Sipas statistikave zyrtare, në fund të muajit tetor vlera e kapitalit të Bankës së Shqipërisë ishte negativ në vlerën e 31.6 miliardë lekëve, me një përmirësim shumë të vogël nga niveli 31.7 miliardë lekë i muajit shtator. Këto janë nivelet më të ulëta historike të kapitalit të Bankës së Shqipërisë.
Që prej fillimit të vitit 2023, kur nisi rritja e shpejtë e normave të interesit, gjendja e kapitalit të Bankës së Shqipërisë ka qëndruar kryesisht në vlera negative. Veç efektit të rritjes së normave të interesit, një ndikim të fortë ka dhënë edhe zhvlerësimi i rezervës gjithnjë e më të madhe valutore të mbajtur nga Banka Qendrore.
Banka e Shqipërisë zotëron një rezervë të madhe në valutë të huaj, si mjet i domosdoshëm për të përballuar nevojat emergjente që mund të ketë ekonomia dhe sektori financiar. Duke qenë se bilanci i Bankës së Shqipërisë raportohet në monedhën vendase, forcimi i vazhdueshëm i Lekut në kursin e këmbimit e ka ulur vlerën në monedhën vendase të rezervave të mbajtura në valutë të huaj.
Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Humbjet në këtë zë u rritën me 79% krahasuar me një vit më parë.
Tendencat e kursit të këmbimit gjatë këtij viti kanë bërë që ky efekt negativ të thellohet. Euro ka arritur nivele të reja minimale historike, ndërsa ritmi i rënies së kursit është përshpejtuar krahasuar me vitin e kaluar. Zhvlerësimi i Euros ndaj Lekut ka arritur pranë nivelit të 6.5% me bazë vjetore dhe kjo reflektohet në zgjerimin e humbjeve nga ndryshimi i kursit.
Sipas të dhënave më të fundit, në korrik të këtij viti vlera e rezervës valutore arriti në gati 8.55 miliardë euro, në rritje vjetore me 17.7%.
Të dhënat e deritanishme zyrtare tregojnë se Banka e Shqipërisë po vazhdon blerjet e valutës në sasi të mëdha edhe këtë vit. Sipas informacionit mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti Banka Qendrore ka blerë gjithsej 524 milionë euro, shifër kjo 224% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke shtuar edhe 139.6 milionë euro të blera në ankandet e tremujorit të parë, vlera totale e blerjeve për 6-mujorin 2026 ka arritur në 663.6 milionë euro.
Pavarësisht se gjendja e kapitalit ngelet negativ, Banka e Shqipërisë vlerëson se mbetet e mirëkapitalizuar në bazë të kapitalit të realizuar, edhe pse forcimi i monedhës Lek përkundrejt monedhave ku është investuar rezerva valutore, ka gërryer kapitalin e saj. Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet apo humbjet nga rivlerësimi janë të luhatshme dhe i nënshtrohen faktorëve ekonomikë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë, që mund të kthehen me ndryshimin e kushteve ekonomike botërore./Monitor





