Vazhdojnë ndërtimet e bashkisë, Basha: Ne ecim përpara

Gestjana Musha

bashaHoxha: Eksponentët e Ramës po bëjnë ndërtime pa leje në Tiranë

Çdo objekt pa leje do të prishet

“Rama po e politizon çështjen, të tërheqë njerëzit e tij”

 

Me një investim prej 39 milionë lekësh, ka përfunduar dje rindërtimi i rrugës “Hamdi Cenoimeri”, në njësinë bashkiake numër 6. Në këtë rrugë është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, është realizuar ndriçimi rrugor, ku janë vendosur 32 copë shtylla si dhe janë mbjellë 148 pemë. “Gjatë inspektimit, banorët kanë shprehur kënaqësinë e madhe për përfundimin e kësaj rruge, ndërsa unë dua t’u shpreh sot banorëve vendosmërinë time, për të përfunduar bllokun e pallateve në anë të rrugës, të gjithë rrugicat e kësaj rruge dhe lidhjen e kësaj rruge deri në fund me rrugën e Vaqarrit si dhe asfaltimin, kolektorin, ujësjellësin për pjesën informale, brenda pranverës së vitit të ardhshëm”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. Kjo rrugë që lidh Tiranën me komunën e Vaqarrit ishte kthyer në një shqetësim, për mijëra banorë që e përdornin çdo ditë. Kryebashkiaku Basha ka shprehur angazhimin e tij, për të përfunduar ndërtimin e kësaj rruge deri ne Vaqarr, kolektorin dhe ujësjellësin për zonën informale. “Kushti i vetëm është që kjo marrëdhënie besimi e ndërsjellë midis qytetarëve, bashkisë dhe qeverisë, që është bashkinvestitor në këtë rrugë, të vazhdojë. Ju garantoj se me vazhdimin e këtij bashkëpunimi dhe mirëbesimi, ne do të investojmë në punë si kjo, duke ecur përpara dhe duke mos u kthyer pas në kohën e akuzave të ndërsjella”, – deklaroi Basha.

 

Ndërtimet pa leje

Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Florenc Hoxha, i ka bërë dje thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të kontribuojë në frenimin e ndërtimeve pa leje, duke urdhëruar eksponentët e lartë të partisë së tij të pezullojnë ndërtimet e tyre pa leje në Tiranë. Një nga ndërtimet e prishura gjatë ditës së djeshme ka qenë në rrugën “Pjetër Budi”, në zonën e Qytetit Studenti. Hyrja në fuqi e planit urbanistik përjashton nga çdo lloj mundësi legalizimi të shtesave pa leje dhe fati i tyre do të jetë prishja. “Sot (dje) Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës po vazhdon prishjen e objekteve të tjera pa leje brenda territorit të qytetit të Tiranës. I bëj thirrje Edi Ramës, që të mos e politizojë këtë çështje, po nëse do të kontribuojë në këtë drejtim për të parandaluar ndërtimet pa leje, t’i bëjë thirrje eksponentëve të lartë të partisë së tij, që të pezullojnë dhe të mos ndërtojnë pa leje. Gjithashtu, po ju bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mos shpenzojnë kot në këtë drejtim, pra duke ndërtuar pa leje, pasi nuk do të lejojmë dhe do të godasim çdo objekt pa leje që po ndërtohet apo do të ndërtohet në qytetin e Tiranës.”- deklaroi Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit. Gjatë prishjes të disa shtesave që kishin filluar ndërtimin pa lejen e bashkisë Hoxha theksoi se “asnjë ndërtim pa leje në qytetin Tiranës nuk do të mbijetojë dot”. “Ndërsa Inspektorati vazhdon aksionet e tij gjatë 24 orëve, kryetari i PS po i politizon ato. Të gjitha objektet të cilat janë prishur dhe do të kenë të njëjtin fat edhe në ditët në vijim, janë objekte pa leje dhe jashtë çdo kriteri ligjor, ndërkohë që këto prishje janë bërë duke mos rënë në kundërshtim me procesin e legalizimit”, – përmendi Florenc Hoxha

 

 

25 vjet pa vënë dorë, përfundon rruga “Bajram Allaraj”

Ka përfunduar dje rindërtimi i rrugës “Bajram Allaraj” në njësinë bashkiake numër 2. Me gjatësi 621 metra rruga u ndërtua tërësisht e re, me një investim prej 21.4 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës. Përgjatë kësaj rruge janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të shiut, është vendosur ndriçimi rrugor, janë ndërtuar trotuaret, etj. “Para disa muajsh, kur erdhëm tek “Bajram Allaraj”, takuam banorë që na thanë, 25 vjet nuk ka vënë njeri dorë në këtë lagje. U thamë se kemi projektin, do ta investojmë dhe na thanë, “ishallah!”. Sot i them çdo skeptiku në këtë njësi bashkiake dhe në mbarë Tiranën se ashtu siç përfunduam këtë rrugë brenda një kohe të shkurtër, me standarde maksimale, ashtu do përfundojmë çdo rrugë dhe çdo investim anembanë qytetit të Tiranës, në qendër dhe në periferi, në lagje të reja e të vjetra dhe çdo skeptik duhet ta dijë se ky është fillimi i punës dhe frytet e para të një bashkëpunimi e besimi të ndërsjellë midis qytetarëve të Tiranës, modelit që punon për ta në Bashkinë e Tiranës dhe një qeverie që mbështet Bashkinë e Tiranës, sepse mbështet qytetarët e Tiranës”, – pohoi Lulzim Basha. Kryebashkiaku ka garantuar banorët se në mungesë të një konflikti politik dhe në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, çdo projekt do të kthehet në realitet, duke ndryshuar brenda dy viteve të ardhshme infrastrukturën në të gjithë Tiranën. Duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kthejnë sytë nga investimet e bashkisë , duke i besuar ata , kryetari i bashkisë së Tiranës shprehet: “U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës, kudo që ndodhen, që me sytë nga projekte si ky dhe me bindje në investime si këto, në çdo lagje të Tiranës, t’i japin mundësinë vetes së tyre, familjeve të tyre, duke i dhënë mundësinë Bashkisë së Tiranës, që të ecim përpara për të zhvilluar Tiranën moderne dhe evropiane që shtrihet kudo ku është pragu i derës së çdo qytetari”.

 

 

 

Share it :