Investigimi/ 32 mln euro te shqiptareve! Kryeministri Edi Rama, me firmë të tijë i ka hapur rrugë/ Skema KAYO u kopjua nga Nigeria
Mirëmbrëma Ron Yeffet ka filluar të bëhet i pasur, madje më i pasur edhe nga sa i vetë mund ta kishte paramenduar. Plot 30 milionë euro nga taksat e shqiptarëve si qarkullim në më pak se 1 vit nga nisja e bashkëpunimit me Arjeta Pucën dhe TIMAK.
Por a mund të bëhej Ron Yeffet i pasur, pa Edi Ramën?
Kurrësesi!
Kryeministri Edi Rama, me firmë të tijë i ka hapur rrugë të gjithë skemës, duke nisur nga krijimi i KAYO-s, e më pas i hapi rrugën me VKM të posaçme, e për zbatimin e saj, vuri në dispozicion ministrin e Mbrojtjes, jo vetëm të sillej si sekretar i Ron Yeffet, por edhe të gënjente qytetarët në emër të tij.
Sipas audio pergjimit të bërë publik nga Arben Ahmetaj, Ron Yeffet miku izraelit i EdI Ramës i sqaron bashkëpunëtorëve Ukrainas se nëpërmjet këtij koncepti eleminojnë totalisht procedurat prokuruese ne Shqipëri, pra e thene ndryshe krijuan konceptin KAYO që paratë t’i merrnin pa tender dhe të njëjtën gjë kërkonte nga shtetasit ukrainas tja mundësonin edhe nga Kievi, por kjo kërkesë dukej e pamundur edhe pse Ukraina ndodhet prej vitesh në situatë lufte.
Do të shohim në vijim, se pasi ngriti skemën në fushën e mbrojtjes, konceptin KAYO Edi Rama po e shtrin edhe në sektorë të tjerë, si në shëndetesi, për rezerven e sigurisë por edhe për burimet nëntokësore të vendit siç është nafta dhe gazi, e qëllimi është vetëm një, shpërdorimi i taksave dhe pasurisë së shqiptarëve pa garë, pa tender, e për më tepër ka kontrollin final. E më këtë strategji, nuk do të ketë më ministra apo drejtorë që duhet të japin llogari për abuzimet me tenderat. Por të mbetemi te KAYO e ushtrisë.
Pra sipas Ermal Nufit qëllimi i KAYO nuk është prodhimi por u krijua si kompani mëmë e disa bijave. Ky është një tjetër mashtrim i Ermal Nufit, ose të paktën ligji i miratuar nga qeveria, Kuvendi dhe vetë Pirro Vengu thotë të kundërtën, që KAYO është krijuar pikërisht për prodhimin e armëve.
KAYO u themelua me ligjin 88/2024 dhe vetë emërtimi i ligjit thekeson: “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË SHTETËRORE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E ARMËVE, MUNICIONEVE, PAJISJEVE DHE TEKNOLOGJIVE USHTARAKE”.
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim krijimin e shoqërisë “KAYO” sh.a., shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, të municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake (në vijim “Shoqëria”), si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.
Neni 2
Objekti i veprimtarisë
1. Shoqëria ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, të municioneve, të teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë e mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake.
2. Përgjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj, Shoqëria ndjek gjithashtu interesa ekonomikë dhe tregtarë.
Pra ndryshe nga sa deklaron ministri Ermal Nufi në Kuvend, dhe per ne nuk eshte dicka e re, ligji e percakton KAYO-n si shoqëri që në objekt të saj ka prodhimin e armëve dhe jo vetëm për te rritur kapacitetet ushtarake të Shqipërisë. Por çfarë përcakton ligji më tej:
Neni 4
Objektivat e Shoqërisë
Shoqëria ka këta objektiva kryesorë:
1. Zhvillon me eficiencë aktivitetin e saj, duke kontribuuar në ngritjen, zhvillimin dhe forcimin e industrisë së prodhimit e të tregtimit të armëve, me qëllim sigurimin e nevojave të Forcave të Armatosura dhe ato të sigurisë në Republikën e Shqipërisë, si dhe të realizimit të fitimit ekonomik.
2. Prodhon dhe furnizon me pajisje të nevojshme Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e interesave kombëtarë.
3. Ndërton, zhvillon dhe përmirëson kapacitetet vendase për të prodhuar e furnizuar Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera përgjegjëse të sigurisë me pajisje të nevojshme për operacionet e tyre.
4. Mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat në funksion të zhvillimit të aktivitetit të saj.
5. Nxit investimet në teknologji dhe inovacion për prodhimin, përdorimin, tregtimin e armëve brenda dhe jashtë vendit.
6. Bashkëpunon me subjekte të ndryshme shtetërore e private, kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimin e objektit të veprimtarisë së saj.
7. Financon ose bashkëfinancon projekte në fushën e mbrojtjes e të sigurisë kombëtare ose shoqëri të themeluara në bashkëpunim me subjekte private dhe/ose publike të ngritura për realizimin e tyre.
Pra dhe këtu ligji është i qartë për objektivat e KAYO-s ku nuk ka të bëjë fare me atë që thote Nufi, se KAYO është krijuar si kompani mëmë e disa bijave. Sigurisht për të arritur qëllimin e tij Edi Rama dhe ministri i etiketuar si Ermal Raketa që në atë kohë mbante detyrën e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, përcaktuan se KAYO për të arritur objektivat e modernizimit të ushtrisë mund të bashkëpunonin edhe me subjekte private.
Por vijojmë më tej me nenet e ligjit se mesa duket Ermal Nufi në rastin më të mirë nuk i ka lexuar ose në rastin më të keq gënjen deputetetët dhe opinionin publik.
Neni 5
Funksionet e Shoqërisë
Funksionet kryesore të Shoqërisë janë si më poshtë:
1. Prodhimi, riparimi, demilitarizimi dhe tregtimi i armëve ose i pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisje ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes, të politikave shtetërore të rritjes së kapaciteteve ushtarake, si dhe të zhvillimit të industrisë ushtarake.
2. Bashkëpunimi me Forcat e Armatosura, me qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre ushtarake, nëpërmjet sigurimit të armëve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake për Forcat e Armatosura nga ana e Shoqërisë, në cilësinë e furnizuesit, të agjentit ose të autoritetit kontraktor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Tregtimi nga vetë Shoqëria apo nga subjekte të tjera të themeluara prej saj ose në bashkëpunim me subjekte private i armëve ushtarake ose i pjesëve të tyre, i municioneve, teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, të prodhuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.
4. Financon ose bashkëfinancon projekte ose shoqëri të themeluara në bashkëpunim me subjekte private dhe/ose publike, me qëllim realizimin e objektit të veprimtarisë së saj.
Të gjitha sa thamë më sipër edhe pse Ermal Nufi gënjeu në Kuvend i kishte dhe i ka më të qarta Administratori i shoqërisë KAYO Ardi Veliu në një intervisë në emsionin OPINION.
Por si do të bashkëpunojë KAYO me subjektet private përcaktohet qartë në nenin 10 të këtij ligji, e këtu situata bëhet dhe më e qartë që ne ligjet i bëjmë europiane por zbatimin Afrikan.
Neni 10
Marrëdhëniet me palët e treta
1. Shoqëria ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja, në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me këtë ligj.
2. Shoqëria, vetë ose me kërkesë të palëve të treta, bashkëpunon me subjekte private nëpërmjet pjesëmarrjes në bashkim operatorësh ekonomikë, në partneritet publik, privat, sipas legjislacionit tregtar në fuqi dhe/ose nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme kontraktore të lejuara nga legjislacioni civil e tregtar.
3. Kushtet e negocimit të Shoqërisë me subjekte private miratohen, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të Shoqërisë, nëpërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen. Pas këtij miratimi, Shoqëria vijon procedurat sipas pikave 4, 5 dhe 6 të këtij neni.
4. Në rastet kur Shoqëria kërkon të bashkëpunojë me partnerë privatë, procedurat e përzgjedhjes së bashkëpunëtorit privat janë procedura konkurruese të zhvilluara nga Shoqëria në përputhje me parimet e transparencës, të proporcionalitetit, efikasitetit, ruajtjes së informacionit të klasifikuar, përfitueshmërisë, fizibilitetit ekonomik dhe tregtar të projekteve, trajtimit të barabartë, reciprocitetit dhe të sigurisë ligjore, si dhe sipas përcaktimeve në këtë ligj e aktet e brendshme rregullatore të Shoqërisë.
5. Në rastet kur Shoqërisë i paraqiten kërkesa për bashkëpunim nga palë të tjera shtetërore ose private, Këshilli Mbikëqyrës autorizon administratorin të ngrejë grupin e negocimit të ofertës, i cili ngarkohet për vlerësimin dhe negocimin e kërkesës së paraqitur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit të Shoqërisë. Raporti i grupit të negocimit i paraqitet Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë, i cili miraton ose jo bashkëpunimin në rastin konkret.
6. Në përzgjedhjen e subjektit privat me të cilin bashkëpunon në prodhim dhe tregtim të armëve dhe teknologjive ushtarake, Shoqëria sigurohet, sipas rastit, që:
a) subjekti përmbush kriteret e nevojshme për pajisjen me leje dhe licenca për prodhimin e tregtimin e armëve dhe të teknologjive ushtarake, duke përfshirë sigurinë e objekteve, kapacitetin teknik, operacional e financiar;
b) subjekti garanton zbatimin e standardeve të sigurisë e të kontrollit të armëve dhe teknologjive ushtarake në të gjitha fazat e prodhimit e të tregtimit, duke përfshirë ruajtjen, transportin dhe transferimin e tyre;
c) subjekti garanton raportim të veprimtarisë së tij në përputhje me standardet vendore e ndërkombëtare të sigurisë dhe të kontrollit të armëve e teknologjive ushtarake;
ç) subjekti garanton respektimin e konfidencialitetit të të dhënave në veprimtaritë e Shoqërisë;
d) subjekti plotëson kriteret e besueshmërisë, pastërtisë së figurës dhe reputacionit në sektorin e prodhimit e të tregtimit të armëve dhe të teknologjive ushtarake.
Ligji është i qartë, KAYO mund të bashkëpunojë me subjekte private për realizimin e objektivave të saj por do duhet që për këtë bashkëpunim të kryej procedura konkurruese dhe transparente. Pra e thënë me thjeshte nëse do donin të prodhonin uniforma ose armë do duhej të hapnin një procedure konkuruese e thenë më ndryshe TENDER dhe për përzgjidhej kompania me e mirë.
Sigurisht Rama e dinte se Roni apo shokët e tij jo vetëm nuk kishin eksperiencë në këtë fushë por as para, prandaj në ligj vendos dhe një pikë ku eleminohej totalisht procedura konkurruese.
Në pikën 5 të nenit 10 përcaktohet se nëse KAYO-s i paraqitet një kërkesë nga nje subjekt privat ai vlerësohet me anë të negocimit të drejtpërdrejtë me miratimin e Ardi Veliut dhe Këshillit Mbikëqyrës që drejtohej po nga Ermal Nufi.
Këtë procedurë e konfirmon sërisht Ardi Veliu në intervistën e dhënë për Blendi Fevziun.
Pra ligji është i qartë, KAYO është krijuar si shoqëri shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, të municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake dhe jo si shoqëri “holding” siç mashtroi në Parlament Ermal Nufi, e këtë duhet ta kishte të qartë si Drejtues i Këshillit Mbikëqyrës të KAYO-s.
Sipas këtij ligji është KAYO ajo që duhet të përcaktojë objektivat e saj dhe më pas të kërkojë bashkëpunim me privatin nëse këto objektiva kërkojnë teknologji apo financim që nuk e kanë strukturat shtetërore.
Pra marrim një shëmbull. KAYO vendos si objektiv të ndërtojë një fabrikë armësh, për të arritur këtë qëllim duhen dhjetra miliona euro, teknologji të avancuara por sigurisht dhe aftësinë profesionale. Nëse këto nuk i plotëson dot vetë KAYO do duhet të hapte një procedurë konkurruese ku të paraqiteshin kompani kombëtare e ndërkombëtare ku të përzgjidhej më e mira. Siç e dëgjuat me zë e figurë këtë procedurë e sqaroi dhe vetë administratori Ardi Veliu ku tha shprehimisht se nëse KAYO ka interes të zhvillojë një produkt hap garë dhe fton kompani të marrin pjesë, nëse KAYO nuk ka interes të zhvillojë pret kërkesa nga privati. Faktet sot flasin vetë dhe historia bëhet jo vetëm qesharake por dhe kriminale, pasi Edi Rama e krijoi këtë shoqëri pikërisht se e dinte nevojën për të modernizuar dhe rivitalizuar industrinë ushtarake por kompania që krijoi në praktikë as nuk dinte e as nuk kishte interes të zhvillonte asnjë produkt.
Sot KAYO ka themeluar 5 kompani bija sipas të dhënave të QKB edhe pse Ardi Veliu thotë me krenari që janë 6 të tila, njëra o u ka humbur ose është pazari i rradhës i cili ende nuk është regjistruar në QKB.
Kompanitë e regjistruara deri sot që transpetihet ky emision janë 5, Guna Tactical, M.K.D, TIMAK DEFENCE, ADVANCED ARMS TECHNOLOGY dhe Fincantieri Albania.
Asnjëra nga këto bashkëpunime nuk i është nënshtruar procedurës së konkurrimit. Pra sipas asaj që shprehet Ardi Veliu KAYO ende 2 vite pas themelimit të saj nuk ka shfaqur interes për zhvillimin e ndonjë produkti pasi do hapte garë ndërkombëtare.
Të gjitha kompanitë janë krijuar pas kërkesave të subjekteve private të cilat ja paskan lexuar mëndjen Edi Ramës, Pirro Vëngut, Ermal Nufit, Këshillit Mbikëqyrës dhe Ardi Veliut dhe kanë depozituar me urgjencë kërkesat e tyre.
Qëllimi i Edi Ramës kur themeloi KAYO në letra ishte modernizimi I ushtrisë por në zbatim Ishte dorëzimi I industrisë ushtarake në duart e Ron Yeffet dhe kjo kuptohet fare qartë po nga deklarimi i Ardi Veliut.
Ky duket se është i vetmi moment sinqeriteti i ministrit Ermal Nufi në interpelancën e tij në Kuvend. Nga një kërkim për këtë deklaratë, rezulton se skema, është ndërtuar dhe planifikuar për tu zbatuar në disa vende afrikane dhe jo perëndimore. Për koicidencë të Ermal Nufit, skema është ndërtuar në vende si Nigeria, ku Ron Yeffet është larguar me akuzën për afera e korrupsion mbi supe. E për më tepër, po Nigeria është një nga vendet ku Ron Yeffet pretendonte të merrte armët që më pas do ti riambalazhonte në Shqipëri.
Emisioni PLUG analizojë edhe skemën e ngritur nga Nigeria, e quajtur DICON (Defence Industries Corporation of Nigeria). Parashikimet ligjore në të dyja shtetet, sin ë Shqipëri dhe Nigeri janë identike, e me të njëjtin qëllim. Por më pas duket se qeveria nigeriane ka ruajtur interesin shtetëror dhe të qytetarëve të saj, ndërsa në Shqipëri me VKM të posaçme Edi Rama ka mbrojtur interesin e pasurimit të Ron Yeffet në kurriz të qytetarëve.
Krahasimi mes dy skemave nxjerr në dritë se si formula e zbatuar në Shqipëri ka përmbysur rregullat e partneritetit publik-privat. Sipas Ligjit për DICON në Nigeri, një korporatë 100% shtetërore, duke e autorizuar atë të lidhë marrëveshje Joint Venture me kompani private. Kur marrëveshja u nënshkrua në janar 2024 me gjigantin privat D7G Nigeria Limited, shteti nigerian vendosi një vijë të kuqe: pjesëmarrja në aksione është strikt 50% me 50%. Shteti ofron infrastrukturën fizike (uzinat, tokat) dhe kuadrin ligjor, duke mos e lëshuar kurrë shumicën strategjike të vendimmarrjes.
Në Shqipëri, modeli i ndjekur nga Kayo nisi fillimisht me raportin 51% për shtetin dhe 49% për privatët. E më tej me VKM të Edi Ramës, raporti u përmbys me shpejtësi, ku 80 % të aksioneve dhe fitimit ju lanë Ron Yeffet dhe shteti mbajti vetëm 20 %.
Dallimi kryesor që ka çuar prokurorët e SPAK në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes është mënyra se si përzgjidhen ortakët. Në Nigeri çdo procedurë kalon përmes proceseve të gjata verifikimi të sigurisë kombëtare dhe garave strikte.
Në Shqipëri, “Skema KAYO” funksionon si një “guaskë ligjore” që anashkalon totalisht ligjin e prokurimit publik.
Nëse në modelin nigerian të DICON shteti mbetet pronar dhe mbikëqyrës i çdo produkti ushtarak për sigurinë e vendit, në Shqipëri formula e transferon fitimin te privati dhe rrezikun te taksapaguesit. Paradoksi qëndron në faktin se shteti shqiptar hyn si ortak me privatët, u fal atyre infrastrukturën pa garë dhe më pas përdor paratë e buxhetit të tij të mbrojtjes për të blerë produkte nga këto kompani ku shumicën e fitimit e marrin aksionerët privatë.
Ardi Veliu thotë me krenari se kemi shpenzuar zero lekë për krijimin e këtyre shoqërive por harron të thotë se këto shoqëri deri më sot kanë marrë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes rreth 4.7 miliardë lekë ose 47 milion euro. Nese Edi Rama do kishte qëllim krijimin e një kompanie shtetërore, fuqizimin e saj në modernizimin e ushtrisë këto dhjetra milion euro do ja kalonte KAYO dhe jo tja jepte edhe paradhënie Ron Yeffet dhe Arjeta Puces për të lyer makina në një kapanon ku ka zero teknologji.
Ka dhe një fakt tjëtër që do të duhet të hetohet nga SPAK dhe ajo është urgjenca në themelimin e këtyre kompanive bija, themi me urgjencë pasi po sipas deklarimeve të Ardi Veliut shoqëria TIMAK i është drejtuar me një kërkesë për bashkëpunim shoqërisë KAYO që në janar të vitit 2025, por edhe këtu gabohet sepse në një përgjigje në email për emisionin PLUG është shprehur se kërkesa ka ardhur që në dhjetor të vitit 2024.
Shoqëria KAYO është regjistruar në QKB në datën 16.10.2024. Pa mbushur 2 muaj, pa miratuar aktet nënligjore TIMAK me ZERO eksperiencë në industrinë ushtarake ka kërkuar bashkëpunim me KAYO, bashkëpunim i cili jo vetëm u pranua, jo vetëm u ndryshua VKM ku aksionet e shtetit u ulën nga 45% në 20% por deri më sot ka përftuar mbi 2.9 miliardë lekë ose rreth 30 milion euro për lyerje dhe modifikime makinash duke investuar ZERO para të saja.
Deri këtu besoj i gjithë publiku është i qartë se KAYO është kostumi i qepur enkas për korrupsionin RAMA- YEFFET dhe presin vetëm vulën e SPAK, i cili nëse vonon të veprojë thjesht do rrisë faturën e vjedhjes së buxhetit dhe taskave të shqiptarëve sepse këtë skemë nuk e mbulon dot më.




