Florenc Drizari
Mbyllet numërimi në Korçë, Vlorë, Dibër, Kukës, Gjirokastër e Fier
Tri ditë pas votimit për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, procesi i numërimit të votave ka përfunduar në qarqet e mëdha të vendit dhe në zona të tjera është drejtë fundit. Përjashtim në këtë rast bën Tirana, ku mbeten edhe rreth 200 kutitë e fundit për t’u numëruar.
Nëse i referohemi të dhënave nga KQZ dhe subjektet politike, në Korçë, Vlorë, Dibër, Kukës, Fier, dhe Gjirokastër, deri në orët e vona të mbrëmjes, numërimet janë mbyllur të gjitha qarqet, ndërkohë që mbeten edhe pak kuti që procesi të përfundojnë në rang kombëtar. Nga të dhënat e paraqitura koalicioni i majtë rezulton fitues me 84 mandate, krahasuar me koalicionin e djathtë me 56 mandate.
Surpriza e orëve të mbrëmjes duket se ishte fitorja e një mandati më shumë të së majtës në Kukës, ndërsa në Tiranë, mund të ndodhin edhe ndryshime.
Deri në orët e vota të mbrëmjes në Qarkun e Tiranës koalicioni i majtë kryesonte me 18 mandate, krahasur me koalicionin e djathtë me 14 mandate. Në Tiranë 3 mandate i ka fituar LSI, 1 PR dhe 1 PDIU.
Ndërsa në Qarkun e dytë më të madh në vend, atë të Fierit, sipas deklaratave partiake procesi i numërimit përfundoi mbrëmjen e djeshme, edhe pse KQZ nuk e konfirmon këtë fakt.
CELIBASHI
Kandidati i PS për Qarkun e Fierit, deklaroi nga faqja e tij e internetit se koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Europiane llogarit 11 mandate, krahasuar me koalicioin e Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim me 5 mandate. Në Qarkun e Fierit LSI merr 2 mandate, ndërsa PDIU 1 mandat.
“Sapo mbyllëm numërimin e votave të qarkut Fier. Për krejt qarkun, Rilindja llogarit 11 mandate, prej të cilave 9 për Partinë Socialiste, 2 për LSI kundrejt 5 mandateve të koalicionit të djathtë. Tani vjen përgjegjësia më e madhe për t’i shërbyer denjësisht të gjithë zgjedhësve që votuan Rilindjen, por edhe atyre që zgjodhën alternativa të tjera. Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë një mision historik për Fierin dhe gjithë Shqipërinë dhe jam krenar që ndaj të njëjtin vizion për të ardhmen e këtij vendi. Do të angazhohem tërësisht për të realizuar projektet e paraqitura në fushatë për të mirën e Fierit”,- deklaroi Iilrjan Celibashi.
Ndërkaq, përsa i përket Qarkut të Durrësit, koalicioni i majtë kryeson me 7 mandate krahasuar me koalicionin e djathtë që merr 6 mandate. Në këtë zonë LSI merr 1 mandat dhe PR 1, me kandidat Agron Dukën. Qendra të numëruara deri në orët e vota në mbrëmjes së djeshme në këtë qark janë 403 / 444, pjesëmarrja – 50.1%. Për Qarkun e Dibrës mandatet për Kuvendin e Shqipërisë ndahen 3 për PD-në dhe 3 për PS-në.
Në Qarkun e Shkodrës, mandatet për Kuvendin e Shqipërisë deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme përllogariten 6 për koalicionin e majtë dhe 5 për koalicionin e djathtë. Përkatësisht 4 mandate PS, 1 LSI, 1 Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, 4 PD dhe 1 PR.
Meta: Fitorja nuk ka qenë surprizë
Kreu i LSI Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë mbrëmë pohoi se e kishte paralajmëruar rreth një muaj më parë fitoren e 17 mandateve të LSI-së.
“E kisha deklaruar publikisht para 1 muaji që do fitonim 17 mandate si LSI dhe 80 mandate si koalicion. LSI është një faktor stabiliteti dhe që i qëndron marrëveshjeve. Fitorja nuk ka qenë suprizë, pasi e prisnim të fitonim 80 mandate. Duam që Shqipëria të ecë më shpejt drejt zhvillimit dhe integrimit” tha ai. I pyetur nga gazetarja Ilva Tare, lidhur me debatin mediatik se kush do jetë Kryeministri i ardhshëm brenda koalicionit të majtë, Meta tha se kjo çështje i takon Partisë Socialiste. Sikundër dha të njëjtën përgjigje edhe lidhur me interesin se çpost do të mbajë apo rolin që do të ketë për legjislaturën e ardhshme. Kreu i LSI dha një mesazh edhe për Kryeministrin ende në detyrë, Sali Berisha, duke e ftuar të kontribuojë që ky proces të mbyllet me një imazh sa më të mirë për vendin. Ndërkaq ai ka garantuar edhe skeptikët se marrëveshja LSI-PS do të shkojë gjatë në kohë.
“Gjithçka duhet t’ia lëmë kohës, pati jo pak që menduan se do humbisnim nga bërja e këtij koalicioni. Së pari nuk u nisëm nga e kaluara, por nga interesi për të ardhmen. Sfidat nuk do jenë të lehta për vendin dhe është shumë e domosdoshme që populli shqiptar të jetë krenar për këtë votë plebishiptare, ka qenë një votë e mençur për të mbyllur procesin e integrimit në brenda këtyre 8 viteve. Berisha duhej të përkushtohej më shumë për standardin e zgjedhjeve. Megjithatë përsëri është në kohë që të kontribuojë që gjithë ky proces të mbyllet me një imazh sa më të mirë për vendin. Merita për mbarvajtjen e procesit të votimit i takon popullit shqiptar dhe këtu edhe zoti Berisha është shqiptar” deklaroi Meta.
Vlora ndahet 8 me 4 për të majtët, Edi Rama konfirmohet deputet
Mbrëmjen e djeshme përfundoi numërimi i votave edhe në Qarkun e Vlorës. Qyteti bregdetar i jep 8 deputete aleancës së majtë dhe 4 së djathtës. Ky ishte rezultati deri në orët e vona të mbrëmjes kur përfundoi dhe kutia e fundit me vota, ku fletët e votimit të përkthyera në mandate shkojnë plot 6 për PS – në, mes tyre i pari në listë Edi Rama, 1 LSI dhe 1 deputete, Vangjel Dule i PBDNJ.
E djathta ka marrë 3 mandate (fitojnë Astrit Patozi, Arben Ristani e Liljana Elmazi, ndërsa mbetet jashtë Ardian Kollozi, që nuk arriti të marrë të katërtin, ndërsa një mandat është rrëmbyer nga PDIU.
Qarku i Vlores në zgjedhjet parlamentare të 2013 do të përfaqësohet në Parlament me 12 deputetë. Numri i votuesve ne këto zgjedhje është 290 899.
E majta e cila ka qene dominuese në këtë qark, në këto zgjedhje arriti synimin, marrjen e 8 deputeteve edhe pse si koalicion pretendonte 10.
Në zgjedhjet e 2009, Partia Socialiste mori 6 mandate, Partia Demokratike 4 të tilla, PBDNJ 1 mandat dhe në atë kohë PDIU, 1 mandat.
Kukës, PD: Nuk e kemi humbur mandatin e 3-të
Partia Demokratike në Kukës ka përgenjështruar Komisionin Qëndor të Zgjedhjeve por edhe mediat, që kanë raportuar për përfunimin dhe daljen e rezultateve për qarkun e Kukësit, ku është nxjerr në pah fakti se lista e koalicionit të djathtë ka humbur në Kukës mandatin e tretë.
Sipas kreut të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi bëhet e ditur se Partia Demokratike ka fituar numrin më të madh të votave, në qarkun e Kukësit, çka është përkthyer në më shumë mandate në parlament. Ndërkohë që, sipas tij, Partia Socialiste në bashkëpunim dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim kanë mundur të marrin vetëm një mandat.
Sipas Elezit, edhe në këto zgjedhje, ashtu si në ato të vitit 2009, është munduar nga forca të ndryshme politike që të blihen votat e elektoratit por Partia Demokratike, sipas tij, nuk e humbet bastionin e saj në qarkun e Kukësit.





