedhor. Duke marrë shkas nga debati i fundit i hapur mes palëve politike në vend, sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se Kolegji përbën të vetmen zgjidhje ligjore për certifikimin e rezultatit zgjedhor, kur mungon shumica në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “KQZ nëse nuk i ka votat e nevojshme, atëherë do të jetë Kolegji ai që do të certifikojë, do të shpërndajë mandatet dhe shkelja ligjore në këtë rast bie mbi mazhorancën e cila në mënyrë të njëanshme, me atë blicin që bëri në parlament, vendosi paligjshmërinë. Parlamenti i ri do t’i japë përgjigje edhe kësaj çështjeje. Nuk mundet të ratifikojmë paligjshmërinë”, – tha deputeti i PS-së.
Qëndrimi
Për sekretarin për çështjet zgjedhore në PS, mundësia e kthimit të anëtarëve të dorëhequr nga opozita në KQZ për të bërë të mundur certifikimin e rezultatit është e pamundur. Sipas tij, certifikimi i zgjedhjeve të 23 qershorit do të ndjekë të njëjtën rrugë me zgjedhjet vendore të 8 majit. “Pesë anëtarët e KQZ-së duhen për shpërndarjen e mandateve. Kjo do të thotë shpërndarje të mandateve në bazë të çdo qarku. Tabulimin do ta bëjë KQZ-ja. Meqenëse nuk kanë 5 anëtarë do të ndjekin praktikën që është ndjekur në 2011, kur mandatet e Këshillit Bashkiak i shpërndau gjykata, në këtë rast Kolegji Zgjedhor”, – tha Gjiknuri. Në këtë kontekst, ai theksoi se përgjegjësia për delegjitimimin e institucionit të zgjedhjeve, bie mbi mazhorancën aktuale dhe se PS nuk do të bëhet pjesë e asnjë taktike që ka të bëjë me këtë situatë në KQZ. “PS ka pasur dhe mban një qëndrim parimor sa i përket KQZ-së. Ata që e zhbënë KQZ do të mbajnë përgjegjësi deri në fund. Ne nuk kemi pse bëhemi pjesë e taktikave elektorale”, – u shpreh deputeti socialist. Ndërkohë duke komentuar rezultatin e koalicionit të majtë në këto zgjedhje, Gjiknuri tha se nuk është e rëndësishme nëse përfitoi LSI nga PS apo anasjelltas, pasi sipas tij fitorja e 23 qershorit ishte historike për të majtën. “Koalicioni ka përfituar maksimumin e tij dhe kjo është dhe vlera e gjithë asaj marrëveshjeje shumë të rëndësishme që u nënshkrua përpara zgjedhjeve për të hyrë në një koalicion paraelektoral me LSI. Ky sistem kërkon koalicione dhe e majta ndërtoi koalicionin më efikas që ka parë ndonjëherë Shqipëria në këto 20 vite demokraci”, – pohoi sekretari socialist. Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, palët politike janë përfshirë në një “ngërç” të ri mes tyre lidhur me faktin e certifikimit të zgjedhjeve. 4 anëtarët aktualë të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, nuk kanë fuqinë ligjore për të zyrtarizuar rezultatin sepse kodi zgjedhor kërkon domosdoshmërisht numrin 5 të votave. Një ndër format e zgjidhjes mbetet edhe kthimi i anëtarëve përfaqësues të opozitës, të cilat janë dorëhequr nga postet e tyre si anëtarë të KQZ-së. Anëtari i këtij komisioni Klement Zguri, e mirëpriti dje mundësinë e rikthimit të tre anëtarëve të dorëhequr, gjë që mbetet sipas tij në dorë të vullnetit politik të partive që përfaqësojnë. Ndërkohë që përfaqësuesi ligjor i PS-së ka pohuar se zgjidhja për këtë çështje është në Kodin Zgjedhor.
Kreu i S&D në PE
Swoboda: Sfidat e qeverisë së majtë janë korrupsioni dhe ekonomia
Kryetari i Grupimit Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian Hannes Swoboda dhe eurodeputeti Libor Rouçek përshëndetën dje fitoren e së majtës shqiptare në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas tyre është koha që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e Integrimit dhe qeveria e re të trajtojë sfidat me të cilat përballet vendi. “Përgëzoj Edi Ramën dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, si dhe Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim për fitoren e tyre të qartë zgjedhore. Së bashku, ata i ofruan popullit shqiptar një zgjedhje të vërtetë. Kam besim se kjo qeveri e re progresiste do të ndeshet me sfidat me të cilat përballet Shqipëria, posaçërisht me korrupsionin, që vijon të mbetet i gjithështrirë, si dhe me vështirësitë ekonomike”, – tha Swoboda. Më tej, ai nënvizoi se ka ardhur koha që Shqipëria të pranohet si vend kandidat, që të mund të nisë punën për shndërrimin evropian të vendit. “Shpreh keqardhjen për vdekjen e një aktivisti politik në ditën e zgjedhjeve. Edhe kësaj here procesi zgjedhor u errësua nga parregullsitë, përfshirë një Komision të paqëndrueshëm zgjedhor. Procesi zgjedhor është përmirësuar shumë nga ato të kaluarit, por nuk përputhet ende plotësisht me standardet evropiane”, – pohoi Swoboda. Nga ana tjetër, zëvendës president i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Libor Rouçek theksoi se shpreson të shohë pas fitores të PS-së dhe LSI-së një bashkëpunim të ngushtë me opozitën për t’i siguruar Shqipërisë marrjen pa vonesa të statusit kandidat.
Eurodeputetja
Doris Pack: Suksese fituesit, qeveria e re të përmbushë detyrimet për integrimin
Eurodeputetja Doris Pack shpreh urimet e saj për fitoren e aleancës së majtë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duke theksuar njëkohësisht se qeveria e re ka për detyrë të përmbushë të gjitha detyrimet në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. “E theksoj në mënyrë të veçantë që unë vetë personalisht nuk mund të jap vlerësime para kohe se çfarë mund të jetë ai në gjendje të bëjë ose se sa ai i mban premtimet e dhëna. Tani mendoj se është e rëndësishme që të shohim në qeverinë e re se cilat janë objektivat për të ardhmen dhe me këtë rast unë i uroj qeverisë së re shumë suksese, pasi çdo sukses i qeverisë është sukses i vendit, sukses për qytetarët, për popullin. Ky është interesi im për këto zgjedhje dhe qeverisjen e re. Kjo parti (fituese) tashmë ka një shans për të qeverisur dhe ne do të shohim se sa kjo parti do ta shfrytëzojë këtë shan. Unë mendoj se sfidat që ka përpara Shqipëria janë të shumta, por gjithsesi hapat janë hedhur dhe kërkesat e BE-së kanë nisur të kuptohen seriozisht nga të gjitha palët. Për të qenë një vend kandidat duhet që qeveria t’i plotësojë me rigorozitet të gjitha këto kërkesa, pa zvarritje dhe mungesë vullneti nga të gjitha palët”, – tha Pack në një intervistë për “Deutsche Welle”. Sipas deputetes së Parlamentit Evropian, fitorja e arritur nga Aleanca e Majtë është një goditje për politikanët që kanë qeverisur deri tani. “Votuesit kanë dhënë votën për ata (të majtët) dhe tani është koha që ata të dëshmojnë se sa janë në gjendje t’u përgjigjen premtimeve të tyre dhe të qeverisin në respekt të votës së zgjedhësve. Pra të shohim në vitet në vijim se sa ata mund të bëjnë më mirë ose jo në qeverisjen e vendit. Tani ata kanë shansin që në muajt dhe vitet e ardhshme të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Ata më herët kanë premtuar shumë dhe ne jemi në pritje me shpresë se premtimet e tyre do të bëhen realitet”, – u shpreh eurodeputetja. Ndërkohë e pyetur lidhur me faktin se si do të ndikojnë 84 mandatet e marra në qeverisjen e së majtës, Pack tha: “Për mendimin tim ky fakt edhe ia lehtëson por edhe mund t’ia vështirësojë punën. Por gjithsesi, Partia Socialiste ka një shumicë të madhe së bashku me partitë e tjera të koalicionit për të bërë një politikë evropiane në interes të popullit të Shqipërisë. Duke pasur shumicën e ka më të lehtë për të realizuar shumë gjëra që janë në interes të popullit dhe nëse nuk e shfrytëzon këtë, atëherë me siguri që do të ketë shumë kritika. Por nuk më takon mua të parashikoj të ardhmen e qeverisë së re edhe pse ajo ka tashmë një shumicë kaq të madhe të përfaqësuar në parlament. Le t’ia lëmë kohës. Unë vetë jam e gëzuar që këto zgjedhje në pjesën më të madhe kaluan shumë mirë dhe shpresoj që pas një kohe të vështirë mes mazhorancës dhe opozitës do të ketë një vullnet të përbashkët në rrugën e integrimit evropian”.




