Kaos i plotë në PS/ Njëri i bie gozhdës tjetri patkoit për përjashtimet
Deputetët socilaistë kanë dhënë versione të çorientuara dhe kontradiktore gjatë emisioneve politike lidhur me sanksionet ndaj kolegëve të tyre duke diskredituar dhe më keq një vendim personal të marrë pa asnjë konsultim paraprak
Ashtu sikurse ndodh gjithmonë kur veprimet ndërrmerren vetëm me urdhrin spontan të njëshit, në PS askush nuk po di të përgjigjet për ato që u konsideruan si përjashtimet e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të Partisë. A janë përjashtuar vërtet? Nëse po a duhej votuar për këtë? A është propozim që do të formalizohet më pas? Në të gjitha studiot e mbrëmjve të së hënës ku u diskutua kjo temë, eksponentët socialistë i binin njëri gozhdës tjetri patkoit pa ditur ti japin publikut dhe mbështetësve të tyre një mesazh të qartë.
Gjithçka filloi të shtunën pasi në mbledhjen e asamblesë më dyer të mbyllura Edi Rama shpalli se Spiropali dhe Ndreca përjashtoheshin nga PS, ndërsa Veliaj, i cili e meritonte gjithashtu këtë fat, do të kursehej pasi “i kishte duart të lidhura”.
Menjëherë pas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, doli para mendiave dhe i devijoi përgjigjes duke u fshehur pas sloganit “këto janë çështje të brendëshme” që i takojnë antarësisë dhe jo publikut.
Ndonëse në asnjë vend demokratik linçimi i asaj që ka qenë numri 2 i shtetit dhe ministre e jashtme, nuk mund të jetë çështje sekrete e një sekti, Klosi e mbajti këtë qëndrim, pasi nuk dinte ç’të thoshte më tepër
Pak kohë më pas, siduket me vesh të shkulur nga Rama, ai u detyrua të vetëkrigjojë qëndrimin e tij të parë. Me anë të një statusi në Facebook, ai e konfirmoi përjashtimin, por për të hequr vëmendjen sulmoi mediat duke thënë se nuk ishin përjashtuar nga partia, siç u la të kuptohej prej tyre, por nga forumet drejtuese.
“Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia” shkroi ai.
Po mirë, pasi goditja e këtyre dy “armiqve” u konfirmua, pyetja tjetër ishte: si u mor ky vendim, kush votoi për të, përveç shprehjes së vullnetit të Ramës? Këtu Klosi nuk jepte dot tjetër, veçse përgjigje absurde: “Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë”.
Por, ajo që Klosit i dukej e qartë, për deputetët socialistë ishte krejtësisht e paqartë. E ftuar në emisionin “Off the Record”, në A2CNN, Aulona Bylykbashi i trajtoi përjashtimet si proces të pa mbyllur, duke mos ditur se cila qe linja që duhet të mbronte. “Jo, nuk mendoj që u shkel statuti. Mendoj që në raport me këtë vendimmarrje, që akoma nuk është vendimmarrje e plotë, sepse çdo vendim ka të përcaktuara strukturat që e marrin atë dhe këtë e përcakton po statuti, është një gjë në proces që po diskutohet në strukturat përkatëse që ky statut përcakton”, u shpreh deputetja e Elbasanit. Pra ajo që është e qartë dhe e përfunduar për Klosin është e paqartë dhe në vijim për Bylykbashin.
Akoma dhe më keq u paraqit në të njëjtën orë me kolegen e tij edhe zv.kryetari i grupit parlamentar, Erion Malaj, i cili foli në Report TV. Edhe ai u fsheh pas sekretit partiak duke lënë të kuptohet se akoma nuk mund të flitet për një vendimarrje përfundimtare: “Janë çështje të brendshme që nëse nuk do të ishin kështu do të ishin publikuar në livestream. Ne kemi një statut, rregullat tona dhe strukturat drejtuese, nëse do të ketë nevojë, Kryesia ose grupi do të dalin me vendimmarrje formale, por në këtë moment që flasim nuk kemi asgjë për të komentuar për çështje të brendshme të familjes socialiste”, tha ai.
Por, kulmi ndodhi me intervistën e Plarent Ndrecës në “Opinion”. Ndërkohë që Klosi deklaronte se e kishin përjashtuar dhe ish kolegët e tij të hutuar pretendonin se për këtë do kishte vendimarrje të më vonshme, Ndreca bëri një pyetje gati gati naive dhe të pafajshme: “Mirë që më kanë përjashtuar, por të më thonë se nga më kanë përjashtuar.
Ai shpjegoi se është vetëm anëtar partisë dhe nuk është pjesë e asnjë forumi dhe vijoi. “Por ndërsa Klosi thotë se PS nuk bën përjashtime nga antarësia dhe unë s;jam i zgjedhur askund tjetër, atëherë ç’vendim kanë marrë për mua”?
Por, ndoshta për këtë askush nuk ka faj dhe duhet pyetur vetëm Edi Rama që vendosi ta sanksionojë Plarent Ndrecën në nerva e spiër, pa e ditur se ç’rol luante ai. Eshtë ajo historia e njohur e dikujt që hedh një gurë në lumë, e pastaj të gjithë janë të detyruar ti shkojnë nga pas.
LAPSI.AL




