Tryeza për narko-euron/ Berisha: Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin

Tryeza për narko-euron/ Berisha: Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se zhvlerësimi i euros në Shqipëri përbën një goditje shkatërrimtare për prodhimin vendas dhe eksportet, duke e cilësuar atë si një taksë të rëndë mbi ekonominë shqiptare.

Në tryezën e organizuar në selinë blu me temë “Narko-Euro: pasojat për xhepat e shqiptarëve”, Berisha tha se ky fenomen ka pasoja edhe më shkatërrimtare se piramidat financiare të viteve ’90, ndërsa akuzoi se pas rënies së monedhës evropiane qëndrojnë flukset e parave të pista.

Berisha: Narko euro sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve ’90, efekte dramatike.

Së pari problemi më madhor numër një është origjina e këtij zhvlerësimi me distancë më i madh në planet sipas analizës së Eurostatit, i cili krahasoi 40 monedhat e rëndësishme të botës, raportin e tyre me euron dhe dollarin dhe gjeti se Shqipëria, leku shqiptar sot ka zhvlerësuar raportin me euron, ka një zhvlerësim të euros dhe dollarit 33 dhe 35%.

Asnjë monedhë tjetër në vendet prodhuese kryesore të drogës, Kolumbi e me radhë, në asnjë vend euro nuk ka këtë zhvlerësim.

Në Kolumbi është 8%, në Meksikë është 12%, në vendet e tjera luhatet midis këtyre shifrave. Sipas këtij studimi në Shqipëri arrin në 33 apo 35%.

Por ky zhvlerësim është goditja më e rëndë, më e rëndë që i jepet prodhimit në Shqipëri dhe eksporteve shqiptare. Është goditje shkatërrimtare.

Dhe duke u marrë përsëri me shifrat dhe të dhënat e Eurostatit, prodhimi industrial në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit ka rënë me 15.3%, rënien më të madhe pas Ukrainës, zona më industriale e së cilës Donbasi është e pushtuar nga agresori rus.

E dyta për rënien më të madhe të prodhimit në Evropë renditet Shqipëria.

Eksportet shqiptare nga viti 2022 në vitin 2025 kanë pësuar një rënie prej 28%.

Kjo rënie e euros, rënie nga narko-eurot, nga ato dhomat plot euro që patë në Peqin, dhe që këtu në Tiranë janë me qindra të tilla të fshehura në apartamente.

Dhe qindra e qindra arka nëntokë dhe kontenierë nëntokë.

Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, investimet, mbi investimet dhe eksportin.

Çdo investitor që dëshiron të vijë në Shqipëri duhet të llogarisë taksën 30% të zhvlerësimit të parave të tij.

Çdo eksportues i cili të gjitha shpenzimet në Shqipëri i ka në lekë dhe fitimet i ka në euro duhet të llogarisë se eurot e tij kanë një vlerë 30% më të vogël seç e kishin.

Kjo është një goditje e madhe për prodhimin në Shqipëri, për eksportet në Shqipëri, për vetë strukturën e ekonomisë. Ky është një faktor i verbër që në njëra anë godet prodhimin, deindustrializon vendin, ndërpret procesin e industrializimit të vendit.

Share it :