Gjaku i 28 Nëntorit nuk harrohet”, studentët kërkojnë hetim për dhunën policore

Gjaku i 28 Nëntorit nuk harrohet”, studentët kërkojnë hetim për dhunën policore

Studentët kanë dalë në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës, ku ndodhen protestuesit e plagosur gjatë tubimeve të 28 dhe 29 Nëntorit, duke kërkuar hetim të plotë për përdorimin e forcës nga Policia dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

Ata kanë deklaruar se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te efektivët që kanë ushtruar drejtpërdrejt dhunë, por duhet të përfshijë edhe zinxhirin drejtues, përfshirë personat që kanë dhënë urdhra për përdorimin e forcës.

Sipas studentëve, gjatë protestave ndaj demonstruesve janë përdorur gaz lotsjellës, dronë që lëshojnë gaz dhe plumba gome. Ata i kanë kërkuar ministrit të Brendshëm të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale për situatën.

Gjithashtu, studentët i kanë bërë thirrje Avokatit të Popullit të publikojë rastet e raportuara të dhunës, ndërsa kanë kërkuar edhe reagimin e ambasadave për ngjarjet e fundit.

Në përfundim, ata kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë, duke përcjellë një mesazh për atë që ndodhi më 28 Nëntor:

“Gjaku i derdhur nga ne më 28 Nëntor nuk do të harrohet. E vërteta nuk do të mbetet pa zë. Dhuna nuk mund të relativizohet.

Deklarata: Në Spitalin e Traumës ndodhen gazetarë, protestues dhe qytetarë të shumtë. Janë përdorur mjete si gazi lotsjellës, dronë me gaz dhe plumba gome ndaj protestuesve.

Kërkojmë që të merren masa për dhunën policore dhe të nisë një hetim. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.

Nuk mund të themi se dhunën e ushtron vetëm një efektiv. Duhet të ketë përgjegjësi penale edhe për efektivët që japin urdhra.

Ministri i Brendshëm duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale për këtë situatë. I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit të bëjë publike rastet e dhunës, si dhe kërkojmë reagimin e ambasadave lidhur me ngjarjet.

Do ta vazhdojmë protestën dhe gjaku i derdhur nga ne më 28 Nëntor nuk do të harrohet. E vërteta nuk do të mbetet pa zë. Dhuna nuk mund të relativizohet.

Share it :