Nga minimumi jetik 20 mijë lekë tek ulja e tvsh-së për ujin e energjinë dhe rritja e buxhetit për arsimin/ PD propozon 28 amendamente për buxhetin
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar 28 amendamente për projektbuxhetin dhe paketën fiskale, ku propozon vendosjen e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave dhe pezullimin e pagesave për koncesionet me financim nga buxheti i shtetit.
Sipas opozitës, propozimet synojnë orientimin e parave publike drejt përmirësimit të shërbimeve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
“Të gjitha amendamentet synojnë të shndërrojnë buxhetin e shtetit nga buxhet për financimin e korrupsionit në buxhet për financimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratë.
Demokratët kërkojnë rritjen me 30-50% të pagave për administratën publike, rritjen me 30% të pagave në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
Për pensionistët propozohet rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që garanton rritje të përhershme, ndërsa për familjet në nevojë kërkohet dyfishimi i ndihmës ekonomike.
Sa i përket paketës fiskale, PD propozon uljen në 6% të TVSH-së për ujin dhe energjinë elektrike, ruajtjen e normës së përgjithshme të TVSH-së në 20%, vendosjen e taksës së sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve dhe asaj mbi dividendin.
Në amendamentet e opozitës parashikohet gjithashtu pezullimi i kontratave të partneritetit publik-privat që financohen nga buxheti i shtetit, ndërprerja e financimit të koncesionit të laboratorëve, si dhe shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
PD kërkon trefishimin e subvencioneve për bujqësinë dhe të fondeve për ish-të përndjekurit politikë, dyfishimin e fondit për rimbursimin e barnave, si dhe rritjen me nga një pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë.
Mes propozimeve është edhe alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve të prekur nga zhvlerësimi i euros, 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin energjetik dhe nga 1 miliard lekë për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë.
Opozita propozon gjithashtu rritjen me 50% të transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, financimin e kërkimit shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së dhe realizimin e dy projekteve infrastrukturore në qarkun e Beratit.
Amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PD-së për buxhetin dhe paketën fiskale përfshijnë:
Vendosjen e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
Rritjen me 30–50% të pagave për të gjithë administratën publike.
Uljen në 6% të TVSH-së për ujin.
Uljen në 6% të TVSH-së për energjinë.
Pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës.
Dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
Trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
Shkurtimin me 20% të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
Rritjen me 30% të pagave në sektorin e shëndetësisë.
Realizimin e dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
Alokimin e 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve, si pasojë e zhvlerësimit të euros.
Alokimin e 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
Rritjen me 50% të transfertës së pakushtëzuar.
Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
Rritjen e pensioneve dhe vendosjen e një bonusi që garanton rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
Dyfishimin e ndihmës ekonomike.
Rritjen e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
Rritjen me 30% të pagave në sektorin e arsimit.
Dyfishimin e fondit për rimbursimin e barnave.
Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për arsimin.
Anulimin e rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
Trefishimin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
Pezullimin e pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
Anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për shëndetësinë.
Vendosjen e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimin e rritjes së taksës mbi dividendin.
Ndërprerjen e plotë të financimit të koncesionit të laboratorëve.




