Sot seanca e radhës ndaj Erion Veliaj, Plarent Ndreca mbërrin në GJKKO
Avokati Plarent Ndreca është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të zhvillohet seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në seancën e kaluar, gjykata lexoi një shkresë të dërguar nga Veliaj prej paraburgimit të Fierit, përmes së cilës ai kundërshtonte transferimin nga paraburgimi i Tiranës drejt atij të Fierit.
Në dokumentin e tij, Veliaj pretendonte se ishte transferuar pa u informuar paraprakisht dhe pa iu bërë e ditur se ku do të dërgohej. Ai theksonte se me këtë vendim ishte larguar rreth 100 kilometra nga gjykata ku po zhvillohet procesi ndaj tij, por edhe nga bashkëshortja, dy fëmijët e mitur dhe nëna e tij pensioniste.
Po ashtu, kryebashkiaku pretendonte se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e kishte vizituar pas transferimit në Fier dhe i kishte thënë se ky veprim ishte kryer me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama.




