PS ripërsërit skenarin e 2009-ës dhe 8 majit Rama shpall fitoren e Rilindjes: Përmbushim premtimin për mandatet, mos preket vota

Gëzim Saliu

edi ramaKreu i PS: Drejtori i policisë dhe zv.drejtori të zbatojnë detyrën, zgjedhjet nuk duhet të njollosen

 

Menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kreu i PS-së Edi Rama shprehu sigurinë e fitores së koalicionit të majtë, duke nënvizuar se premtimi i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për të marrë 77 deri në 80 mandate është përmbushur. Në një dalje për mediat nga selia e PS-së, kryesocialisti e nisi fjalën e tij dje me frazën,: “rilindja ka fituar mbi rrënimin”. “E dyta, Aleanca për Shqipërinë europiane do e realizojë objektivin e shpallur të mandateve.  E treta: Komisionerët dhe KQZ, kanë përpara ligjin elektoral që përcakton qartësisht modalitetet sesi duhet të veprohet kur mbërrihet limiti kohor, ora 19:00”, theksoi Rama.

 

Deklarata

Duke bërë të ditur se e majta e ka të sigurt fitoren e zgjedhjeve, baruar sipas Ramës tek të dhënat që zotëron PS-ja, kreu i socialistëve kërkoi nga drejtori i përgjithshëm i policisë Hysni Burgaj si edhe nga zv.drejtori Agron Kuliçaj që të respektojnë ligjin. “Ndërkohë që populli sovran është shprehur me votim, administrimi i procesit duhet të administrohet. Vullneti i popullit sovrane nuk ka asnjë forcë që e ndalon. Nga ana tjetër u bëj apel të gjithë atyre që si sot paradite në Laç ashtu edhe në pika të tjera të territorit të vendit kanë livadhisur në kundërshtim me ligjin të tërhiqen në skutat e tyre dhe mos guxojnë të veprojnë kundra ligjit. Vota e popullit sovran është në kuti, vendimi i popullit sovran për ti hapur rrugë rilindjes është në kuti dhe e drejta e popullit sovran është që kutitë e votimit të shkoj në rrugën e përcaktuar, në qendrat e numërimit të patrazuara nga askush dhe të mbrojtura nga forcat që përcakton ligji, nga njëra anë administruesit e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër policia e shtetit”, u shpreh kryesocialisti. Më tej, Rama u shpreh se fitorja e PS-së dhe Aleancës për Shqipërinë Evropiane, duhet të shoqërohet edhe me fitoren e vendit, që sipas tij, përcaktohet me zgjedhje me standarde dhe pa njollosje. “Gjaku i pafajshëm që u derdh sot në Laç është një kambanë alarmi për të gjitha uniformat blu që sot janë në detyrë dhe që duhet të qëndrojnë në detyrë për të mbështetur dhe garantuar këtë proces deri në minutën e fundit, deri kur vota e fundit të jetë garantuar”, theksoi ai. Po ashtu, Rama bëri thirrje edhe ndaj komisionerëve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar që ligji dhe modalitet e përcaktuar strikt në ligj duhet të përcaktojnë edhe qëndrimin ndaj atyre zgjedhjeve për ata që presin të votojnë. Më parë Rama shkroi një shënim në rrjetin social Facebook, duke nënvizuar domosdoshmërinë e lënies mënjanë të entuziazmit të parakohshëm. “Edhe sot keni qenë fantastikë! Të dhënat tona të brendshme flasin për fitoren e dëshiruar, por s’ka mbaruar. Mbaron vetëm kur fitorja të vuloset dhe festa të fillojë. Deri atëherë ka ende shumë punë”, shkruante kreu i PS-së Edi Rama.

 

Reagimi i PD

Bregu, Ramës: Kështu e shpalle fitoren edhe në 2009, fitorja e PD-së është e sigurt

Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses së qeverisë Majlinda Bregu hodhi poshtë deklaratat e kreut socialiste Edi Rama, ku sipas të cilave PS dhe aleanca e majtë ka siguruar fitoren e zgjedhjeve. Sipas Bregut, sjellja e kryesocialistit është e njëjta me ato të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Ajo pohoi se fitorja e së djathtës  në këto zgjedhje është e sigurt.  “Rama është kopja e keqe e vetes së tij. Të njëjtën gjë bënte ne 2009. Ju siguroj se emër të PD që sondazhet tona tregojnë se shqiptarët kanë votuar bindshëm për ne. I bëjmë thirrje , të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve tanë të mbyllim me sukses ligjërisht këtë. Edi Rama vulosi disfatën e radhës, por këtë radhë më të thellën. Sondazhet tona dhe trendi i votës së qytetarë konfirmojnë fitoren e aleancës sonë. Zoti Rama shpresoj se ka pasur një pritshmëri të mos humbte thellë, por humbje spektakolare si këtë radhë nuk ka përjetuar asnjëherë”, deklaroi Bregu. Ndërkohë  duke komentuar vrasjen në Laç, zëdhënësja e qeverisë tha se kjo çështje i takon organeve të Prokurorisë. “Viktima nuk ishte votues në Lac, por në Tiranë”, tha Bregu.

 

Meta: Aleanca e majtë ka marrë 80 mandate, LSI si forcë e vetme ka marrë 15-20 mandate

Kreu i LSI-së, Ilir Meta nëpërmjet një konference për shtyp ka shpallur dje fitoren e koalicionit të majtë. Ende pa filluar procesi i numërimit të votave, Meta u shpreh bindur se në kuti do të dalin 20 mandate për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, ndërkohë që LSI sipas tij do të marrë 15 deri 20 mandate. “Dua të falënderoj qytetarët shqiptarë për pjesëmarrje, dua t’ju falënderoj për këtë fitore plebishitare për opozitën dhe për këtë votim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur për LSI-së. Nga të dhënat tona, Aleanca për Shqipërinë Evropian ka të paktën 80 mandate ndërsa LSI ka 15-20 mandate. Fitorja e opozitës ka qenë e ditur prej të gjithëve, edhe suksesi i LSI-së ka qenë i qartë për të gjithë. E rëndësishme është që procesi të vijojë normalisht, të gjithë numëruesit tanë të bëhen pjesë të një procesi të na nderojë si një vend evropian”, tha kreu i LSI-së. Më tej, ai nënvizoi se angazhimi qytetar i paraqitur gjatë procesit të votimit, do të bëjë të mundur arritjen e atyre objektivave  që u bënë sipas Metës, të pamundura nga kryeministri i vendit Berisha.  “Ne do jemi këtu natë e ditë për të mbrojtur këtë fitore, jo për opozitën por për Shqipërinë.  Kur të hapen kutitë nuk do të dalin më pak se 80 mandate, më shumë nuk mbaj përgjegjësi.  Fitorja është në duart tonë, ish-kryeministrit Berisha të reflektojë për ligjin dhe policia e shteti ti qëndrojë ligjit”, bëri thirrje kreu i LSI-së Ilir Meta.

 

PS, Serjani: Populli e vulosi fitoren

Zëdhënësi i përzgjedhur i PS-së nga zyra e shtypi, për të përcjellë mesazhet e forcës më të madhe opozitare në ditën e zgjedhjeve, Florjan Serjani u shpreh dje me bindje për fitoren e socialistëve dhe koalicionit të majtë. “Populli e ka vulosur fitoren. Detyra jonë është ta nxjerrë të paprekur duke mbrojtur çdo votë. Shqiptarët e bënë detyrën e tyre ndaj Shqipërisë. Ata duan Rilindje”, tha ai nga selia e PS. Sipas tij, tashmë detyra e administratorëve është që votat për Rilindjen të numërohen me përpikërinë më të madhe. Serjani theksoi se PS dhe LSI janë përgatitur, janë të gatshëm dhe të vendosur të kryejnë këtë detyrë me ndenjën më të lartë kushtetuese dhe atdhetare. “Kemi fituar zgjedhjet, por duhet të fitojmë standardet e këtyre zgjedhjeve historike. U kërkojmë qytetarëve ta ndjekin me vëmendje të madhe procesin. I kërkojmë policisë të shkëpusë fijet e lidhura me pushtetin. I kërkojmë pushtetarëve të respektojnë vullnetin e popullit sovran. Zgjedhësit e PD nuk duhet të ndjehen të humbur. Ka humbur Saliu dhe çeta e tij. Rilindja dhe për ta. Është mbyllur një epokë krize është hapur epoka e rimëkëmbjes së Shqipërisë”, tha zëdhënësi i Partisë Socialiste.

 

Mashtrimi për votën

Lëvizja Zgjohu: Emigrantët e sjellë nga PS, paguajnë  biletën e kthimit

Drejtuesi i Lëvizjes Zgjohu, Zirkon Disha në profilin e tij në rrjetin social shkruante dje se kandidati për deputet në qarkun e Gjirokastrës, njëkohësisht sekretari për rininë dhe emigracionin në PS, Erion Veliaj ka mashtruar emigrantët, të cilët i solli në Shqipëri për të votuar. “Emigrantet kthehen në Greqi duke Ri-Paguar biletat, i sollën në Shqipëri dhe ju dhanë nga një kontra-bilete si kjo që shihni në foto.  Pasi u siguruan për votën, kontrata me ta mbaroi. Ata u detyruan të paguanin nga xhepi paratë, disa të tjerë humbën ditën e punës”, shkruante Disha.

 

Share it :