Djali poshtë maskës

Djali poshtë maskës

Nga Redjan Shkëmbi

Unë jam Redjan Shkëmbi, student.

Kur më pyesin se me çfarë merrem, kam vetëm një përgjigje: me protestën.

Mund të isha duke studiuar, duke punuar, duke aktruar apo duke dalë me të dashurën.

Por nuk më kanë lënë rrugë tjetër.

Jam 22 vjeç dhe shumicën e ditëlindjeve i kam festuar me një karrige bosh në krye të tryezës. Ishte vendi i babait tim. Ai ishte larg, në një shtet tjetër, duke punuar, duke u lodhur, duke sakrifikuar rininë dhe jetën e tij që ne të kishim një jetë më të mirë.

Edhe pse isha fëmijë, e kuptoja që babai nuk mungonte nga dëshira. Por a e dini sa e vështirë është për një fëmijë të mësohet me faktin që idhulli i tij nuk është kurrë aty për të? Unë nuk doja dhurata. Nuk doja para. Doja vetëm që, kur të fiknim qirinjtë, babai të ishte aty. Të më përqafonte. Të më thoshte: “Gëzuar ditëlindjen, zemra e babait”. Por ai ishte larg.

Pas kaq vitesh, e vetmja gjë që mbaj mend prej ditëlindjeve të mia nuk janë dhuratat. Është ajo karrige bosh.

Prandaj jam në protestë.

Për tim atë. Ai nuk erdhi dot as kur vdiq e ëma e tij, gjyshja ime.

Kurse im vëlla ishte rrugëve të Europës, në kërkim të një pune, pa dokumente. Deri në sekondën e fundit para se të mbyllte sytë, gjyshja priti me sytë nga dera… jo për tim atë, por për tim vëlla. Nipi që ajo kishte rritur. Që ka vite në dhé të huaj, me sytë përherë pas shpine, se mos e kapin.

Ai, sigurisht, nuk erdhi. Mund ta imagjinoni? Të marrësh lajmin që ajo iku dhe të mos mundesh as t’i puthësh ballin për herë të fundit?

Prandaj unë, edhe po të mos doja, DUHET të jem aty, në protestë.

Për tim vëlla.

Po. DUHET.

Isha 12 vjeç dhe ishte 8 Marsi. Mbaj mend që doja t’i blija mamit një dhuratë. Doja ta surprizoja. Doja ta bëja të lumtur. Por nuk kishim para. Dhe më kujtohet që dola, mblodha disa hekura dhe kanaçe, i shita dhe me ato pak lekë bleva një lule artificiale.

Një lule që kushtonte 120 lekë.

E mora në duar dhe shkova te mami. Ndoshta për dikë ishte një lule pa vlerë. Ndoshta ishte thjesht një objekt plastik. Por për mua ishte shumë më tepër. Ishte gjithë dëshira ime për ta gëzuar njeriun që më kishte dhënë gjithçka. Dhe sot, kur e kujtoj, nuk më dhemb që nuk kisha para. Më dhemb kur mendoj atë fëmijë që mblidhte kanaçe, vetëm për të parë mamin duke buzëqeshur.

Po! Unë protestoj edhe për një lule.

Sepse këta kanë ndërtuar një sistem ku ti të mos dalësh nga varfëria kurrë. Të mos ngresh kokë. Të mos ngresh zë. Përherë i nënshtruar dhe pa asnjë mundësi.

Prandaj, kjo…

Sepse unë nuk dua të iki!

Unë nuk dua të bëhem një tjetër numër në statistikat e emigracionit.

Nuk dua të jem një fotografi në murin e shtëpisë sime, një dhomë e mbyllur që pret kthimin tim, një i huaj që telefonon një herë në javë.

Prandaj duhet të jem aty!

Sepse ky sistem po normalizon atë që është e padrejtë dhe po bën të pranueshme atë që nuk është njerëzore.

Sepse nuk mund të jetë normale që një baba të humbasë fëmijërinë e djalit të vet për të siguruar bukën.

Nuk mund të jetë normale që një fëmijë të mbledhë kanaçe për t’i blerë nënës një lule.

Dhe nuk mund të jetë normale që një i ri të duhet të zgjedhë mes vendit të tij dhe së ardhmes.

Unë duhet të PROTESTOJ!

Jo sepse e urrej këtë vend, por sepse e dua.

Dhe dua që një ditë, kur të kem fëmijët e mi, të mos u tregoj histori për një baba që mungonte, për një vëlla që nuk arriti të kthehej, për një lule të blerë me kanaçe.

Dua t’u tregoj se ne u përpoqëm që ata të mos i përjetojnë kurrë këto histori.

Nuk kemi rrugë tjetër! / piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.

Share it :