GKA, vazhdon Stambolli në pikturë
Deri në datën 14 korrik në sallën e ekspozitave të përkohshme të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë do të jenë të ekspozuara vepra në pikturë të koleksionit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Në fokus të ekspozitës “Kohë dhe vende: Stambolli” janë 47 vepra të përzgjedhura nga koleksioni i bankës së lartpërmendur me temë peizazhi i Stambollit.
Veprat i përkasin një hapësire kohore që fillon që nga fillimi i shekullit XX e deri në ditët tona. Ekspozita përveç tregimit të Stambollit nëpërmjet syrit të artistëve turq është njëkohësisht edhe një lloj prezantimi i historisë së pikturës së këtij vendi duke qenë se autorët pjesëmarrës janë ndër më të rëndësishmit e historisë së artit të Turqisë moderne. Disa nga autorët më të njohur janë: Ali Riza Bayezit, Hikmet Onat, Ibrahim Çalli, Devrim Erbil, Adnan Çoker etj. Ekspozita është bërë e mundur falë bashkëpunimit të GKA-së me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë dhe Institutin e Kulturës Yunus Emre.
Punimet e “Live art” në ekspozitë
Veprat finaliste të një konkursi të pikturës bashkëkohore në Shqipëri do të ekspozohen në një numër ekspozitash në disa qytete të Shqipërisë në periudhën shtator-nëntor 2013. 25 veprat finaliste të pjesëmarrësve të konkursit “Live Art”, që janë artistë shqiptarë të amatorë ose profesionistë të moshës 18-35 vjeç, do të ekspozohen falas në pesë ekspozitat e planifikuara të çelen me këtë rast në Tiranë, Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Durrës. Në Tiranë kjo ekspozitë do të hapet në galerinë e Universitetit të Arteve “FAP, kur në qytete e tjera në galeritë përkatës.
Klasikët me Çajkovskin te Artet
Ditën e premte, datë 28 qershor, ora 19:00, orkestra simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar në kuadrin e stinës së saj koncertore shkurt-korrik 2013, do të japë në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, një koncert me muzikë klasike nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja.
Në këtë koncert do të luhet “Pas de deux” nga baleti “Arrëthyesi” i Pioter Iliç Çaikovski. Po nga Çajkovski do të luhet edhe uvertura 1812. Në program është edhe “Rapsodia Blu” për piano dhe orkestër me soliste Erlis Kraja nga kompozitori amerikan George Gershwin. Ndërsa nga Brahms do të luhet koncerti për violinë, violonçel dhe orkestër me violinisten Nevila Dergjeni dhe violonçelistin Andi Alimemaj. Kurse në datën 8 korrik, ora 19ºº, do të jepet një koncert në hollin veror “Gjon Simoni” në Radio Tirana.




