Rusia dhe Irani pas protestave? Diplomatët e NATO-s paralajmërim për Ramën
Pretendimet e kryeministrit Edi Rama se protestat kundër qeverisë në Shqipëri nxiten nga Rusia dhe Irani kanë ngritur pikëpyetje edhe në arenën ndërkombëtare.
Në një artikull të publikuar nga Politico, ku trajtohet shqetësimi i NATO-s për shtimin e ndërhyrjeve hibride dhe fushatave të dezinformimit rus në Ballkan, zbulohen edhe paralajmërimet e diplomatëve të aleancës lidhur me mënyrën se si qeveria shqiptare mund ta përdorë këtë çështje.
Sipas Politico-s, tre diplomatë të NATO-s, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, janë shprehur se aleatët do të ishin të hapur për të shqyrtuar mundësinë e dërgimit të një ekipi ekspertësh në Shqipëri për të ndihmuar në përballjen me kërcënimet hibride. Megjithatë, ata kanë paralajmëruar se Shqipëria nuk duhet ta përdorë situatën për arsye të politikës së brendshme.
“Dërgimi i një ekipi zakonisht do të kërkonte konsensus midis anëtarëve të NATO-s. Tre diplomatë të NATO-s, të cilëve u është dhënë anonimiteti për të folur lirisht, thanë se aleatët do të ishin të hapur për të shqyrtuar këtë mundësi. Por ata paralajmëruan se Shqipëria nuk duhet të përdorë asnjë përgjigje për arsye politike të brendshme”,- shkruan Politico.
Po ashtu, sipas artikullit, pretendimet e Ramës, vihen në pikëpyetje nga ekspertja e komunikimit Blerjana Bino, bashkëthemeluese e organizatës kërkimore SCiDEV.
Ajo thekson se, ndonëse Shqipëria ka dokumentuar fushata në rrjetet sociale të lidhura me Rusinë për çështje të tjera, nuk ekziston asnjë provë që të mbështesë pretendimin se Moska apo Teherani qëndrojnë pas lëvizjes protestuese.
“Ne e shohim këtë përpjekje nga qeveria si një mënyrë për të delegjitimuar ankesat legjitime publike të qytetarëve”, citohet të ketë thënë Bino.




