Një bashkim kompanish i udhëhequr nga “FUSHA” SHPK, së bashku me “ALBA KONSTRUKSION” SHPK, “ZENIT&CO” SHPK dhe “GRAMA” SHPK, është shpallur fitues i tenderit të Bashkisë Himarë për ndërtimin e shëtitores së Borshit (Loti I dhe Loti II).
Kontrata ka një fond limit prej 1,66 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 18 milionë euro. Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë i kryesuar nga Fusha e fitoi këtë procedurë me një ofertë prej 1,58 miliardë lekësh ose rreth 17.15 milionë euro me kursin zyrtar të dokumenteve, që përbën 95% të fondit limit.
Si u zhvillua gara
Ndonëse në procedurën e prokurimit u regjistruan katër pjesëmarrës, në fazën finale nuk pati konkurrencë reale për shkak të skualifikimeve të tre operatorëve të tjerë. “ARKONSTUDIO” SHPK dhe “INERTI” SHPK u skualifikuan automatikisht pasi nuk dorëzuan ofertë ekonomike dhe as dokumentacionin e kërkuar në sistemin elektronik.
“PE – VLA – KU” SHPK, e cila paraqiti një ofertë prej 1,63 miliardë lekësh, u skualifikua për mosplotësimin e 8 kritereve ligjore dhe teknike. Sipas dokumentit të Bashkisë Himarë, kësaj kompanie i mungonte sigurimi i ofertës, numri minimal prej 200 punonjësish, kapaciteti projektues, si dhe stafi inxhinierik e makineritë e nevojshme.
Modeli “Himara”
Ky tender i bashkohet një serie procedurash të zhvilluara së fundmi nga Bashkia e Himarës, e cila për vitin 2026 ka parashikuar një buxhet rekord prej rreth 130 milionë eurosh për tendera publikë, duke u renditur si fuqia e dytë buxhetore lokale në vend pas Bashkisë së Tiranës.
Prokurimet në këtë bashki janë karakterizuar shpesh nga mungesa e konkurrencës reale dhe skema të njohura si “gara me tek ofertë” ose oferta fiktive sa për të krijuar idenë e garës.
Në rastin e tenderit 1.8 milionë euro për Ujësjellësin e Qeparoit, dy kompani (“KUPA” SHPK dhe “SENKA” SHPK) paraqitën oferta pothuajse identike në kufijtë e fondit limit, duke shërbyer si mbulesë vizuale për garën.
Në dy procedura të tjera me vlerë nga 2.76 milionë euro secila (për rehabilitimin e fasadave në lagjen Stefanel dhe sistemimin e përroit të Koramit), garat u mbyllën me vetëm një ofertues të vlefshëm, duke i shpallur fitues me vlera që arrinin deri në 98.5% të fondit limit.
Për shkak të kësaj skeme ku ofertuesit skualifikohen ose paraqesin oferta formale, kursimi i fondeve publike në këto procedura ka mbetur minimal, duke u luhatur rreth 3% deri në 5% të vlerës së parashikuar.
Kapitali




