Liga e Kampioneve, Skënderbeu njeh rivalet

Altin Vorpsi

 

skenderbeuSipas koeficientit, Skënderbeu është ekipi i dhjetë nga fundi i grupit të skuadrave që do të kërkojnë të kalojnë raundin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve

UEFA i nxjerr para kundërshtaret e mundshme. Ndërkohë që të hënën do të jetë shorti ai që do t’i tregojë Skënderbeun se cilën prej 33 skuadrave të tjera do të sfidojë për të kaluar turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. Për një përballje të madhe, që fati duhet t’ia largojë sa më tutje, Skënderbeu është duke u përgatitur fort.

 

Koefiçenti

Sipas koeficientit, Skënderbeu është ekipi i dhjetë nga fundi i grupit të skuadrave që do të kërkojnë të kalojnë raundin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. Pra, në një grup ku janë plot 34 ekipe mundësitë që ekipi kampion i Shqipërisë të “peshkojë” një skuadër më të dobët se vetja janë shumë të vogla. Por duke qenë se numrat jo gjithmonë tregojnë realitetin atëherë diferencat mund të jenë edhe më të ngushta.

 

Rivalet për t’u evituar

Disa prej rivaleve që Skënderbeu duhet të evitojë janë Viktoria Pëlzenit, Dinamo e Zagrebit, Partizani i Beogradit, Legia e Varshavës dhe Sherifi i Tiraspolit. Të pesta këto skuadra janë shumë të forta për “ujqërit e dëborës”.

 

Rivalet e duhura

Sigurisht që në këtë grup ekipesh ka edhe nga ato që do të jetë një lojë fëmijësh për Skënderbeun ti kalojë. Të tilla janë skuadra që përfaqësojnë Luksemburgun (Fola Esch), Estoninë (Nome Kalju) dhe Letoninë (Daugava Daugavpils).

 

 

Merkato

Partizani zyrtarizon Hoxhën

Alban Hoxha ka firmosur kontratën me Partizanin dhe është zyrtarisht lojtar i ekipit “të kuq”. Pasi ka hedhur firmën mbi kontratë, portieri nga Cërriku ka pozuar zyrtarisht me fanellën e të kuqve, me numrin 1, por edhe bashkë me drejtorin e Partizanit, Eduard Prodani. Ky i fundit ka njoftuar përmbylljen e marrëveshjes edhe përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, duke thënë se çështja e portës së të tijve është një problem i zgjidhur tashmë, pasi i besohet një emri jo pak të spikatur në futbollin tonë. Alban Hoxha u evidentua si portier në radhët e Dinamos, fillimisht si zëvendës i Ilion Likës e më pas titullar, ndërkohë që sezonin e kaluar mbrojti kuadratin e verdhezinjve të Besës. Alban Bekim Hoxha

Hoxha është i datëlindjes 23 nëntor 1987 (25 vjeç), e ka nisur futbollin merr të rriturit në Cërrik, në vitin 2004, pastaj ka kaluar te Dinamo, ku ka luajtur deri në vitin 2009. Në këtë periudhë u transferua për një sezon tek Apolonia e Fierit. Ai regjistron edhe tri ndeshje aktivizim me kombëtaren U-19.

 

Atalanta merr 350 mijë euro

Torino blen 100% kartonin e Bashës

Migjen Basha është 100% një futbollist i Torinos. Tashmë kartoni i mesfushorit të kombëtares shqiptare i përket i tëri klubit granata. Në merkaton e futbollit Italian dje ishte dita e zgjidhjes së bashkëpronësive të klubeve për lojtarët. Pasi nuk u gjet një akord mes Torinos dhe Atalantës që kishin në bashkëpronësi kartonin e 26-vjeçarit kosovar të dy skuadrat ju drejtuan zarfeve. Në këtë procedurë siç e parashikon rregullorja fiton oferta më e lartë e cila me hapjen e zarfeve rezultoi ajo e Torinos që kishte propozuar 350 mijë euro. Me këtë shumë, klubi torinez arriti të sigurojë dhe pjesën e kartonit të Bashës që më parë disponohej nga bergamaskët duke e bërë plotësisht të tijin futbollistin shqiptar. Mësohet se Torni ka dhënë plot 350 mijë euro për gjysmën e kartonit të mesfushorit të Shqipërisë.

 

Merkato

Bogdani ka oferta nga Seria B

Merkatoja sapo ka nisur të trazojë letrat në futbollin italian ku disa pikëpyetje bien edhe mbi shqiptarët që aktivizohen përtej Adriatikut. Njëri prej tyre është Erion Bogdani, e ardhmja e të cilit mbetet në udhëkryq pas përfundimit të kontratës me Sienën. Bomberi kuqezi po studion të gjitha ofertat në drejtim të tij, pasi disa skuadra nga Serie B kanë shfaqur interes për pa pasur në grupin e tyre gjatë sezonit të ri. Në krye të listës qëndron Palermo e trajnerit Gatuzo, i cili kërkon një qendërsulmues për të përballuar sezonin e gjatë pasi disa prej emrave më të mirë të kësaj skuadre pritet që të largohen gjatë javëve të ardhshme. Në këtë aspekt, sicilianët janë skuadra më prestigjioze në listën e gjatë që vazhdon me Rexhinën ku Erion Bogdani ka luajtur gjatë viteve 2000-2003. Ditët e fundit, në garë hyri edhe skuadra e Vareses. Skuadra e drejtuar nga Andrea Agostineli ishte shumë pranë zonës play-off sezonin e fundit që e mbylli në vendin e shtatë dhe afrimi i 36-vjeçarit shqiptar do ta rriste më shumë cilësinë në këtë ekip që synon rikthimin në Serie A pas 40 vjetësh. Një tjetër ish skuadër e Serie A që ka lëvizur në drejtim të Bogdanit është edhe Peskara, por mesa duket, lojtari i kombëtares ka kërkuar kohë për t’i vlerësuar të gjitha ofertat sepse skuadra e radhës me shumë mundësi mund të jetë edhe e fundit në karrierën e tij të gjatë ku ka luajtur 76 ndeshje me ekipin kombëtar duke shënuar edhe 19 gola.

 

 

 

 

 

Share it :