Elton Qyno
Kryepolici: Po hetojmë rastet e vendosjes së tritolit në Shkodër dhe në banesën e Kollozit në Vlorë
Helikopterë, 6200 efektiva policie dhe dhjetëra automjete do të vihen në shërbim nga ana e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe procesit zgjedhor gjatë ditës së sotme. Numri i policëve do të përqendrohet në qendrat e votimit dhe në ato të numërimit, ku për çdo situatë të tensionuar dhe kriminale, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, do të ndërhyjë policia, me qëllim shuarjen e konflikteve dhe evidentimin e përgjegjëse. Burgaj, gjatë një daljeje publike para gazetarëve, shpalosi planin e masave që policia ka kryer lidhur me mbarëvajtjen e procesit për zgjedhjet parlamentare. Kryepolici garantoi se çdo punonjës policie është në lartësinë e duhur dhe se për këtë gjatë një kohe të gjatë janë kryer trajnimet e nevojshme, duke mësuar me imtësi zgjidhjen në mënyrë profesionale të konflikteve. Hysni Burgaj siguroi të gjithë punonjësit e policisë se ai do të jetë në krah tyre për çdo sulm apo abuzim nga subjektet politike, që mund të kryhen ndaj efektivave të policisë. Gjithashtu, drejtori u shpreh se në total janë evidentuar 44 incidente dhe ngjarje zgjedhore, nga të cilat 8 raste janë evidentuar para fushatës elektorale dhe 36 raste gjatë fushatës elektorale. Numri më i madh i tyre ka ndodhur në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Shkodrës dhe të Vlorës.
Shpërthimet me tritol
Kryepolici Hysni Burgaj nuk ka lënë pa komentuar edhe katër incidentet tepër të rënda të ndodhura me tritol në Shkodër dhe Vlorë, incidente këto që në dukje shihen si vepra të organizuara nga persona profesionistë dhe tepër të sofistikuar. I pari bën fjalë për vendosjen e tritolit në banesën e kandidatit për deputet të PD-së në Vlorë Ardian Kollozi dhe tre të tjetër në qarkun e Shkodrës, ku shënjestër kanë qenë krerët e PD-së në këtë qark. I pyetur nga gazeta “Standard” rreth hetimeve për rastet e vënies së lëndëve plasëse si dhe mbi faktin se a është arritur të evidentohen, që këto sulme janë kryer nga eksponent kriminal të mbështetur nga politika ose jo, z. Hysni Burgaj u përgjigj: “Hetimet vazhdojnë. Nuk do të ishte komode që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të shprehet tani për sa u takon këtyre hetimeve. Sigurisht ne po punojmë në mënyrë intensive. Këto hetime udhëhiqen nga prokuroria dhe në momentin e duhur do t’u bëjmë me dije”. Më tej kryepolici pas interesimit të gazetarëve për këtë pjesë, është shprehur: “Pak a shumë ne mendojmë rreth kësaj; diskutohet, që është thjesht kërcënim për të trembur për të mos marrë pjesë në fushatë. Mendohet, që është një gjë e tillë. Nuk ka konflikt dhe probleme të tjera. Rreth kësaj po hetojmë. Po hetojmë dhe po punojmë intensivisht për katër rastet, që ne kemi problem. Sigurisht, që kemi të dyshuar. Ata mund të jenë dhjetë, por vetëm njëri është autori. Hetimet vijojnë”.
3312 mitingje
Gjatë kësaj periudhe, nga strukturat e Policisë së Shtetit është menaxhuar siguria publike gjatë zhvillimit të 3312 aktiviteteve elektorale, një shifër kjo mbi dy herë më e lartë se ajo e zgjedhjeve të vitit 2011, duke angazhuar me shërbim shtesë personelin policor për 3603 orë në të gjitha strukturat e policisë. Gjatë këtij procesi zgjedhor, është evidentuar një rënie e numrit të incidenteve zgjedhore dhe ngjarjeve të lidhura me procesin zgjedhor me 16 raste më pak. Në total janë evidentuar 44 incidente dhe ngjarje zgjedhore, nga të cilat 8 raste janë evidentuar para fushatës elektorale dhe 36 raste gjatë fushatës elektorale. Numri më i madh i tyre ka ndodhur në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës e Vlorës. Burgaj thekson se kryesisht kemi të bëjmë me incidente të lehta, ku më të dukshme kanë qenë veprimet për dëmtimet e prishjet e posterave, simboleve, flamujve, e zyrat elektorale të subjekteve politikë, që zënë rreth 65% të numrit të përgjithshëm. Ndërkohë në 25% të rasteve kemi të bëjmë me kanosje, përdorim dhune ndaj përfaqësuesve të subjekteve politike etj.
Marrja në dorëzim të qendrave fillon në orën 18:00.
Udhëzime të posaçme për policinë para shpërndarjes së kutive e fletëve
Për shkak të rëndësisë që kanë detyrat e Policisë së Shtetit në këtë proces vëmendje e veçantë i është kushtuar dhënies së udhëzimeve përkatëse punonjësve të policisë, para shpërndarjes së tyre sipas vendshërbimeve përkatëse, në funksion të përmbushjes më së miri të detyrave që u ngarkon ligji. Për ditën e sotme janë planifikuar për t’u përfshirë në shërbim për mbulimin e KZQV-ve dhe qendrave të votimit 6.200 punonjës policie. Për të garantuar mbulimin me shërbim të të gjithë objekteve zgjedhore është bërë lëvizja e rreth 750 forcave policore nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe dy drejtorive rajonale të Kufirit e Migracionit në drejtim të atyre zonave, ku nuk mbulohej numri i objekteve zgjedhore me punonjësit që ato kanë në organikë. Në këtë kuadër, për të garantuar të drejtën e tyre për të votuar janë marrë masa për vënien në dispozicion të tyre mjete transporti, autobusë. Marrja në dorëzim e objekteve zgjedhore nga shërbimet e policisë parashikohet të fillojë rreth orës 18:00 të ditës së sotme (dje) me mbërritjen e materialeve zgjedhore pranë këtyre objekteve. Policia e Shtetit garanton qytetarët se do të vijojë me angazhim maksimal përpjekjet për të siguruar rend e qetësi në parametra optimal, larg çdo ndikimi politik, duke respektuar ligjin dhe duke i shërbyer me përkushtim qytetarëve të këtij vendi, me qëllim që të shprehin të lirë vullnetin e tyre.
Kukës, keqtrajtohet komisioneri i PS-së
Heshtja zgjedhore është shoqëruar me incidente elektorale përkatësisht në Kukës dhe në Krujë. Mësohet se komisioneri i Partisë Socialiste në Kukës, Petrit Hereni, është dhunuar nga persona ende të paidentifikuar në orën 04:00 të së shtunës në fshatin Nangë. Sipas Herenit, disa persona i kanë hequr flamujt dhe posterat e partisë që kishte vendosur në dyqanin e tij. Hereni rrëfen se kur ka dalë nga banesa me armën e gjahut ka vënë re dy automjete, njëri prej tyre me targa të huaja.
Hereni thotë se është dhunuar nga katër persona që dolën nga njëri prej mjeteve, duke e kërcënuar edhe me jetë. Ai thotë se agresorët ishin banorë të fshatit dhe akuzon ministrin e Brendshëm, Flamur Noka ,për ngjarjen.
Elbasan, vetëvritet një fëmijë 14-vjeçarNjë 14-vjeçar është gjetur i pajetë në Elbasan, ndërsa dyshohet se mund të jetë vetëvarur. Sipas policisë, i mituri A. S. është gjetur i varur në kasollen e bagëtive të familjes së tij në fshatin Ulem. Sipas familjarëve, ai ka qenë duke luajtur me të vëllanë dhe disa shokë, por ka pasur një grindje me të vëllanë dhe më pas është larguar. Familja është vënë në kërkim të tij, sepse ai nuk po kthehej në shtëpi. Ata panë që i riu ishte i varur me një litar në kasolle. Menjëherë e dërguan në spital, por ai nuk mundi të mbijetonte. Policia është duke hetuar për të parë se cilat ishin arsyet që e shtynë 14-vjeçarin drejt këtij akti.
Dukagjin, hidhet në erë ura dhe kanali i HEC-it
Dukagjini është tronditur mëngjesin e së shtunës nga dy shpërthime të fuqishme njëri pas tjetrit. Sipas policisë, shpërthimi i parë ka ndodhur në Komunën Shalë, në kanalin që furnizon HEC-in e Nderlisajt. Po sipas uniformave blu të zonës, pak minuta më vonë një sasi eksplozivi ka dëmtuar urën që lidh aksin Theth – Qafë-Tërthorë. “Paraprakisht mësohet se si pasojë e shpërthimit në hidrocentralin e fshatit Nderlysaj, është dëmtuar rreth 1 metër ura mbajtëse e kanalit të ujit dhe aktualisht është jashtë funksioni ky hidrocentral duke lënë pa energji Komunën Shalë, Shosh dhe Pult. Ndërsa nga shpërthimi në urën e fshatit Theth, është dëmtuar një pjesë e kësaj ure, duke penguar përkohësisht qarkullimin. Dëmtime në njerëz nuk ka”, – tha policia. Kjo e fundit bën me dije se kalimi për në Komunën e Shalës po bëhet përmes rrugës dytësore dhe po punohet për të riparuar dëmtimet.




