Faktet flasin vetë, pas arrestimit të Veliajt është vetëm Rama dhe askush tjetër
Nga Petrit Vasili/
Arrestimi i Veliajt dhe kërcënimet e Gogut si transmetues i mesazheve të Ramës i japin fund çdo dileme mbi rolin absolut dhe autorësinë e Ramës në këtë arrestim për shkak të kapjes së plotë të Drejtësisë prej tij.
Një analizë e thjeshtë tregon gjithçka qartë dhe pa ekuivok.
Së pari.
Arrestimi spektakolar i Veliajt në zyrë, në mes të ditës dhe i filmuar e mediatizuar në mënyrë të rrufeshme kishte të gjitha mundësitë ligjore të realizohej ndryshe. Po kështu masa shtrënguese arrest me burg i kërkuar e realizuar nga SPAK, ndërkohë që për akuza shumë më të mëdha kemi parë Karçanaj e AKSHI, Ballukun, Vlora Hysenin, Drejtorët e 5D etj. që janë me detyrim paraqitje ose arrest shtëpie.
Së dyti.
Nesti Angoni apo denoncuesi anonim është dikush vetëm i Ramës sepse askush tjetër nuk mund të kishte një akses dhe afërsi që të njihte kaq detaje personale dhe të dhëna kaq të imta që kërkojnë akses shtetëror, aq më pak opozita që kishte zero mundësi që të posedonte këto të dhëna.
Së treti.
Rama ndërtoi një farsë me mitingun në shesh dhe pastaj protestën para SPAK, gjoja në mbrojtje të Veliajt. Por realisht që në ditën e arrestimit shkoi në Bashkinë e Tiranës, rrëmbeu çdo kompetencë dhe largoi të gjithë drejtuesit e caktuar nga Veliaj dhe i zëvendësoi rrufeshëm ata me të tjerë, si dhe bëri shkarkimin e Veliajt më pas me vendim të Këshillit Bashkiak për ta pasur në grushtin e tij Bashkinë e Tiranës. Fakti që Veliaj pas rimarrjes së fuqisë formale për të vepruar i shkarkoi dhe rivendosi njerëzit e tij provon qartazi rolin e interesin e Ramës për të arrestuar Veliajn.
Së katërti.
Pretendimi i sponsorizuar fort nga Rama për rolin e opozitës në arrestimin e Veliajt është mashtrim. Akuzat e bëra nga SPAK kundër Veliajt nuk reflektojnë asnjë nga kërkesat apo kallëzimet e bëra nga opozita kundër tij. Këto akuza që i janë bërë janë thjesht një sebep juridik i stisur nga SPAK për të arrestuar Veliajn për llogari të Ramës.
Së pesti.
Kërcënimet e Ramës të transmetuara nga Gogu i kërkojnë Veliajt të pranojë organizimin e protestave dhe kryerjen e veprimtarisë antishtetërore prej tij.
Rama, nëse ka fakte e prova, ka detyrimin t’i kallëzojë ato në SPAK dhe nuk ka asnjë të drejtë të hyjë në pazare politike me sjellje e kërcënime mafioze.
Së gjashti.
Veliaj tregon publikisht se Rama ka urdhëruar transferimin e tij si dhe kontrollin e vizitave deri dhe shtruarjen në spital. Ç’p punë ka Kryeministri që shkel ligjin në mënyrë skandaloze dhe merret personalisht me një të paraburgosur kur ligji përcakton qartë se kush e ka këtë përgjegjësi.
Së shtati.
Organizimi i ushtrisë mediatike, ku të gjithë sahanlëpirësit e djeshëm po akuzojnë Veliajn se nuk ka dënuar dhe folur për gjoja dëmet që ka pësuar Tirana gjatë protestave, por ka lënë të kuptohet se i mbështet ato, si dhe përshëndetja e largimit të Vuçiç, janë thjesht krijimi i alibive bajate të Ramës për të shtuar presionin mediatik dhe për të stisur akuza të reja ndaj Veliajt e për ta mbajtur atë nën shantazh.
Së teti.
Gazetarë të Ramës po kërkojnë e sugjerojnë me insistim që Veliaj të vetëshpallet kundërshtar politik i Ramës në mënyrë që të krijojnë alibinë se çdo akuzë eventuale e Veliajt të konsiderohet një sulm politik dhe jo përgjegjësi reale penale e Ramës.
Përfundime:
Rama nuk ka hezituar të ndërmarrë veprime të trasha, të hapura dhe të stilit mafioz për të izoluar Veliajn dhe për të rimarrë totalisht në duart e tij Bashkinë e Tiranës, ku lëvizin interesa shumë të mëdha ekonomike, dhe për ta plaçkitur atë i papenguar nga askush.
SPAK ka vepruar me regji të Ramës duke bërë akuza ndaj Veliajt që i shërbejnë vetëm Ramës për izolimin e tij, duke shmangur akuzën për inceneratorin ku është edhe Rama brenda.
SPAK, duke mos reaguar për aferën flagrante Gogu-Rama, tregon më së miri se ky është vazhdim i skenarit të konsumuar ndaj Veliajt me urdhër dhe për llogari vetëm të Ramës.
Gjithçka ka ndodhur e po ndodh ka lidhje vetëm me shantazhimin e Veliajt për të mos folur kundër Ramës dhe evitimin me çdo mjet që të mos ndodhë ajo që ndodhi me Ahmetajn.




