90-95%, TAP-i do të zgjidhet si projekti për transferimin e gazit

tapiPublikimet dhe mobiliteti janë shkaktuar për faktin se të enjten e kaluar konsorciumi Shah Deniz në të cilin përfshihen BP, Statoil, Total, SOCAR, që operon burimet e gazit të Azerbajxhanit, ka vendosur se kujt do t’i japë të drejtat: TAP-it apo Nabucco West-it

 

Për një fitore të gazsjellësit Trans-Adriatik kundër Nabucco West, i zgjedhur si përçuesi për transferimin e gazit azerbajxhanas në Evropë, flasin në 24 orët e fundit mediat e huaja. Në një faqe interneti informative rumune, e cila citon burime nga zyrtarë të lartë të qeverisë në vend, thuhet se me rreth 90%-95% sipërmarrësit e tubacionit TAP fituan garën ndaj Nabucco-s. Pretendimet se TAP ka fituar janë shtuar pas takimit të premten në Bruksel ndërmjet Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Alijev, dhe Presidentit të Komisionit Evropian, Manuel Barroso. Sipas kësaj faqeje interneti, Presidenti i Azerbajxhanit informoi kreun e Komisionit Evropian se gazi azerbajxhanas do të transportohet në Evropë nëpërmjet tubacionit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).

Zgjedhja

Publikimet dhe mobiliteti janë shkaktuar për faktin se të enjten e kaluar konsorciumi Shah Deniz në të cilin përfshihen BP, Statoil, Total, SOCAR, që operon burimet e gazit të Azerbajxhanit, ka vendosur se kujt do t’i japë të drejtat: TAP-it apo Nabucco West-it. Megjithatë, as konsorciumi Shah Deniz, as Barroso dhe Alijev nuk kanë njoftuar për rezultatin e vendimit që, siç parashikohet, nuk pritet të bëhet para datës 28 qershor, pasi së pari duhet të informohen të gjitha palët e interesuara, grupet e biznesit dhe qeveritë që mbështesin dy përçuesit. Shqipëria, bashkë me Italinë dhe Greqinë, janë vendet që mbështesin TAP-it, sepse nëse zgjidhet, do të kalojë nëpër territoret e tyre. Të mërkurën, 26 qershor, përfaqësuesit e konsorciumit do të vizitojnë Romën, Tiranën Athinën dhe Budapestin për të informuar qeveritë e vendeve të përfshira. Bëhet me dije se ditën e sotme, përfaqësuesit e konsorciumit do të takohen në Bruksel me komisionerin e BE-së për Energji, Gunther Oettinger. Njoftimi zyrtar nga konsorciumi nuk do të bëhet para datës 28 qershor. Megjithatë, vendet “fituese” do ta kenë të vështirë ta mbajnë të fshehtë lajmin pozitiv, është e sigurt se vendimi do të bëhet i ditur shumë më herët.

Çfarë fiton Shqipëria nga TAP-i

Ndërtimi pritet të fillojë në 2015. Piku i kontributit në GDP do të jetë në 2017, me 66 milionë euro vlerë e shtuar. Në total, kontributi në GDP në 2017, përfshirë efektet e tjera shtesë, parashikohet të jetë 157 milionë euro. Piku i punësimit do të jetë në vitet 2015-2017 dhe më pas do të ketë rënie në vitin 2018. Ndërtimi i gazsjellësit vetë si proces parashikohet të hapë 4200 vende të reja pune. Përfshirë efektet e tjera shtesë tek ekonomia, në 2017 parashikohet që vendet e reja të punës të arrijnë në 14.400. Ndërtimi i gazsjellësit do të sjellë 420 milionë euro për GDP-në shqiptare në vitet 2015-2018. Gjatë operimit për 50 vite, 2019-2069, në total përfitimi do të jetë 2.7 miliardë euro, nga të cilat 2.5 miliardë derdhen direkt në arkën e shtetit. TAP parashikon një linjë tubacioni me gjatësi 800 km. Në Shqipëri 204 kilometra kalojnë në tokë dhe 60 kilometra në det. Gazsjellësi parashikohet të transportojë 20 bcm gaz në vit nga Azerbajxhani drejt Evropës.

 

Do të vazhdojë rënia e çmimit të arit

Pas paralajmërimit të FED se vitin e ardhshëm do të heqë programin e blerjes së fletë-obligacioneve, ka pasuar shitja më e madhe e arit në kallëpe, çka i ka minimizuar shanset për ngritjen e çmimit të këtij metali të çmueshëm, ka deklaruar shefi i Sektorit për Metale të Çmueshme në Bankën e Emirateve NBD në Dubai. Gjatë kësaj jave, vlera e arit ka rënë në 96 dollarë apo 6,88 për qind, krahasuar me minimumin trevjeçar prej 1.298 dollarë për një uncë, ka thënë shefi i këtij sektori në bankën NBD, Gerhard Shubert, në raportin e tij javor, transmetojnë agjencitë botërore të lajmeve. Të enjten shefi i FEDU kishte deklaruar se së shpejti mund të ndodhë zvogëlimi i programit për blerjen e fletë-obligacioneve dhe përmbyllja definitive e këtij programi në qershor të vitit 2014, varësisht nga zhvillimet e situatës në ekonominë amerikane, çka ka nxitur shitjen në tregjet globale të aksioneve dhe në tregjet e lëndëve të para. Trendi i rënies së çmimit të arit, i cili vlerësohet si i sigurt në kohërat e krizave dhe të inflacionit të lartë, do të vazhdojë, tha Sgubert.

 

Kur do të mbyllen bankat e këqija?

Ministrat e Financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për mundësinë e mbylljes së bankave të këqija, në mënyrë që të parandalohet vazhdimi i dëmtimit të ekonomisë nga ana e tyre.
Zyrtarët thanë se ministrat kanë diskutuar për këtë çështje afro 20 orë në Luksemburg, por nuk ia dolën të arrinin pajtueshmëri. Raundi tjetër i bisedimeve pritet të mbahet të mërkurën e ardhshme, para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian. Krijimi i një strukture rregulluese të bankave shihet si një pjesë e rëndësishme e ripërtëritjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar.

Share it :