16,77 milionë euro të tjera për mbetjet në Elbasan pas milionave për inceneratorin
Pasi investoi rreth 21,6 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe ndërkohë që për vitin 2027 parashikohet transportimi i mbetjeve urbane drejt Shkodrës, duke qënë se praktikisht inceneratori nuk funksionon, qeveria ka përfshirë në listën e investimeve me rëndësi kombëtare një projekt të ri prej 16,77 milionë eurosh për infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan.
Përveçse jashtë funksionit, inceneratori i Elbasanit ka qënë në qendër të hetimeve të SPAK me akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre për zyrtarët e përfshirë. Së fundmi edhe administratori i shoqërisë administruese ECI-ELB po hetohet për marrje rryshfeti.
Investimi i ri, i propozuar së fundmi nga Ministria e Mjedisit, është klasifikuar menjëherë si i maturuar, me nivel prioriteti institucional A dhe renditet në nënsektorin e menaxhimit të mbetjeve dhe landfilleve.
Përfshirja e projektit në listën e investimeve prioritare vjen në një moment kur Elbasani, pavarësisht investimeve të kryera ndër vite, ende nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Pas 21,6 milionë eurove për inceneratorin, mbetjet drejt Shkodrës
Sipas Planit Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, kostoja e investimit për impiantin e incenerimit në Elbasan ishte rreth 21,6 milionë euro.
Impianti, i ndërtuar në Bradashesh në kuadër të një kontrate koncesionare, synonte t’i jepte zgjidhje afatgjatë trajtimit të mbetjeve urbane, duke mundësuar edhe prodhimin e energjisë prej tyre.
Por, pas problemeve të vazhdueshme me funksionimin e inceneratorit dhe kalimit të administrimit të tij te shoqëria publike ECO-ELB, dokumentet e projektbuxhetit 2027 parashikojnë një tjetër skemë për menaxhimin e mbetjeve.
Tetë bashki, Elbasan, Librazhd, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Prrenjas dhe Gramsh, parashikohet të përfitojnë financime për transportimin e mbetjeve urbane drejt zonës së menaxhimit të mbetjeve në Shkodër.
Për këtë qëllim parashikohen transferta nga buxheti i shtetit, ndërsa bashkitë do të duhet të kontribuojnë edhe me të ardhurat e tyre.
Kështu, krahas kostove të investimit dhe administrimit të infrastrukturës ekzistuese në Elbasan, financave publike do t’u shtohet edhe fatura e transportimit të mbetjeve drejt një zone tjetër të vendit.
Në të njëjtën kohë, qeveria planifikon tashmë një tjetër investim prej afro 17 milionë eurosh në Elbasan, pa sqaruar nëse transportimi i mbetjeve drejt Shkodrës do të jetë një zgjidhje e përkohshme deri në realizimin e projektit të ri.
Vetëm kostoja e mëparshme e ndërtimit të inceneratorit dhe vlera indikative e projektit të ri arrijnë së bashku në rreth 38,37 milionë euro, pa përfshirë shpenzimet e administrimit, mirëmbajtjes dhe transportit të mbetjeve.
Elbasani përballet edhe me 1,5 milion tonë mbetje industriale
Problematika e mbetjeve në Elbasan nuk kufizohet vetëm te ato urbane. Qyteti përballet prej dekadash edhe me pasojat e ndotjes së trashëguar nga industria e rëndë.
Mbi 1,5 milion tonë mbetje industriale me metale të rënda vijojnë të jenë të depozituara në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin për ndotjen e mjedisit në bashkitë Elbasan dhe Krujë gjatë periudhës 2023–2025, ka evidentuar mungesën e një plani konkret për largimin dhe trajtimin e këtyre mbetjeve, të cilat ndikojnë në ndotjen e tokës, ujërave nëntokësore dhe lumit Shkumbin.
Mbetet e paqartë nëse projekti i ri prej 16,77 milionë eurosh do të adresojë edhe ndotjen industriale të trashëguar. Emërtimi i përgjithshëm i investimit në dokumentin qeveritar nuk specifikon kategoritë e mbetjeve që do të trajtohen.
Afro 60 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve në tri zona
Me përfshirjen e Elbasanit, numri i projekteve të maturuara për infrastrukturën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në listën e investimeve kombëtare rritet nga dy në tre.
Në listën e korrikut figuronte projekti për zonën e mbetjeve të Kukësit, me vlerë indikative prej 18 milionë eurosh, si dhe ai për zonën Vlorë–Gjirokastër, me vlerë 25 milionë euro.
Me shtimin e Elbasanit, vlera e kombinuar e këtyre investimeve arrin në 59,77 milionë euro, nga 43 milionë euro që ishte në korrik, duke shënuar një rritje prej 39%. /ekofin.al



