Rama mbron guvernatorin e BSH nga arrestimi/ BIRN: Në Kuvend u paraqit një variant i ndryshuar
Me 84 vota pro, shumica parlamentare miratoi të enjten ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, duke i dhënë guvernatorit mbrojtje të posaçme nga arrestimi dhe kontrollet pa autorizimin e Kuvendit.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili i jep guvernatorit Gent Sejko mbrojtje të posaçme nga masat e arrestit dhe kontrollet e prokurorisë, pavarësisht kritikave të ekspertëve mbi përputhshmërinë e kësaj dispozite me Kushtetutën dhe parimin e barazisë përpara ligjit.
Projektligji u miratua me 84 vota pro, në një seancë plenare të shoqëruar me tensione, ndërsa deputetët e opozitës protestuan në sallë duke ndezur tymuese dhe flakadanë. Në votim morën pjesë deputetët e shumicës socialiste dhe të Partisë Socialdemokrate, ndërsa kryeministri Edi Rama u largua nga salla pas votimit.
Dispozita e re parashikon që ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nuk mund të vendosen masa arresti dhe të kryhen kontrolle personale apo të banesës pa autorizimin paraprak të Kuvendit, kur procedimi lidhet me ushtrimin e funksionit të tij.
Ndryshimet i japin Kuvendit një rol të drejtpërdrejtë në procedurën për autorizimin e këtyre masave, duke vendosur një filtër parlamentar midis organeve të drejtësisë dhe guvernatorit të bankës qendrore.
Ligji nuk e përjashton guvernatorin nga hetimi apo përgjegjësia penale, por kufizon mundësinë e zbatimit të masave shtrënguese ndaj tij pa kaluar më parë përmes një procedure të posaçme autorizimi.
Nisma kishte shkaktuar kundërshtime që prej muajit korrik, kur BIRN raportoi se projektligji i hartuar në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian synonte t’u jepte drejtuesve të Bankës së Shqipërisë mbrojtje shtesë nga organet e drejtësisë.
Në versionin e publikuar për konsultim në korrik, neni 72 parashikonte se guvernatori dhe zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestoheshin apo t’u nënshtroheshin kontrolleve personale dhe të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo gjykatë nuk shprehej brenda dy javësh, kërkesa e prokurorisë konsiderohej e refuzuar.
Por në versionin e paraqitur për votim në Kuvend, mekanizmi i autorizimit u ndryshua, duke ia kaluar këtë kompetencë parlamentit.
Debati mbi imunitetin e guvernatorit zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet midis pushtetit politik dhe organeve të drejtësisë janë tensionuar nga hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa kufijtë e imunitetit dhe të masave të sigurimit janë kthyer në çështje të debatit publik.
Përveç mbrojtjes procedurale, drafti i ligjit për Bankën e Shqipërisë përmbante edhe dispozita që zgjeronin kompetencat e institucionit për klasifikimin e informacioneve si konfidenciale apo sekrete.




