Një qeveri që kërkon dialog me protestuesit, por refuzon të dëgjojë biznesin
Paketa fiskale e vitit 2027 nuk është thjesht një debat mbi taksat. Ajo është shndërruar në një provë të marrëdhënies së qeverisë me ekonominë, të besueshmërisë së institucioneve dhe të kuptimit që pushteti i jep dialogut në një demokraci.
Shqipëria po përjeton një moment të pazakontë politik dhe shoqëror. Protestat masive, veçanërisht revolta e studentëve, kanë nxjerrë në sipërfaqe një pakënaqësi që shkon përtej kërkesave të një grupi të caktuar shoqëror.
Ato reflektojnë një krizë më të thellë besimi ndaj institucioneve, ndaj mënyrës së ushtrimit të pushtetit dhe ndaj aftësisë së shtetit për të garantuar drejtësi, transparencë dhe përgjegjshmëri.
Pikërisht në këtë klimë, qeveria shqiptare ka zgjedhur të paraqesë një paketë fiskale që ndryshon ndjeshëm marrëdhënien e shtetit me sipërmarrjen dhe konsumatorin.
Projektpaketa për vitin 2027 parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, rritjen e TVSH-së për akomodimin nga 6 në 10%, si dhe uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.
Paralelisht, ajo ofron lehtësime në tatimin mbi pagat për fashën nga 200 deri në 700 mijë lekë dhe ulje të TVSH-së për produktet ushqimore bazë në 6%.
Nuk ka asgjë të papranueshme në parim që një qeveri të kërkojë rishpërndarjen e barrës fiskale për të mbështetur shtresat me të ardhura më të ulëta. Përkundrazi, një politikë e tillë mund të jetë shprehje e përgjegjësisë sociale të shtetit.
Por problemi fillon kur rishpërndarja zëvendëson analizën ekonomike, kur objektivat politike mbizotërojnë mbi qëndrueshmërinë e investimeve dhe, mbi të gjitha, kur vendimmarrja përjashton pikërisht ata që duhet të mbajnë një pjesë të konsiderueshme të kostos së saj.
Paradoksi i dialogut: protestuesit ftohen, biznesi injorohet
Në përpjekje për të përballuar presionin e protestave, Kryeministri ka zgjedhur gjuhën e dialogut. Është një zgjedhje që, në vetvete, meriton të mbështetet. Çdo qeveri demokratike duhet të dëgjojë qytetarët e saj, përfshirë ata që kërkojnë largimin e saj nga pushteti.
Por këtu shfaqet një kontradiktë e vështirë për t’u shpjeguar.
Ndërsa protestuesit, që ngrenë akuza të rënda politike për korrupsion dhe lidhje të dyshuara të pushtetit me interesa kriminale, ftohen të ulen në tryezë, përfaqësuesit e biznesit nuk kanë pasur mundësinë e një konsultimi të mirëfilltë për ndryshime që ndikojnë drejtpërdrejt investimet, punësimin dhe konkurrueshmërinë.
Kjo nuk është thjesht një përshtypje. Të gjitha shoqatat, në deklaratat e tyre për shtyp u ankuan publikisht se projektligjet nuk u konsultuan dhe se tekstet përfundimtare iu paraqitën Këshillit Tatimor vetëm pak përpara dërgimit në Parlament.
Duket sikur dialogu është shndërruar në instrument të menaxhimit të krizës politike, në vend që të jetë një parim i përhershëm i qeverisjes.
Por dialogu nuk mund të jetë privilegj i atyre që protestojnë më fort. Ai është detyrim institucional ndaj të gjithë aktorëve që preken nga vendimmarrja publike.
Një qeveri që dëgjon vetëm kur përballet me presionin e rrugës, por jo kur i paraqiten argumente ekonomike, rrezikon të japë një mesazh të rrezikshëm: se racionaliteti dhe përfaqësimi institucional vlejnë më pak sesa aftësia për të prodhuar krizë.
Kapitali nuk është një burim fiskal i pashtershëm
Rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% përfaqëson një ndryshim veçanërisht të rëndësishëm. Nuk bëhet fjalë për një korrigjim të vogël teknik, por për një rritje prej 87.5% të normës së tatimit.
Në një ekonomi ku tatimi mbi fitimin e korporatave mbetet 15%, barra e kombinuar mbi fitimin e shpërndarë rritet nga 21.8% në 27.75%.
Ky ndryshim prek drejtpërdrejt kthimin e investitorit mbi kapitalin e angazhuar.
Natyrisht, fitimi i kapitalit duhet të tatohet. Por politika fiskale nuk mund të injorojë faktin se kapitali është gjithnjë e më i lëvizshëm dhe se Shqipëria konkurron për investime me ekonomi të tjera të rajonit.
Një investitor nuk vlerëson vetëm normën e tatimit. Ai vlerëson stabilitetin e saj, cilësinë e institucioneve, sigurinë juridike dhe mundësinë për të planifikuar kthimin e investimit në një horizont shumëvjeçar.
Kur rregullat ndryshojnë papritur, pa konsultim dhe pa një periudhë të arsyeshme tranzicioni, kostoja nuk kufizohet te tatimi shtesë. Ajo përfshin edhe një prim më të lartë rreziku për të investuar në Shqipëri.
Edhe Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se rritja e tatimit mbi dividendin mund të ndikojë vendimet e financimit të korporatave, duke favorizuar përdorimin e borxhit kundrejt kapitalit.
Në një vend që ka nevojë për investime produktive, teknologji dhe vende pune të kualifikuara, ky është një efekt që nuk mund të shpërfillet.
TVSH-ja: një lehtësim social që kërkon analizë më të thellë
Qeveria argumenton se rritja e normës standarde të TVSH-së kompensohet nga ulja e saj për produktet ushqimore bazë. Sipas Ministrisë së Financave, rritja e normës standarde pritet të sjellë 10.6 miliardë lekë, ndërsa ulja e TVSH-së për ushqimet do të kushtojë 12.8 miliardë lekë në të ardhura të munguara.
Ky është një argument që meriton shqyrtim serioz, jo refuzim apriori. Megjithatë, ndikimi real mbi familjet varet nga struktura e konsumit dhe nga shkalla me të cilën ulja e TVSH-së do të transmetohet te çmimet përfundimtare.
Në tregje me konkurrencë të kufizuar, një pjesë e lehtësimit fiskal mund të mbetet në hallkat e tregtimit, ndërsa rritja e normës standarde mund të reflektohet më drejtpërdrejt në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera.
Për bizneset, rritja e TVSH-së nuk përkthehet domosdoshmërisht në një kosto përfundimtare, kur ekziston e drejta e plotë e kreditimit. Por ajo mund të ndikojë likuiditetin, administrimin dhe kërkesën e konsumatorëve.
Pikërisht për këtë arsye nevojitet një analizë e plotë e ndikimit, sipas sektorëve dhe kategorive të të ardhurave, përpara se ndryshimet të miratohen.
Problemi nuk është vetëm sa taksa paguhen, por çfarë bëhet me to
Ekziston një dimension tjetër, ndoshta edhe më i rëndësishëm, që debati mbi paketën fiskale po e lë në hije. Legjitimiteti ekonomik i taksimit nuk buron vetëm nga e drejta ligjore e shtetit për të mbledhur të ardhura.
Ai mbështetet edhe në besimin se këto të ardhura administrohen me eficiencë, transparencë dhe ndershmëri.
Kur qytetarët protestojnë kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, ndërsa bizneset përballen me rritje të barrës fiskale, pyetja bëhet e pashmangshme: përse zgjidhja kërkohet fillimisht te taksat dhe jo te cilësia e shpenzimeve publike?
Përpara se të kërkojë më shumë nga sipërmarrja, qeveria duhet të demonstrojë se ka shteruar mundësitë për të reduktuar shpenzimet joeficiente, për të përmirësuar administrimin e kontratave publike dhe për të luftuar evazionin e korrupsionin.
Akuzat politike për korrupsion nuk mund të trajtohen automatikisht si përgjegjësi penale të provuara. Por ato krijojnë një detyrim edhe më të madh për transparencë dhe llogaridhënie.
Nuk mund të kërkohet sakrificë fiskale nga ekonomia private pa ofruar një standard bindës përgjegjshmërie në administrimin e parasë publike.
Një mundësi për të rikthyer racionalitetin në qeverisje
Shqipëria nuk ka nevojë për një konflikt të ri midis shtetit dhe biznesit. Ajo ka nevojë për një marrëdhënie të re, të mbështetur në rregulla të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë.
Prandaj, qeveria duhet të ndërmarrë një hap që nuk kërkon as kosto buxhetore, as kompromis me interesin publik: të krijojë një proces real konsultimi për paketën fiskale, të publikojë analizat e ndikimit dhe të shqyrtojë alternativat e propozuara nga sipërmarrja.
Parlamenti, nga ana e tij, nuk duhet të shndërrohet në një noter të vendimeve të ekzekutivit. Ai ka përgjegjësinë të dëgjojë palët dhe të korrigjojë masat që mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë afatgjatë.
Në fund, kjo paketë fiskale është më shumë sesa një provë për politikën ekonomike të qeverisë.
Është një provë për kulturën e saj demokratike. Sepse demokracia nuk matet vetëm nga gatishmëria për të dialoguar me ata që kërkojnë largimin e qeverisë. Ajo matet edhe nga aftësia për të dëgjuar ata që investojnë, punësojnë, prodhojnë dhe kontribuojnë çdo ditë në financimin e shtetit.
Një qeveri mund të ketë shumicën parlamentare për të miratuar taksat. Por shumica parlamentare nuk e zëvendëson besimin, as konsultimin dhe as përgjegjësinë për pasojat e vendimeve të saj.
Dhe në një ekonomi që ka nevojë mbi të gjitha për besim, dëmi më i madh i kësaj pakete mund të mos jetë ai që shfaqet në bilancet e bizneseve, por ai që mbetet në marrëdhënien midis shtetit dhe atyre që mbajnë gjallë ekonominë./ Monitor




