Paketa fiskale/ Teliti: Shqiptarët do paguajnë 200 milionë euro më shumë në 2027
Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka kundërshtuar paketën e re fiskale, duke deklaruar se pavarësisht uljes së TVSH-së për 54 produkte, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të përballen me një barrë financiare më të lartë gjatë vitit të ardhshëm.
I ftuar në News24, Teliti u shpreh se nga përllogaritjet financiare rezulton që qytetarët dhe bizneset do të paguajnë në total rreth 200 milionë euro më shumë.
Ai e cilësoi problematike edhe deklaratën se paketa do të jetë asnjanëse, duke theksuar se kjo do të thotë se barra fiskale nuk po lehtësohet realisht.
Duke u ndalur te ulja e TVSH-së për 54 produkte, Teliti argumentoi se efekti i kësaj mase do të ishte i plotë vetëm në kushtet e një tregu me konkurrencë të lirë dhe të ndershme.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka një treg të tillë, por një treg oligopolistik, ku një grup i kufizuar operatorësh kontrollon importin dhe tregtimin e shumë prej produkteve që konsumojnë familjet shqiptare.
Dorian Teliti: Nëse thuhet se kjo paketë do të jetë asnjanëse, jemi në një derexhe. Qytetarët do të paguajnë 200 milionë euro më tepër vitin e ardhshëm. Janë zërat që merren një e nga një dhe, po të bësh llogarinë financiare, ne qytetarët dhe bizneset do të paguajmë në total 200 milionë euro më shumë.
Po, do të ketë ulje të TVSH-së për 54 produkte. Efekti i uljes do të jetë i plotë nëse do të ishim në një treg perfekt. Nëse tregu ka konkurrencë të plotë, atëherë ulja e taksave sjell ulje çmimesh. Ne nuk jemi treg i konkurrencës së lirë dhe të ndershme, por oligopolistik. Shumica e produkteve që konsumojmë janë produkte importi, që importohen nga një grup njerëzish.
Do të doja shumë që kjo të ishte ulje çmimesh, por do të shihni në janar mazhorancën që do të thotë se bëri ulje të taksës, por nuk u reflektua në ulje çmimi.
Kur ke një rritje të taksës, siç është nga 20 në 21%, ajo reflektohet automatikisht në produktet e tjera, përveç këtyre 54 produkteve. Këto do të rriten të gjitha.




