Investimet publike në Shqipëri programohen të arrijnë nivelin rekord prej 2.23 miliardë eurosh (200.3 miliardë lekë ose 6.9% të PBB-së) në vitin 2027, duke shënuar një rritje me rreth 14% krahasuar me planin e vitit 2026.
Por ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, ky lumë i madh parash nuk do të shkojë në ndërtim rrugësh apo veprash infrastrukturore, por në armatime dhe modernizim ushtarak.
Për herë të parë në historinë e post-komunizmit, mbrojtja dhe siguria ngjiten në majën e piramidës së investimeve publike. Vetëm për programet ushtarake — pa llogaritur Emergjencat Civile — qeveria shqiptare ka programuar 445.2 milionë euro në vitin 2027.
Kjo është plot 101.4 milionë euro më shumë sesa i gjithë buxheti i investimeve për transportin rrugor, i cili mbetet në 343.8 milionë euro.
Ku shkojnë paratë?
Fatura më e lartë individuale në të gjithë buxhetin e vitit 2027 është një projekt investimi i quajtur “Kapacitete të ofruara në modernizim”. Buxheti i shtetit do të paguajë 12.5 miliardë lekë ose rreth 139.2 milionë euro vitin e ardhshëm për këtë projekt.
Ky investim është pjesë e një programi katërvjeçar prej 540 milionë eurosh, i cili financohet përmes një kredie të huaj, por të paspecifikuar. Dyshimet janë se ky program është marrëveshja që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerje armatimi, por për shkak se projekti është i klasifikuar detajet për armatimin e prokuruar mbeten të panjohura.

Paralelisht, po për vitin e ardhshëm, janë programuar 74.6 milionë euro të tjera për blerjen e armatimit të lehtë, municioneve dhe pajisjeve të Forcave Tokësore, ndërsa 60.1 milionë euro do të shkojnë si kësti i radhës për blerjen e një anijeje patrulluese luftarake dhe 50.5 milionë euro të tjera për bateritë e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme.
Përveç 4 zërave të mësipërm, të cilët marrin në total 324.4 milionë euro vitin e ardhshëm, janë edhe 120.8 milionë euro të tjera, të cilat shkojnë në projekte më të vogla ushtarake. Mjetet e transportit dhe ato speciale për ushtrinë do të marrin 11.6 mln euro, ngritja e Shkollës së Aviacionit merr 11.2 mln euro.
Sistemi anti-dron do të paguhet 10.2 mln euro, blerja e avionëve shumërolësh 9.6 mln euro, ndërsa dronët do të marrin 6.7 mln euro, përvec investimeve në rrjetin sekret të NATO-s si dhe bazën e Pashalimanit dhe Kuçovës.
Vetëm fillimi
Shifrat e programit afatmesëm buxhetor tregojnë se viti 2027 nuk është një përjashtim, por standardi i ri. Ndërsa investimet për rrugët parashikohet të mbeten të ngrira rreth fashës 340–355 milionë euro në vit, fatura e ushtrisë do të vazhdojë të rritet me ritme të shpejta: në 530.5 milionë euro në vitin 2028, për të kapur majën prej 609.8 milionë eurosh në vitin 2029.
Në total, gjatë katërvjeçarit 2026–2029, Shqipëria planifikon të shpenzojë gati 2 miliardë euro (174.93 miliardë lekë) vetëm për armatime, mjete luftarake dhe baza ushtarake — plot 560 milionë euro më shumë sesa e gjithë shuma e programuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare në të njëjtën periudhë.

Kjo faturë e lartë ushtarake diktohet nga nevoja për të përmbushur detyrimet strategjike ndaj NATO-s dhe për të garantuar sigurinë kombëtare në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të paparashikueshëm.
Megjithatë, kjo zhvendosje e qendrës së gravitetit buxhetor shtron një sprovë të madhe për ekonominë shqiptare përballë nevojave jetike për infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi, por edhe domsdoshmërisë për të shpenzuar më shumë për pensionet.
kapitali




