Studentët mbërrijnë para Kryeministrisë, kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Pas disa orësh protestë dhe marshimesh nëpër universitetet e Tiranës, studentët janë zhvendosur përpara Kryeministrisë, ku vijojnë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta e sotme nisi pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar më pas drejt Fakultetit Ekonomik dhe Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë qëndruan për disa orë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe duke u bërë thirrje studentëve të tjerë që t’i bashkohen lëvizjes së tyre.
Gjatë marshimit, studentët kanë mbajtur pankarta dhe kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë, ndërsa kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor si formë kundërshtimi ndaj situatës politike në vend.
Përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesve iu bashkuan edhe studentë nga fakultete të tjera, përfshirë Mjekësinë dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në një moment, të rinjtë kënduan së bashku himnin kombëtar, përpara se të vijonin protestën.
Tashmë protesta është zhvendosur përpara godinës së qeverisë, ku studentët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Pritet që gjatë orëve në vijim tubimit t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë, në mbështetje të kërkesave të të rinjve.
Ndërkohë, studentët vijojnë të refuzojnë ofertat e përsëritura të kryeministrit për dialog. Edhe mëngjesin e sotëm, Rama përsëriti ftesën për bisedime, por protestuesit këmbëngulin se dorëheqja e tij mbetet kërkesa kryesore dhe e panegociueshme.
Protestat studentore kanë vijuar prej disa javësh në kryeqytet, të shoqëruara me bojkot të mësimit, marshime në fakultete dhe tubime përpara institucioneve shtetërore. Studentët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.




