Skandali i 15 milionë dokumenteve: Çfarë fshihet pas rrjedhjes më të madhe në historinë e Deutsche Bank
Një arkivë prej mbi 15 milionë dokumentesh të brendshme — emaile, biseda të regjistruara dhe raporte konfidenciale — ka shpërthyer si një bombë në zyrat qendrore të Deutsche Bank në Frankfurt.
E nxjerrë nga dy sinjalizues dhe e analizuar nga një konsorcium mediash ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Financial Times, kjo rrjedhje masive ekspozon një tablo të errët shkeljesh: nga qindra miliona dollarë të lëvizura për Jeffrey Epstein dhe planet e fshehta për zgjerim në Rusi, deri te fshehja e rrjedhjes së taksave të Donald Trump dhe rrëfimet e brendshme se banka operonte praktisht “jashtë ligjit dhe rendit”.
Tregjet reaguan menjëherë, duke i ulur aksionet e gjigantit gjerman me deri në 6% sapo u publikuan zbulimet e para. Ky skandal godet drejtpërdrejt në zemër të narrativës së rimëkëmbjes që banka ka ndërtuar me mund gjatë viteve të fundit.
Kur Christian Sewing mori drejtimin e Deutsche Bank në vitin 2018, pas një vargu turpesh që i kishin kushtuar institucionit mbi 18 miliardë euro gjoba që nga viti 2012, ai u prezantua si reformatori i rreptë që do të pastronte bilancet dhe do të vendoste kontrolle të hekurta.
Por dokumentet e reja vizatojnë një profil krejt tjetër: atë të një drejtuesi që në prapaskenë nxiste marrjen e rreziqeve të mëdha, anashkalonte departamentet e kontrollit të brendshëm (compliance) dhe u fshihte aksionerëve e rregullatorëve gjerësinë e vërtetë të problemeve.
Përmbajtja e dosjes lexohet si një katalog i të gjitha maktheve të mbikëqyrjes bankare. Ndërsa zoti Sewing fliste në publik për pastërti morale dhe ligjore, ai planifikonte zgjerimin e operacioneve në Rusi, duke shpërfillur paralajmërimet e ekipeve të rrezikut për lidhjet me oligarkët.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se banka procesoi rreth 582 milionë dollarë transaksione të dyshimta të lidhura me Jeffrey Epstein — një shumë shumë më e lartë sesa ishte pranuar më parë. Edhe në Uashington, banka luante me zjarrin: gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump, Deutsche Bank nxori aksidentalisht deklaratat e tij tatimore dhe vendosi ta mbante këtë gabim të fshehtë nga Shtëpia e Bardhë, me dijeninë e plotë të shefit të saj.
Më shqetësuese se rastet individuale është gjendja e infrastrukturës së bankës. Në një pranim të brendshëm përpara rregullatorëve, drejtuesit e institucionit kishin rrëfyer se banka po operonte praktisht “jashtë ligjit dhe rendit” për shkak të sistemeve të vjetruara teknologjike dhe qeverisjes së dobët.
Kur kihet parasysh se Deutsche Bank proceson mbi 1 trilion euro transferta ndërkombëtare çdo ditë, dështime të tilla nuk janë thjesht një problem i Frankfurtit, por një rrezik sistemik për financën evropiane.
Mbrojtja e bankës është e parashikueshme. Drejtuesit e saj këmbëngulin se dokumentet i përkasin të shkuarës, se rregullatorët janë njohur me to dhe se mes viteve 2019 dhe 2025 institucioni ka shpenzuar 7 miliardë euro për të forcuar kontrollet e brendshme.
Megjithatë, ky argumentim çalon në një pikë themelore: kjo nuk është më historia e një grupi tregtarësh të papërgjegjshëm në Londër apo Nju Jork që vepronin pa dijeninë e qendrës. Këtë herë, gjurmët e vendimeve çojnë drejtpërdrejt në zyrën e njeriut që ndodhet ende në krye.
Për bankierët dhe mbikëqyrësit në Evropë, skandali i ri vjen në momentin më të keq. Teksa kontinenti përpiqet të bindë botën se tregjet e tij financiare janë të sigurta, të rregulluara dhe të gatshme për të konkurruar me Wall Street-in, banka më e madhe e ekonomisë më të madhe evropiane gjendet sërish në bankën e të akuzuarve.
Zoti Seëing shpenzoi shtatë vjet duke bindur tregjet se Deutsche Bank kishte lënë pas krahëve të shkuarën e saj të errët. Me 15 milionë dokumente mbi tavolinë, pyetja e vetme që mbetet është nëse vetë banka mund të lërë pas krahëve zotin Sewing.




