Gazment Bardhi ka reaguar pas gjobës prej 5 milionë lekësh të vendosur ndaj 17-vjeçarit që mori pjesë në protestën e së shtunës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson vendimin një akt çnjerëzor dhe të papranueshëm, duke theksuar se bëhet fjalë për një të mitur jetim, të cilin shteti duhet ta mbrojë dhe jo ta ndëshkojë.
Demokrati i ka bërë thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të revokojë gjobën e vendosur ndaj të riut.
Të gjobisësh me 5 milionë lekë një fëmijë jetim, vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, nuk është thjesht një akt i paligjshëm, por një akt çnjerëzor, mizor dhe thellësisht i papranueshëm.
Shteti ka detyrimin të kujdeset për këtë fëmijë, ta mbrojë dhe t’i garantojë të drejtat e tij, jo ta gjobisë, ta frikësojë apo ta ndëshkojë në mënyrë arbitrare.
Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt antihuman, i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që, qoftë edhe për pak sekonda, të lërë mënjanë bindjen dhe shërbimin politik ndaj Edi Ramës, të revokojë gjobën e vendosur ndaj këtij fëmije dhe të tregojë, të paktën një herë, se në ushtrimin e detyrës së tij ka mbetur ende një grimcë njerëzillëku.
Sepse policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të pushtetit. Dhe shteti nuk duhet të kthehet kurrë në instrument frikësimi dhe ndëshkimi ndaj më të pambrojturve.”- shprehet Bardhi.




