Vrasja në Deçan: Ndërhynë ta ndalin një përleshje, mbetën vetë të vrarë

Thyerja e xhamave të një autobusi, para disa ditësh, kishte nisur një konflikt mes dy kushërinjve Dervish e Sali Lushaj nga fshati Shaptej i Deçanit në Kosovë.

51-vjeçari Dervish Lushaj akuzonte familjarët e Saliut se i kishin thyer xhamat e automjetit që ndodhej i parkuar para shtëpisë së tij. Përleshja e fundit mes dy familjarëve u shënua të enjten mbrëma, rreth orë 19:30 dhe përfundoi me dy të vrarë.

Djali 25-vjeçar i Sali Lushajt, Durimi, dyshohet se qëlloi për vdekje vëllezërit Rexhep Ramaj (48-vjeç) dhe Burim Ramaj (34-vjeç), të cilët kishin hyrë t’i ndanin nga përleshja kushërinjtë mes tyre.

Menjëherë pas vrasjes, Policia arrestoi 52-vjeçarin Sali Lushaj si bashkautor i krimit të dyfishtë, ndërsa të premten në mesditë në prangat e autoriteteve policore ra edhe djali i tij, Durim Lushaj, si i dyshuari kryesor për vrasje.

Policia njofton se mbrëmë ka arrestuar edhe Dervish Lushajn, pasi në momentin kur ata mbërritën në vendin e ngjarjes, ai u gjet me një armë automatike në duar.

Express Story sjell detaje dhe rrëfime për vrasjen e dyfishtë.

Share it :