Një pronë e konfiskuar, një tjetër jo/ “Loja” e Prokurorisë së Vlorës me tokat e Artur Shehut

Nga Boldnews.al

Një seri hetimesh në Prokurorinë e Vlorës dhe, së fundmi edhe në Prokurorinë e Posasçme (SPAK) e kanë identifikuar Artur Shehun, një shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara, si një lojtar të rëndësishëm në përvetësimin e tokave në bregdet në forma anti-ligjore.

I larguar nga Shqipëria në vitin 1998, Shehu u rikthye në qendër të vëmendjes pas një hetimi të zhvilluar nga autoritetet italiane në vitin 2022, kur u arrestua një ish-gjeneral i Guardia di Finanza, Fabrizio Lisi. Ish-ushtaraku i rëndësishëm kishte marrë “dhuratë” një tokë rreth 30 mijë metra katrorë në bregdetin e Vlorës nga Artur Shehu.

Por, emri i tij u “ndërkombëtarizua” fuqishëm, pasi ai zotëronte tokat në Zvërnec, hapësirë të cilën kryeministri Edi Rama vendosi ta shndërrojë në resort për kompanitë e lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ndërkombëtarizimi” i Artur Shehut

Ekspozimi i tij në këtë histori nxiti autoritetet belge që të dërgonin në vendin tonë materiale kompromentuese ndaj Shehut, ku ai shfaqej si personazhi kryesor në një takim narko-trafikantësh në ishullin e Karaibeve, Aruba. Në atë takim, siç thuhet nën zë, ishte edhe një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, emri i të cilit nuk është bërë publik.

Megjithatë, identikiti i këtij njeriu misterioz tashmë është vizatuar dhe, ai duket se ka qenë edhe “kumbari” në marrëveshjen e dhurimit mes Artur Shehut e ish-gjeneralit italian, Lisi.

Në foto: Takimi në Aruba në dosjen hetimore të SPAK-ut

Artur Shehu, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), si pjesë e një grupi kriminal narkotrafiku, duket se ka shtrirë hegjemoninë e tij në pronat e Vlorës, nëpërmjet ndikimit të fuqishëm në institucionet lokale, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë.

Së fundmi, Prokuroria e Vlorës njoftoi se ishin konfiskuar prona, në vlerë tregu 16 milionë euro, të gjendura në zonën e Ujit të Ftohtë dhe që lidhen drejtëpërdrejtë ose indirekt me Artur Shehun.

Ky vendim u mor pasi më herët, Pëllumb Petritaj, përfaqësuesi zyrtar i Shehut, ishte dënuar me 7 vjet burgim në vitin 2019 për falsifikimin e dokumentave. Prokuroria dhe më tej gjykata e konsideruan Petritaj fajtor për manipulimin e dokumentave, me të cilat u fituan 32 mijë metra katrorë tokë nga familjarët e afërt të Artur Shehut, konkretisht Kutbi, Ramis dhe Mejreme Shehu.

Në foto: Pëllumb Petritaj, përfaqësuesi i Artur Shehut

Por, ndërkohë që ky rast u bë publik, Prokuroria e Vlorës ka kaluar tërësisht në heshtje një tjetër zhvillim, të ndodhur së fundmi, kur ajo ka refuzuar hetimin për një tjetër rast që lidhet me dokumenta të falsifikuar pronësie, të lidhura me Artur Shehun.

Dy rastet janë shumë të ngjashëm në tipologji dhe i bashkon fakti i falsifikimit të dokumentave. Por, trajtimi i tyre në Prokurorinë e Vlorës ka qenë tërësisht i ndryshëm.

Tokat në Kaninë

Gjykata e Vlorës urdhëron prokurorin Erion Shqarri, njëkohësisht edhe drejtues i komanduar i Prokurorisë së qytetit, që të kryejë hetimet për disa prona të konstatuara si të falsifikuara të familjarëve të afërt të Artur Shehut, në zonën e Kaninës.

Vendimi është marrë në datë 8 tetor 2026. Në mars të vitit 2023, prokurori Shqarri vendosi mosfillimin për hetimin e dokumentacionit të mbi 10 mijë metrave katrorë, të përfituara nga familjarët Bedini, të afërt të Shehut. Sipas prokurorit, çështja është shqyrtuar edhe më parë, ndaj nuk kishte vend për hetim.

Në foto: Vendimi i gjykatës së Vlorës për regjistrimin e procedimit penal

 

Por, gjyqtari Ertil Meçaj ka vendosur shfuqizimin e vendimit mosfillimit, duke konstatuar se dokumentacioni i konstatuar më herët si i falsifikuar është përdorur nga familjarët Bedini, dajat e Artur Shehut, për t’i regjistruar ato në Hipotekë, në vitin 2020.

Historia 30-vjeçare

Historia e kësaj prone është tipike me ato që kanë ndodhur prej vitesh, jo vetëm në Vlorë, por edhe në shumë qytete të tjera shqiptare.

Në Shkurt të vitit 1996, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë njohu trashëgimtarët e të ndjerit Muhamed Bedini si pronarë të disa parcelave tokë në zonën e Kaninës, me një sipërfaqe totale prej rreth 10 mijë metra katrorë. Ndërkohë, për një sipërfaqe prej më shumë se 2 mijë metra katrorë, të pretenduar prej tyre, u refuzua regjistrimi, për shkak të problemeve me mbivendosjen.

Përfituesit e atij vendimi, Niazi, Agim, Luan dhe Besim Bedini rezultojnë familjarë të afërt, familjarë të Shehut, i shfaqur së fundmi në historinë e dyshimtë të projektit të Zvërnecit.

Në foto: Artur Shehu

Një palë tjetër që pretendonte pronën në të njëjtën hapësirë në Kaninë, bëri kallëzim penal për falsifikim dokumentash ndaj përfituesve. Sipas pretendimit të kësaj pale, trashëgimtarët Bedini kishin mbivendosje me pronën e tyre.

“Falsifikimi” i pronës

Në vitin 2009, Prokuroria e Vlorës konstatoi të drejtë pretendimin se trashëgimtarët e familjes Bedini kishin përfituar pronën mbi dokumenta të falsifikuar. Megjithatë, për shkak se, nga koha e kryerjes së falsifikimit, deri në momentin e konstatimit të falsifikimit, kishin kaluar më shumë se 5 vjet, Prokuroria vendosi në atë kohë që të pushonte hetimin ndaj personave të dyshuar, për shkak të parashkrimit.

Në vitin 2020, familjarët e Artur Shehut i drejtohen sërish gjykatës, kësaj radhe për t’i njohur dhe kthyer pronën prej më shumë se 2 mijë metra katrorë, e cila nuk u ishte kthyer nga vendimi i Komisionit të Pronave në vitin 1996.

Në foto: Pamje panoramike e zonës së Kaninës, Vlorë

Pas depozitimit të kësaj kërkese, aktivizohet edhe Avokatura e Shtetit. Kjo e fundit, me një padi në Gjykatën e Vlorës, kërkon që familjes Bedini t’u hiqet e drejta e pronësisë për të gjithë tokën e përfituar në vitin 1996, me sipërfaqe rreth 10 mijë metra katrorë, për shkak të problematikave me dokumentat e përfitimit të pronësisë.

Gjykata, në 9 mars 2020, vendosi të rrëzojë kërkesën e Avokaturës së Shtetit, pasi konstatoi problematika proceduriale në dorëzimin e padisë, e konkretisht, në faktin që ai institucion nuk kishte marrë Autorizim nga Këshilli i Ministrave për të ndjekur këtë çështje gjyqësisht.

Në të njëjtën ditë, pra në 9 mars 2020, i njëjti gjyqtar, vendosi të pranojë kërkesën e familjarëve Bedini, duke urdhëruar Agjencinë e Kadastrës që të regjistrojë në emër të tyre sipërfaqen mbi 2 mijë metra katrorë.

Në këtë vendim, gjykata shprehet: “…(Falsifikimi) është konfirmuar me vendimin për pushimin e procedimit penal nr. 1268/2009 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Megjithatë, gjykata vlerëson se ky dokument nuk ndryshon përfundimet e arritura në këtë proces gjyqësor, pasi ekspertes i është vënë në dispozicion dokumenti origjinal dhe ka arritur në përfundimin se prona e njohur dhe kthyer trashëgimtarëve të subjektit Muhamed Bedini është në përputhje me dokumentin e tyre të origjinës”.

Në foto: Pjesë nga vendimi i Gjykatës së Vlorës, viti 2020

Në terma më të thjeshtuar, gjykata pranoi se prokuroria më herët kishte konstatuar falsifikimin, por, përsa kohë që ai hetim ishte pushuar për shkak të parashkrimit, vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave të vitit 1996 mbeteshin në fuqi. Përfundimisht, familjarëve Bedini iu njoh edhe pjesa e sipërfaqes që qëndronte e bllokuar prej shumë vitesh.

Pronarët kufitarë, të cilët pretendonin gjithashtu hapësirën prej të paktën 2 mijë metra katrorë, dorëzojnë një kallëzim të ri penal në Prokurorinë e Vlorës.

Gjykata rrëzon prokurorin Shqarri

Në vitin 2023, prokurori Erion Shqarri, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Vlorës, vendosi mosfillimin e këtij procedimi penal.

Në vendimin e tij, prokurori argumenton se nuk mund të kryhen hetime, pasi kjo çështje, për të njëjtat fakte dhe të njëjtat pretendime, është gjykuar njëherë dhe ka marrë vendime të formës së prerë. Pala e interesuar bëri ankim në gjykatë, duke kërkuar urdhërimin e Prokurorisë që të kryejë hetime.

Gjykata e pa situatën shumë më ndryshe nga prokurori. Gjyqtari i çështjes vlerësoi se çështja nuk ishte parashkruar. Sipas tij, dokumenti me origjinë të falsifikuar të familjes Bedini, është përdorur në procesin gjyqësor të vitit 2020 për regjistrimin e sipërfaqes së tokës mbi 2 mijë metra katrorë.

Në foto: Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Erion Shqarri

Gjyqtari thotë se kjo është një rrethanë e re, e cila nuk është përfshirë në periudhën e parashkrimit. Mbi bazën e kësaj analize, gjykata vendosi të pranojë ankimin e palës së interesuar, duke urdhëruar prokurorin Erion Shqarri të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetimet e nevojshme.

Ndërkohë që institucionet e drejtësisë vijojnë prej vitesh shqyrtimin e këtij rasti, disa prej palëve në konflikt civil, përfshirë personin që ka kundërshtuar pronësinë e familjes Bedini, kanë ndërruar jetë. Nga ana tjetër, situata bëhet akoma më e ndërlikuar, pasi të dyja palët kanë nënshkruar kontrata sipërmarrje me kompani të ndryshme, për zhvillimin e projekteve ndërtimore.

Share it :