Taksa e sheshtë, “magneti” i investimeve të huaja
Ashtu si Shqipëria, edhe mjaft vende të rajonit, si Kroacia, Maqedonia, Kosova etj., përdorin taksën e sheshtë, për t’u bërë më tërheqëse për investuesit e huaj, të cilët preferojnë një sistem të thjeshtë fiskal
Neritan Sejamini, ekspert i politikave publike, një nga kontribuuesit në hartimin e reformës për taksën e sheshtë, ka shpjeguar në një bisedë me radion gjermane “Deutsche Welle” përparësitë e një takse të ulët të sheshtë, në rastin e Shqipërisë. Sipas tij, “një vend me taksa më të ulëta dhe sistem më të thjeshtë fiskal është më tërheqës për investuesit e huaj. Pra objektivi për t’u bërë më tërheqës për investuesit e huaj, ishte një nga arsyet. Megjithatë arsyet kryesore për futjen e taksës së sheshtë kishin të bënin me situatën në vend. Shqipëria prej vitesh përballet me një evazion të lartë fiskal. Një pjesë e madhe e bizneseve përdorin bilance të dyfishta. Është krijuar një sistem për shmangien e taksave, pjesë e të cilit nuk janë vetëm bizneset, por edhe punonjësit e administratës fiskale, të cilët bashkëpunojnë kundrejt korrupsionit. Sigurisht kjo shmangie e detyrimit fiskal ka një kosto, por sa më të larta të jenë taksat aq më e ulët bëhet në raport relativ kjo kosto. Pra një taksë e ulët dhe sistem i thjeshtë tatimor, nxit bizneset të dalin nga informaliteti, dhe kjo ishte një nga arsyet e futjes së taksës së sheshtë”.
Debati
Ashtu si Shqipëria edhe mjaft vende të rajonit, si Kroacia, Maqedonia, Kosova etj., përdorin taksën e sheshtë, për t’u bërë më tërheqëse për investuesit e huaj, të cilët preferojnë një sistem të thjeshtë fiskal. Partia kryesore qeverisëse në Shqipëri, PD, ka premtuar se ajo do të vazhdojë aplikimin e kësaj takse në rast fitoreje në zgjedhje, thekson në komentin e saj “Deutsche Welle”. Ajo vë në dukje se taksa e sheshtë ka ndikuar pozitivisht në reduktimin e ekonomisë informale, duke bërë që shumë biznese të dalin nga informaliteti.
Ndërkaq Partia Socialiste e kritikon taksën e sheshtë si asociale, dhe paraqet si alternativë një taksë progresive dhe norma të ulëta për bizneset e vogla. Një taksë progresive do të sillte një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, duke kërkuar të kontribuojnë më shumë në arkat e shtetit ata që kanë më shumë fuqi ekonomike, theksojnë socialistët.
Fondacioni “Adenauer”
Thomas Schrapel, drejtor i fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë theksoi se është e rëndësishme një taksë e ulët e sheshtë, po ashtu sikurse është i rëndësishëm është zbatimi konsekuent i ligjeve ekzistuese nga administrata fiskale: “Nëse dëgjon mendimin e investuesve, problemi kryesor që ata kanë nuk është edhe aq sistemi fiskal që aplikohet në Shqipëri, por zbatimi me konsekuencë i sistemit. Në të vërtetë nuk ka një expressis verbis, pra një sistem fiskal i cili në mënyrë absolute është më i miri. Është mirë që në të ardhmen të shihen përvojat e vendeve të rajonit. Për Shqipërinë një taksë e sheshtë rezulton tërheqëse për investuesit e huaj, por në fund të fundit më e rëndësishme është siguria për zbatimin me konsekuencë të sistemit të zgjedhur fiskal. P.sh. në praktikë jo gjithnjë është e qartë, qoftë për investuesit e huaj qoftë për ata shqiptarë, se si procedohet me taksën mbi vlerën e shtuar, kur aplikohet ajo etj. Këto janë të rregulluara qartë në ligj, por zbatimi në praktikë jo gjithnjë funksionon. Pra flasim për temën siguri ligjore”, – ka thënë ai për radion gjermane.
Neritan Sejamini
Sipas tij, “një vend me taksa më të ulëta dhe sistem më të thjeshtë fiskal është më tërheqës për investuesit e huaj. Pra objektivi për t’u bërë më tërheqës për investuesit e huaj, ishte një nga arsyet. Megjithatë arsyet kryesore për futjen e taksës së sheshtë kishin të bënin me situatën në vend. Shqipëria prej vitesh përballet me një evazion të lartë fiskal. Një pjesë e madhe e bizneseve përdorin bilance të dyfishta. Është krijuar një sistem për shmangien e taksave, pjesë e të cilit nuk janë vetëm bizneset, por edhe punonjësit e administratës fiskale, të cilët bashkëpunojnë kundrejt korrupsionit.
Bankat greke, me kreditë më të shumta të këqija në vend
Ervin Kaduku
Bankat greke rezultojnë të jenë ato që kanë nivelin më të lartë të kredive të pashlyera në raport me huatë që ato kanë dhënë për qytetarët dhe bizneset. Sipas të dhënave të përpunuara nga tabelat e peshës së bankave, të publikuara nga Banka e Shqipërisë rezulton se Alpha bank, Banka Tirana, banka Credit Agricole (që deri vitin e kaluar ishte në pronësi të grekes Emporiki), dhe NBG kishin një raport shumë më të lartë të huave jo performuese (NPL) në fund të 2012-s, në raport me mesataren prej 23% të gjithë sistemit. Të katërta bankat së bashku, kanë gati 42% të totalit të huave me probleme të të gjithë sistemit, apo rreth 52 miliardë lekë.
Konkretisht, Alpha dhe Tirana kanë gati 42% të stokut të huasë që kanë dhënë, me më shumë se 90 ditë vonesë. Për Credit Agricole (ish-Emporiki) dhe NBG, ky tregues është në rreth 35%.
Bankat greke ishin ndër më aktivet në huadhënie deri në vitin 2008, duke konkurruar me hua me interesa më të ulëta se tregu, si rrjedhojë e fondeve të lira, që merrnin nga bankat mëmë. Sidomos Alpha dhe Tirana Bank shënuan ritme të shpejta të rritjes së kredidhënies në atë periudhë.
Pas bankave greke renditen dy ndër bankat më të mëdha në vend, Intesa Sanpaolo dhe Raiffeisen, që kanë nivel të NPL-ve më të larta se sistemi, përkatësisht 28.4% dhe 23.8%.
Bankat e tjera i kanë NPL-të nën 20%.
Bankat që kanë qenë më aktivet në huadhënie 3 vitet e fundit, Credisn, BKT dhe Societe Generale, janë ato që kanë dhe nivel kredie me probleme më të ulët, përkatësisht 13%, 12.9% dhe 9.3%.
Treguesit
Alpha dhe Tirana kanë gati 42% të stokut të huasë që kanë dhënë, me më shumë se 90 ditë vonesë. Për Credit Agricole (ish-Emporiki) dhe NBG, ky tregues është në rreth 35%.





