Berisha: Identifikimi elektronik në zgjedhje u keqpërdor në mënyra nga më të ndryshmet nga PS
Partia Demokratike ka shprehur rezerva ndaj identifikimit elektronik në zgjedhje, pasi sipas kryetarit të saj, Sali Berisha, kjo teknologji është keqpërdorur në mënyra të ndryshme nga Partia Socialiste.
Në përgjigje të një qytetari, Berisha deklaroi se PD po shqyrton akuzat dhe paditë lidhur me këtë proces, duke pretenduar se ekzistojnë dëshmi të qytetarëve të regjistruar nga pajisjet si votues, edhe pse nuk kanë marrë pjesë në votim.
Shkëlzen Mustafa: Zoti Berisha, përse hoqi dorë Partia Demokratike nga identifikimi elektronik në zgjedhje?
Sali Berisha: Partia Demokratike ka një qëndrim hezitues sepse ai u keqpërdor nga Partia Socialiste nëpër në mënyra nga më të ndryshmet.
Dhe ne po shqyrtojmë me radhë të gjitha akuzat dhe paditë që ekzistojnë.
Për shembull, unë mund t’ju jap këtu me dhjetëra- dhjetëra dëshmi dhe deklarata të qytetarëve, të cilët nuk kanë votuar, të identifikuar nga pajisja.
Të tjerë, i keni parë filmimet, i kemi parë në Elbasan, në vende të tjera se si abuzohet me pajisjen.
Pra nuk është pajisja, ajo është një pajisje, është një mjet që kontrollohet tërësisht nga qeveria.




