Onkologjiku pa ilaçe/ Si po aktivizon Klodiana Spahiu, planin izraelit të Edi Ramës. Po SPAK pse hesht?

Nga Boldnews.al

Në përfundim të një marrëveshjeje dy-vjeçare, të nënshkruar në verën e vitit 2024 me disa kompani farmaceutike, Ministria e Shëndetësisë ka “ngritur duart lart”, duke njoftuar qendrat spitalore se ka mungesë të disa medikamenteve që përdoren për kurimin e sëmundjeve tumorale.

“Boldnews.al” mëson se në Farmacitë Spitalore mungojnë 8-9 medikamente të tilla, për të cilat Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e Klodiana Spahiut, sugjeron që të zëvendësohen me medikamente të tjera. Argumenti është sa i thjesht, aq edhe alarmues: nuk ka fonde për të vijuar blerjen e medikamenteve, të cilat janë bazë e kurave për një numër të konsiderueshëm pacientësh tumoralë.

Mungesa e medikamenteve, sidomos për sëmundjet tumorale, nuk përbën më një risi. Por, momenti që Ministria e drejtuar nga Klodiana Spahiut njofton strukturat vartëse për mungesën e fondeve përkon me kohën kur ky institucion pritet të shpallë për Konsultim Publik iniciativën e kryeministrit Edi Rama për kalimin e Spitalit Onkologjik nën administrimin e një subjekti privat.

Klodiana Spahiu u emërua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtator të këtij viti, pas dorëheqjes “së papritur” të paraardhëses, Evis Sala. Argumenti zyrtar për dorëheqjen e Salës ishte se ajo “do të ndiqte rrugën e saj akademike”.

Në foto: Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu

Opozita parlamentare dha një tjetër informacion. Sala u detyrua të dorëhiqej, pasi nuk pranoi të vijonte procedurat pikërisht për zhvendosjen e Onkologjikut në duar të grupeve private. Duar, të cilat, po sipas opozitës, kontrollohen nga Sani Sanileviç, një mik izraelit i kryeministrit Rama dhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael.

Ndryshon kura, rrezikon pacientin

Ndryshimi i kurës për pacientët, sidomos për ata tumoralë, është një moment shumë delikat dhe pasojat mund të jetë të rrezikshme, deri në fatale.

Mund të ndodhë që, në një moment, tregu farmaceutik të ketë mungesa të një medikamenti të caktuar. Por, kjo që po ndodh aktualisht në sistemin shëndetësor shqiptar nuk lidhet me mungesën e prodhimit të ilaçeve.

Ministria e Shëndetësisë njofton strukturat vartëse se ka mungesë të medikamenteve të caktuara, për shkak të mungesës së fondeve dhe jo të ilaçeve të caktuara.

Në foto: Spitali Onkologjik, Tiranë

Dhe, zgjidhja që është ofruar, është ndryshimi i kurës me medikamente të ngjashme. Por, a ndodh kështu në realitet?

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka bërë një denoncim të fortë mesidtën e kësaj të Premteje (6 nëntor 2026) në rrjetet sociale.

Ai thotë se medikamenti Phsego, një ilaç shumë i domosdoshëm për kurimin e kancerit të gjirit, nuk gjendet më në Farmacinë Spitalore. Për këtë arsye, sipas tij, mjekët janë orientuar që t’u rekomandojnë pacientëve një tjetër medikament, Herpestinë.

Literatura botërore mjekësore sugjeron se një medikament mund të ndryshohet me një tjetër vetëm në rastet se kanë përmbajtje dhe aktive të ngjashme ose të përafërta.

Në rastin konkret, Herpestina nuk e zëvendëson absolutisht Phsego-n. Agjencia Europiane e Mjekësisë (EMA) thotë se medikamenti “Phsego” përmban dy substanca aktive, Pertuzumab dhe Trastuzumab. Ndërsa medikamenti “Herceptin” përmban vetëm një substancë aktive, Trastuzumab.

Në këto raste, substanca aktive që mungon në një medikament, mund të plotësohet si ilaç më vete. Megjithatë, efektet nuk janë të dëshiruara për pacientët dhe kurimi i tyre mund të ndalet ose të kryejë regres.

Pse mungojnë medikamentet?

Në vitin 2024, Ministria e Shëndetësisë zhvilloi një tende gjigand, me vlerë rreth 40 milionë euro, për blerjen e medikamenteve të ndryshme. Mes tyre gjendeshin edhe ilaçe që përdoren për kurimin e pacientëve tumoralë. Për të dhënë një shembull më konkret, në atë tender 40 milionë euro, u porosit edhe “Phesgo”, për një vlerë rreth 2.5 milionë euro.

Kontrata kishte afat 24 muaj dhe ajo përfundoi në mesin e vitit 2026. Prej asaj kohe, Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë më furnizime me medikamentet e porositura. Ndërkohë që titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë u ndryshuan, plotësimi i nevojave spitalore me medikamente, sidomos për Spitalin Onkologjik, mbeti në harresë.

Dhe, vjen momenti, që rezervat në Farmacitë Spitalore përfunduan, ndërkohë që nuk ka një kontratë aktive për vijimin e furnizimit. Ministria e Shëndetësisë, aktualisht thotë se nuk ka fonde për të blerë të tjera dhe, të paktën deri në fund të vitit, mjekët duhet të rekomandojnë medikamente alternative.

Ministria e Shëndetësisë, si edhe vetë qeveria, ka treguar një neglizhencë “vrastare” për furnizimin e medikamenteve për pacientët tumoralë.

Strategji për projektin e Sanit?

Situata është në një fazë, ku përmblidhen tre probleme madhore: 1. Ministria nuk ka fonde për të blerë medikamentet e deritanishme; 2. Ministria nuk mund të kryejë tendera, pasi, edhe nëse ato realizoheshin, furnizimet do të mbërrinin, më së paku pas tre deri në gjashtë muaj; 3. Mjekëve u sugjerohet që të ndryshojë kurën e pacientëve me ilaçe “të vjetra”, duke mos i pasur të qarta pasojat.

Pra, situata duket me të vërtetë e errët. Por, qeveria ka një “zgjidhje perfekte”. Të vihet në zbatim “Plani Sani”.

Në foto: Sani Sanileviç, sipërmarrës izraelit dhe mik i kryeministrit Edi Rama

Në korrik të vitit 2024, Rama deklaroi për herë të parë se është menduar që qendra spitalore të ndryshme, por sidomos Onkologjiku, do të asistohet nga grup menaxherësh të huaj.

“Do të ketë grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për ti shpërblyer profesionistët sipas meritës”, deklaroi ai në një takim me stafin e Spitalit Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë (QSUT).

Si në shumë raste të ngjashme, edhe kjo ide “inovatore” e Ramës duket se fsheh një interes financiar, i cili nuk ka shumë lidhje me përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Shumë zëra publikë dhe opozitarë kanë ngritur dyshimet e forta se pas “grupit të menaxherëve të huaj” të Onkologjikut qëndron Sani Sanileviç, një sipërmarrës izraelit, i cili është shumë pranë oborrit qeveritar të Ramës.

Në menaxhimin publik, ka një strategji që përdoret shpesh. Për të shkuar tek zgjidhja e duhur, fillimisht situata duhet vështirësuar deri në atë pikë, sa çdo alternativë do të ishte e pranueshme. Për Onkologjikun, “alternativa” më e mirë që po ofrohet, duket se është “pista Sani”. Megjithatë, detajet pritet të zbulohen pak nga pak, brenda disa javëve, kur qeveria do të nxjerrë për Konsultim Publik ligjin e ri për menaxhimin e spitaleve publike.

 

Share it :