Berisha: Rreth 1 miliard euro shpenzime operative për hajdutët, çdo qindarkë mbi 300 milionë është e tepërt
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për abuzime masive me fondet publike përmes shpenzimeve operative dhe investimeve me kosto të fryra.
Gjatë konferencës për mediat për projektbuxhetin e vitit 2027, Berisha deklaroi se shpenzimet operative afro 1 miliard euro janë të pajustifikuara, duke pretenduar se çdo shumë mbi 300 milionë euro është e tepërt dhe mund të përdoret për financimin e minimumit jetik.
Berisha: Pra, ku fle hajduti?
Tek investimet dhe tek shpenzimet operative.
Po si ka mundësi të rrisësh shpenzimet operative në rreth 1 miliardë para xhepi për hajdutët e administratës.
Në asnjë mënyrë.
Çdo qindarkë mbi 300 milionë është e tepërt.
Çdo qindarkë.
Vetëm nga ato mund të ndash rreth gjysmë miliardi.
Pa asnjë diskutim!
700 milionë minimumi duhet të ngushtohet investimet me kosto strastosferike që vjedhin.
U them edhe njëherë qytetarëve shqiptarë, kostoja e ndërtimit nga viti 2013 gjer sot, sipas manualeve ndërkombëtare të ndërtimit, manualit të BE dhe SHBA, kostoja e ndërtimit në këto vite është rritur vetëm me 40 përqind. Jo tamam 40 biles.
Kostoja e ndërtimit në Shqipëri është rritur me 800 përqind, me 1000 përqind nga vjedhja, nga vjedhja, nga vjedhja.
Ndaj dhe, thashë të paraqes disa nga qëndrimet tona më të prera, duke garantuar qytetarët shqiptarë se këto janë 100 përqind të mundshme.




