Përgjegjësia e zgjedhjeve bie mbi mua, dorëheqje të parevokueshme nga PD-ja
Respektoj Kushtetutën, Kryeministër deri në shtator
Mes dhjetëra simpatizantëve dhe mbështetësve demokratë që nuk kursyen mbështetjen e tyre ndaj liderit të tyre historik të së djathtës edhe përballë humbjes, Berisha deklaroi mbrëmë qartësisht se pranon rezultatin zgjedhor, ndërsa uroi kundërshtarin e tij politik për fitoren. Në një atmosferë që ishte sa elektrizuese aq edhe e trishtë për shumë demokratë, zoti Berisha, udhëheqësi i PD-së në 22 vite, në një konferencë për mediat, pas tri ditësh që nga 23 qershori, njoftoi dorëheqjen e tij nga postet që kishte në këtë forcë politike. “Përgjegjësia për këtë humbje bie vetëm mbi mua, Sali Berishën, kështu që duke marrë përgjegjësitë që më takojnë, me një vendim, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e PD, të jem njeri i thjeshtë, njëri prej jush, anëtarë i PD-së dhe deputet i saj. Në karrierën time politike më shumë se dy dekada, unë në çdo pozicion që kam pasur kam ndjerë vetën si shërbëtor i juaji dhe i vendit tim. Dhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh, kam bërë gjithçka të përmbush me përkushtim detyrimet, duke qenë i vendosur, se do të largohesha nga postet e mira, nëse arsyet shëndetësore nuk do më lejonin, kjo nuk ndodhi, energjitë e mia janë po ata që kam pasur. Veç kësaj unë gjithnjë kam qenë i vendosur, i bindur, t’i bindem verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë besoj se ata nuk gabojnë”, – tha Berisha. Ky i fundit duke treguar edhe një herë integritetin e tij si politikan në karrierë i ka uruar suksese edhe Ramës, fituesit të këtyre zgjedhjeve. “Duke njohur rezultatin i uroj atij punë të mbarë”, – tha shefi i qeverisë në lidhje me kundërshtarin e tij politik.
Arritjet
Me bindjen se PD do të rivijë në pushtet pas 4 vitesh, Berisha u shpreh se në mandatin tjetër do të realizohen të gjitha premtimet e bëra për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa bëri një panoramë të punës 8-vjeçare në krye të qeverisë. Po ashtu Kryeministri në detyrë vlerësoi projektin TAP, si historik për fatin ekonomik dhe zhvillimin e Shqipërisë. “Jemi dhe mbetemi përjetë krenarë për gjithçka që kemi bërë do vazhdojmë të bëjmë. Ne bëmë realitet ëndrrën e lirisë për shqiptarët dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Ne sanksionuam lirinë e besimit, liria njerëzore, kryefjalë e axhendës sonë. Sot shqiptarët janë më të mirë se kurrë. Në një kohë të shkurtër arritëm të vendosim çështjen e lirisë në Kosovë në axhendën e kancelarive të Evropës. Me parullën një komb një qëndrim mbështetëm luftën dhe lirinë e Kosovës. Të gjithë duhet të jemi krenar me PD. Shqipëria sot është e aderuar në organizatat më të mëdha në botë. Ne bëmë të vërtet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, dhe së fundi rekomandimet për statusin e vendit kandidat. Ne hodhëm themelet dhe konsoliduam në Shqipëri shtetin ligjor. Ne sot të gjithë së bashku duhet të ndjehemi krenar me PD, sepse ne pasi humbëm pushtetin për shkak të firmave piramidale në 1997 qëndruam në opozitë dhe në 2005 hodhëm poshtë qeverinë aktuale me votën e shqiptarëve. Rrogat dhe pensionet e shqiptarëve ishin të ulëta dhe qesharake. Detyra ishte shumë e vështirë. Shqipërisë pothuajse askush nuk i besonte. Ne ndërtuam Rrugën e Arbrit, autostradën Tiranë – Elbasan dhe do të ndërtojmë gjysmën tjetër të boshtit të jugut në mandatin e ardhshëm. Duhet të jemi krenar me PD, sepse ne ndërtuam qindra ujësjellës dhe natyrisht mbetet ende shumë punë për të bërë. Duhet të jemi krenar sepse sot disa nga treguesit janë në nivelin e disa vendeve të zhvilluara. Këto vite të qeverisjes tonë ishin vitet më të vështira për shkak të krizës ekonomike, dhe qeveria tonë i rezistoi. Janë në ndërtim e sipër 120 hidrocentrale, si kaskada e Devollit. Kemi qindra rrugë, shkolla. Me 45 mijë projekte që mbështetëm kemi bërë të mundur në këtë kohë të shkurtër të katërfishohet toka e punuar në fshat. Në 10 vendet më me rritje të turizmit në planetin tonë. Me projektin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar, që vendi me penetrimin më të ulët të internetit 4,8%, të telefonisë celulare. Shqipëria dixhitale ishte ëndrra e të rinjve shqiptarë, sot ata komunikojnë më shumë se të rinjtë e disa vendeve të zhvilluara të Evropës. Miqtë e mi, demokratë dhe demokratë. Vetëm pak vite më parë, ora evropiane dhe euroatlantike ishte e ndaluar. Së bashku morëm reformat më të thella; konsoliduam shtetin ligjor, anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me SHBA. Edhe në këto dy mandate kemi folur me vepra, që kanë krijuar një Shqipëri tjetër, ndërtimin e të cilës do jemi të gatshëm ta vazhdojmë, janë vepra që kanë ndryshuar përgjithmonë Shqipërinë tonë. Nuk janë arritjet tona arsyeja pse nuk na votuan shqiptarët; jam i sigurt që çdo shqiptar ndihet krenar. PD do dijë të lexojë me përulësi votën e çdo shqiptari. Në lidershipin e ri, një fillim të ri të fuqishëm. Mirënjohje për bashkëpunëtorët e mi të mrekullueshëm, me integritet moral. Mirënjohje të pakufishme miqve tanë. Një mirënjohje të pakufishme shqiptarëve, që këto 22 vite kanë vendosur votën, besimin e tyre te mua, çfarëdo që të bëj, s’mund t’ua shpërblej dot. Kam dhjetëra, mijëra mesazhe në Facebook, të cilët më kërkojnë që kësaj here të heqë dorë nga vendimi që kam marrë, por i ftoj që bashkë me energji dhe entuziazëm të mbrojmë kauzën tonë dhe ta bëjmë kauzë të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve”, – vijoi Berisha, ndërsa herë pas herë simpatizantët tentonin të ndërprisnin fjalën e tij, ndoshta edhe për të ndryshuar vendimin e liderit demokrat, por ky i fundit me dorën e ngritur lart u kërkonte që të ndalonin, për të mos ja ndërprerë fjalën e tij.
E ardhmja
Pas 22 vjetësh lë drejtimin e Partisë Demokratike dhe rreth orës 21:30 doli nga selia e partisë së tij. Lideri i selisë blu u prit nga një turmë demokratësh të entuziazmuar, ndërsa edhe gjatë kohës që ai bënte deklaratën e tij në ambientet e brendshme, jashtë godinës së PD-së njerëzit u shfaqën me lot në sy, por edhe zoti Berisha nuk mundi t’i fshehë emocionet shumë gjatë. Disa herë përdori shaminë, për të fshirë djersën apo lotët, kjo nuk dihet me siguri. Ajo që ai deklaroi dje sigurisht që nuk është diçka e lehtë për të gjithë, megjithatë Berisha nënvizoi se do të jetë në krye të zgjedhjeve që do të mbahen në selinë blu për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj force politike. “Në përputhje me statutin e PD-së do të organizoj zgjedhjet e lidershipit të ri në PD”, – vlerësoi ai që tashmë mund të quhet ish-lideri demokrat.
Falënderime
Shefi i demokratëve disa herë gjatë fjalës së tij falënderoi bashkëpunëtorët e ngushtë të tij gjatë këtyre viteve, ndërsa vuri theksin tek të gjithë ata qytetarë që e kanë votuar dhe e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij politikë, në krye të PD-së në çdo lloj kohe, pavarësisht të gjitha ndodhive dhe ngjarjeve. Gjithashtu ai pati një falënderim edhe për bashkëshorten e tij, zonjën Liri Berisha dhe familjen e tij. Berisha rezervoi një falënderim për të gjithë faktorin ndërkombëtar për solidaritetin e treguar për Shqipërinë, veçanërisht, siç tha ai, për aleatin më të madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot mblidhet kabineti qeveritar
Pas disa javësh pushim dhe kur e gjithë politika ethshëm përmbyllte ditët dhe javët e fundit të fushatës, mbledhja e kabinetit qeveritar nuk ishte zhvilluar. Sipas burimeve zyrtare nga Këshilli i Ministrave mësohet se shefi i qeverisë zoti Berisha ka thirrur sot në orën 11:00 në Kryeministri një mbledhje me ministrat e tij. Nuk është zbardhur ende rendi i ditës, ndërsa pas fjalës së mbrëmshme të kreut të Partisë Demokratike nga kjo seli, nuk dihet ende se si do të shkojë kjo mbledhje. Sipas Kushtetutës, zoti Berisha vijon të mbetet Kryeministër në detyrë, edhe pse pa fuqi vendimarrëse, derisa të ketë konstituim të Parlamentit, për të bërë betimin e deputetëve dhe për të formuar qeverinë e re.
SHBA: Falënderojmë Kryeministrin për marrëdhëniet e forta me SHBA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara falënderon po ashtu edhe kryeministrin, siç theksohet, në largim Sali Berisha, duke vlerësuar mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara pasi ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e 23 qershorit, ka nxitur institucionet zgjedhore të certifikojnë me shpejtësi zgjedhjet dhe të konfirmojnë vullnetin e popullit shqiptar. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ambasada e Shteteve të Bashkuara, thekson se pas formimit të një qeverie të re, nxisim udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarët të riangazhohen ndaj procesit të integrimit evropian dhe reformave të tjera që nevojiten. “Ndonëse pjesa më e madhe e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi që pasoi u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pati disa akte të pafalshme dhune që njollosën frymën e zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse ta përjetojnë diçka të tillë; ata meritojnë të hedhin votën e tyre dhe që ajo të numërohet në një mjedis të sigurt, të lirë nga kërcënimet dhe shtrëngimet,”- thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.





