FOTO/ Mbi 20 topa me euro në kuti të kuqe në vilën e Ballukut në Dhërmi. Ja foto që u gjend tek telefoni i pastrueses

FOTO/ Mbi 20 topa me euro në kuti të kuqe në vilën e Ballukut në Dhërmi. Ja foto që u gjend tek telefoni i pastrueses

Një kuti e kuqe, e mbushur me tufa kartëmonedhash 50 euroshe, është një nga detajet më interesante të dosjes së SPAK për vilën luksoze që Belinda Balluku dyshohet se zotëron në Dhërmi, por që në dokumentet zyrtare figuron në emër të ish-futbollistit Igli Tare.

Fotografia e kutisë me euro u dërgua përmes WhatsApp më 17 korrik 2021 nga Lavdrim Smone, bashkëshorti i sanitares së Ballukut, i cili së bashku me gruan dhe vajzën shkonte herë pas here për të pastruar vilën në kompleksin “White Rocks”.

Në dokumentin hetimor, SPAK shkruan se kutia me para ndodhej “në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin White Rocks”. Prokuroria nuk sqaron se kujt i përkisnin paratë dhe as origjinën e tyre, por e ka përfshirë fotografinë mes provave të administruara gjatë hetimit.

Vila dykatëshe, me sipërfaqe 103 metra katrorë dhe një parcelë prej të paktën 300 metrash katrorë, vlerësohet nga SPAK në 720 mijë euro.

Për të provuar se pronarja e vërtetë ishte Balluku dhe jo Igli Tare, prokurorët kanë analizuar qindra komunikime mes shoferit të saj, punonjësve të pastrimit, vartësve dhe administratorëve të kompleksit.

Në këto biseda, vila F6 përmendej vazhdimisht si “vila e shefes”. Madje, sipas hetuesve, edhe arredimi dhe investimet në pronë kryheshin sipas dëshirave të Ballukut.

Të dhënat e telefonisë celulare tregojnë gjithashtu se ish-zëvendëskryeministrja e ka frekuentuar rregullisht vilën nga viti 2019 deri në muajt e parë të vitit 2026.

Kështu, ndërsa në letra pronar rezultonte Igli Tare, sipas SPAK, ishte Balluku ajo që e përdorte vilën, vendoste për arredimin dhe kishte në dispozicion personelin që kujdesej për të.

Hetimi për vilën është pjesë e dosjes penale ndaj Ballukut, ku përfshihen 31 të pandehur, mes tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ndërtues të përfshirë në tenderat publikë.

Gjithashtu në bisedën e datës 24 korrik 2022, mes Maresa Smone me motrën e saj, Aida Smone, evidentohet si më poshtë:

Maresa Smone: “Nesër do ikim për Dhërmi”, “do iki dhe une”.

Aida Smone: “Mos ja fut kot”, “Kush mori tel”.

Maresa Smone: “Berti tani”.

Maresa Smone: “Vetem me çu në 4”

Aida Smone: “Ju raft pikaa”, “a vec per Belinden”, “Të pakten”.

Maresa Smone: “Po për Belinden”, “të mërkurën për atë tjetrën”.

Maresa Smone: “Nesër mami me babin do ikin”, “Unë të mërkurën me mamin”.

Image

Share it :