Deklaratat e bëra nga selia rozë Rama: Do jem kryeministri dhe kryeshërbëtori juaj

Florenc Drizari

ramaRama: Falënderoj Berishën për çdo të mirë që i dha vendit

 

Dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare tw 23 qershorit, teksa ende procesi i numërimit tw votave nuk ka përfunduar nw disa zona, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbajti një fjalim si Kryeministër i vendit, duke u zotuar për realizimin e premtimeve të bëra në fushatën elektorale që sapo lamë pas. Gjatë fjalës së tij, Rama e quajti atë çast si momentin më krenar tw jetës së tij dhe ndërkohë, premtoi fillimin e punës si dhe mosdiskriminimin e atyre që kanë votuar dhe mbajtur një qëndrim kundër para dhe gjatë zgjedhjeve.

EDI RAMA

“Nuk mund të mos u rrëfej sot se ky është moment më krenar i jetës sime. Por midis krenarisë që ndiej për veten dhe përulësisë, që ndiej për besimin e jashtëzakonshëm që keni tek unë, fiton thellë përulësia. Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë imja, pushteti juaj. Nuk do ta harroj këtë, por ju lutem mos e harroni as ju. Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku”,- u shpreh në fund të fjalës së tij, Edi Rama.

PËR BERISHËN

Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama foli edhe për kundërshtarin e tij politike, Sali Berishën. Duke pranuar një pjesë të retorikës së ashpër të tijën në fushatë elektorale ndaj kreut të selisë blu, Rama e falënderoi Berishën për çdo gjë të mirë që i ka bërë vendit.

“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në shoqëri të pazhvilluara si e jona, kur pushteti degradon në pushtetin e një njeriu të vetëm. Falënderoj Berishën për çdo gjë të mirë që ka bërë. I uroj çdo gjë të mirë në jetë e tij private dhe në vazhdim. Dua ta falënderoj për gjithçka ka bërë, që historia nesër mund ta vlerësojë”.

PËR MEDIAN DHE ADMINISTRATËN

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, foli edhe për raportet që ai do të krijojë me median opozitare ndaj tij dhe administratës publike. Sipas tij të gjithë do të meritojnë respektin dhe detyrimin që përcakton ligji.

“Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq. Asnjë rrogëtar, që i shërben këtij shteti falë meritës të ndjehet i kërcënuar, asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit të mos ndjehet i rrezikuar.  Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do t’u provojmë se ndryshimi s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që s’ka bërë keq duke shkelur ligjet e këtij vendi”,- deklaroi Rama.

PËR PROGRAMIN

Duke folur për mbështetjen që mori në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, kryetari i PS-së, garantoi se pas zgjedhjes së tij si Kryeministër do t’i qëndrojë të gjitha premtimeve që ai ka dhënë në fushtën elektorale dhe për këtë u shpreh se sëbashku me grupin e tij do të nisin punën për realizimin e tyre. “Unë e dua këtë vend dhe ndaj luftova kaq fort për të fituar dhe zemra ime e di se çfarë mundësish të pafundme ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e mendjes dhe mendjes shqiptare, për të bërë më të mirën me mundësinë që na u dha për të udhëhequr Shqipërinë. Ne do të udhëheqim. Por as unë, as udhëheqësit për të drejtuar së bashku s’mund ta sjellim të vetëm Rilindje. Dua që ju, njerëzit e këtij vendi të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes”, – tha Rama në fjalën e tij të mbajtur mbrëmë rreth orës 21:30, ndërsa fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga ndërhyrjen e simpatizantëve të PS-së që duartrokisnin qëndrimet e liderit socialist.

 

 

 

 

Zgjedhjet, Paskal Milo uron Ramën për rezultatet

Kreu i i Partisë Demokracia Sociale mbajti dje një konferencë për shtyp në ambientet e selisë rozë, gjatë së cilës uroi kryetarin e PS, Edi Ramën për rezultatet e arritura në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

“Jam këtu para jush për t’ju njoftuar që erdha të përshëndes Kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin e ditëve të ardhshme të Shqipërisë z.Edi Rama. Erdha ta përshëndes për fitoren spektakolare të Partisë Socialiste dhe të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Në këtë fitore, që është njëkohësisht fitore e të gjitha forcave të bashkuara në këtë aleancë, demokracia sociale dha kontributin e vet modest. E, që të gjithë së bashku siç kontribuuam në fitoren e përbashkët do të shkojmë edhe në qeverisjen e përbashkët të vendit. Me këtë rast, ashtu siç e do tradita më e mirë demokratike europiane dhe botërore, nga kjo foltore i bëj thirrje z.Berisha që të dalë përpara shqiptarëve dhe të kryejë aktin qytetar civil të pranimit të humbjes së Partisë Demokratike dhe të uroj Kryeministrin e ri të vendit z.Edi Rama”,- deklaroi Milo. Sipas tij, kundërshtarët duhet të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

 

 

Ayala takon Ramë në PS, uron Metën për rezultatet në zgjedhje

Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala e quajti një moment të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, rezultatet e ardhura në favor të PS-së, ndërkohë që uroi kreu e PS-së si liderin e së majtës. Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste uroi për rezultatet e arritura edhe kreun e LSI-së Ilir Metën. Deklarata e tij u bë gjatë një takimi që ai pati me Ramën në ambientet e PS-së.

“Siç i drejtoj urimet e mia të thella zotit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, në të njëjtën kohë, ia drejtoj edhe zotit Ilir Meta dhe partisë së tij Lëvizja Socialiste për Integrim. Siç ju mund ta kujtoni, unë isha këtu disa javë më parë për të folur me zotin Edi Rama dhe zotin Ilir Meta. Ata provuan se si bashkimi i socialistëve, bashkimi i së majtës, bashkimi i forcave progresiste mund të sjellë një vizion të ri për të ardhmen. Që të dy, Edi dhe Iliri, përfaqësojnë një mundësi të madhe për të çuar vendin përpara, një shans për të krijuar një tjetër mundësi për këtë vend. Jam shumë i kënaqur që të dielën që kaloi, pashë një shoqëri dhe një jetë normale në qytet. Kjo është ndjesia e asaj çka duhet të jetë, pra një demokraci normale për vendin. Ne lamë prapa momentet e vështira dhe na duhet të lëvizim përpara në normalitet për të konsoliduar lirinë dhe të drejtat, për të lëvizur përpara, për të garantuar mirëqënien në një shoqëri demokratike”,- tha Ayala. Ajo që presim në orët në vijim – tha ai, “është që ata që janë në krye të institucioneve, autoritetet, duhet të dalin dhe të njohin rezultatin e prodhuar nga këto zgjedhje të lira dhe numërimi i cili po vazhdon të kryhet. Në fakt, në të gjithë Europën, të gjithë miqtë e mi socialdemokratë, po e festojnë këtë që ka ndodhur në Tiranë.”

 

 

Wollfarth mbyll mandatin në Tiranë, takim lamtumire me Presidenti Nishani

Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim lamtumire, Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth.

Presidenti Nishani shprehu vlerësimin e tij për kontributin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri duke e cilësuar si një faktor të rëndësishëm ndihmues në zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe shtoi se Ambasadori Wollfarth ka një meritë të veçantë në këtë kontribut.

Kreu i Shtetit në vijim u shpreh se procesi zgjedhor, i cili tashmë është në fazën përmbyllëse ka qenë nga më të mirët dhe për këtë OSBE-ODIHR me ndihmën e dhënë si në përgatitjen e kuadrit ligjor ashtu edhe në monitorimin e procesit zgjedhor kanë pjesën e tyre në këtë sukses.

Ambasadori Wollfarth u shpreh i kënaqur me punën e tij në Shqipëri dhe i lehtësuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve duke konsideruar se roli i Presidentit të Republikës në këtë proces ka qenë i rëndësishëm.

Kreu i OSBE-së e falënderoi në mënyrë të veçantë Presidentin Nishani për bashkëpunimin e ngushtë me Praninë e OSBE-së në Tiranë.

Ndërkaq, edhe pse procesi i numërimit të votave ende nuk është mbyllur zyrtarisht, ku mbeten edhe pak zona në numërim, gjatë raportit të ndërmjetëm të prezantuar nga vëzhguesit të misionit të OSBE-ODIHR-it një ditë pas zgjedhjeve, thuhet se Shqipëria arriti disa standarde pozitive krahasuar me ato të vitit 2009. Në raportin e vëzhguesve ndërkombëtar thuhet se procesi i numërimit të votave duhet të përfundojë sa më shpejt duke respektuar kodin elektoral.

 

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :